Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Protesta në Tiranë/ 13 persona në spital, mes tyre 2 gazetare e 6 policë

Protesta në Tiranë/ 13 persona në spital, mes tyre 2 gazetare e 6

Të paktën 13 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së sotme në Tiranë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mes personave që janë paraqitur në spital janë tre protestues të ekspozuar ndaj gazit lotsjellës, dy gazetare, gjashtë efektivë policie dhe dy kalimtarë. Shumica janë larguar pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa një protestues vijon ekzaminimet dhe njëri prej kalimtarëve është shtruar në spital.

Njoftimi:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.

Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.

Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë.", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net