Ministrja Kumbaro thirrje prindërve: Mos lejoni që fëmijët të përdoren për dhunë
Dritare.net

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga protestat dhe bojkotimi i mësimit nga një pjesë e nxënësve, duke theksuar se shkollat vijojnë normalisht procesin mësimor.
Përmes një mesazhi, Kumbaro u shpreh se arsimtarët janë në krye të detyrës, ndërsa u bëri thirrje prindërve të tregojnë kujdes për fëmijët e tyre dhe të mos lejojnë përfshirjen e tyre në situata të rrezikshme.
“Arsimtarët janë në krye të detyrës, shkollat vijojnë mësimin. Të mos lejojmë që fëmijët tanë të përdoren për qëllime të errëta e të dhunshme, duke i vënë vetë fëmijët në rrezik”, thuhet në reagimin e ministres.
Reagimi i Kumbaros vjen në një kohë kur në Tiranë vijojnë protestat, ku një pjesë e nxënësve dhe studentëve kanë bojkotuar mësimin për t'iu bashkuar tubimeve.
Ministrja vë theksin te vijimi i procesit mësimor dhe siguria e të miturve, ndërsa situata e krijuar ka sjellë thirrje të vazhdueshme drejtuar nxënësve dhe prindërve për të shmangur përfshirjen në akte dhune.