Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama flet për Reuters: Nuk jap dorëheqjen. Qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve

Rama flet për Reuters: Nuk jap dorëheqjen. Qeveritë ndryshohen

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të dhunshme të drejtuara nga studentët, të cilat kanë hyrë në ditën e tretë në Shqipëri.

Në një përgjigje me shkrim për Reuters, Rama theksoi se ndryshimi i qeverive bëhet përmes zgjedhjeve demokratike, duke kujtuar se Shqipëria zhvilloi zgjedhjet vitin e kaluar.

“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne patëm zgjedhje vitin e kaluar, jo revolucion”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se përgjegjësia e tij është të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve, t'u japë zgjidhje kërkesave legjitime dhe të vijojë përpara me zhvillimin e vendit.

“Alternativa do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, deklaroi Rama.

Rama: Jam i gatshëm të diskutoj për kostot e arsimit

Kryeministri u shpreh se është i gatshëm të diskutojë për rritjen e kostove të arsimit, një prej çështjeve që ka nxitur protestat studentore.

Megjithatë, ai bëri dallimin mes kërkesave të studentëve dhe akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimeve.

“Sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe kërcënimi i sigurisë publike nuk kanë asnjë lidhje me kërkesat legjitime të studentëve”, theksoi kreu i qeverisë.

Protestat kanë përfshirë kryeqytetin për tri ditë radhazi, ndërsa policia ka përdorur autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit. Për shkak të situatës së tensionuar dhe dëmtimeve të shkaktuara, seanca plenare e Kuvendit është anuluar.

Rama: Korrupsioni duhet të luftohet

Në përgjigjet për Reuters, kryeministri u ndal edhe te çështja e korrupsionit, një tjetër nga shqetësimet e ngritura nga protestuesit.

“Korrupsioni duhet të përballet dhe, siç ka riafirmuar së fundmi edhe vetë BE-ja, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë”, deklaroi Rama.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se, sipas tij, disa forca brenda dhe jashtë vendit mund të mos dëshirojnë që Shqipëria të ketë sukses në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Por nuk do të lejoj që dhuna të pengojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, u shpreh kryeministri./L.F-dritare.net