
Nga Vladimir Selamaj
Mbrëmjen e djeshme, teksa ngjisja shkallët e Hotelit Divani Caravel në Athinë, për të marrë pjesë në festimet e Nëntorit, të organizuara nga Ambasada Shqiptare, përballë hotelit dëgjova një grup bashkatdhetarësh që protestonin me thirrjet: "Rama jep dorëheqjen!"
Deri këtu, gjithçka normale! Jemi në një vend demokratik, ku secili ka të drejtën të shprehë pakënaqësinë e tij, të protestojë dhe të kundërshtojë qeverinë që nuk i pëlqen.
Por çudia filloi kur, ndërsa po filmoja protestën, një pjesë e tyre vendosën të më bënin edhe mua protagonist të demonstratës.
"O Ladi, o legen, prite Ramën se po vjen!"
Të them të drejtën, për një moment u hutova. Thashë me vete: Mos vallë paskam ndryshuar profesion dhe nuk e paskam marrë vesh? Apo mos vallë, ngaqë mbaj kamerën në dorë, jam bërë automatikisht përfaqësues i ndonjë partie politike?
Po mirë, me Ramën çfarë keni, është puna juaj! Por me mua ç'patët?! Unë jam një gazetar i thjeshtë, që prej vitesh merrem me problemet, hallet dhe shqetësimet e bashkatdhetarëve tanë në Greqi. Kam shkruar për pensionet, dokumentet, vështirësitë ekonomike, padrejtësitë dhe gjithçka tjetër që prek jetën e emigrantëve shqiptarë. Nuk kam qenë dhe nuk jam zëdhënës i asnjë partie politike. Nuk kam dalë në rrugë për të mbrojtur Ramën, as për të sulmuar kundërshtarët e tij. Kam dalë për të bërë punën time: të filmoj, të informoj dhe t'u jap zë ngjarjeve.
Dhe ja ku qëndron paradoksi!
Disa njerëz dalin në protestë në emër të demokracisë, por sapo shohin një gazetar që filmon, harrojnë se edhe ai ka të drejtën e vet të punës dhe të shprehjes. Demokracia nuk është vetëm të bërtasësh kundër kryeministrit. Demokracia është edhe të respektosh tjetrin, edhe kur nuk mendon si ti.
Nuk më shqetësojnë thirrjet politike, as kritikat. Përkundrazi, protesta është një e drejtë që duhet respektuar. Por fyerjet personale nuk e bëjnë më të fortë kauzën tuaj. Përkundrazi, e dobësojnë atë.
Pamjet filmike që shoqërojnë këtë shkrim flasin vetë. Nuk kam ndërmend të bëj gjyqtarin e askujt, por as të hesht përballë një sjelljeje që nuk i shërben askujt.
Dhe në fund, një falënderim edhe për ju, të rinj bashkatdhetarë!
Ju jeni brezi që do të ndërtoni Shqipërinë e re. Por mos harroni: Shqipëria e re nuk ndërtohet vetëm duke kërkuar dorëheqjen e një kryeministri. Ajo ndërtohet edhe me kulturë, edukatë, respekt dhe tolerancë ndaj mendimit ndryshe. Sepse të bërtasësh është e lehtë, të argumentosh është qytetari, ndërsa të respektosh tjetrin është kulturë!
Me respekt për të gjithë ata që protestojnë me dinjitet dhe që dinë të dallojnë gazetarin nga politikani!
Athinë