Rutte ngre alarmin për sulmet hibride ndaj NATO-s: Të gjithë jemi të rrezikuar!
Dritare.net

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar për rritjen e kërcënimeve hibride ndaj vendeve anëtare të Aleancës, duke theksuar se askush nuk është i imunizuar nga sulmet kibernetike, sabotimet dhe incidentet me dronë.
Gjatë një takimi në Berlin, Rutte përmendi sabotimin e hekurudhave, bllokimin e aeroporteve nga dronët dhe sulmet ndaj anijeve tregtare si disa nga rreziqet me të cilat përballen vendet aleate.
“Të gjithë jemi në shënjestër, të gjithë prekemi”, deklaroi ai.
I pyetur për raportimet se Rusia mund të dërgojë në hapësirë një satelit të pajisur me armë bërthamore, Rutte garantoi se NATO është e përgatitur të mbrojë vendet anëtare.
“Do të kujdesemi gjithmonë që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë në hapësirë”, theksoi ai.
Kreu i Aleancës bëri thirrje për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe shtimin e investimeve në sistemet e mbrojtjes ajrore, dronët dhe teknologjitë kundër tyre./dritare.net