Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Lëvizja Studentore Kombëtare del me deklaratë publike: Nuk kemi kryetar, duam të ndërtojmë të ardhmen në Shqipëri

Lëvizja Studentore Kombëtare del me deklaratë publike: Nuk kemi

Studentët shpallin organizimin e pavarur dhe bëjnë thirrje për bashkim me protestën qytetare. “Rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut”, thuhet në deklaratë.

Lëvizja Studentore Kombëtare ka publikuar një deklaratë publike, përmes së cilës njofton organizimin e saj si një strukturë të pavarur studentore, në vijim të protestave qytetare që kanë nisur më 31 maj 2026.

Në deklaratë, studentët theksojnë se kanë qenë pjesë e protestave që prej ditës së parë dhe se organizimi i tyre nuk synon të zëvendësojë revoltën qytetare, por ta plotësojë dhe përforcojë atë.

Sipas tyre, pjesëmarrja masive e gjimnazistëve dhe studentëve, veçanërisht pas 13 tetorit, i dha protestës një fazë të re, më dinamike dhe kërkuese. Ata ngrenë gjithashtu shqetësimin për dhunën policore ndaj të rinjve dhe qytetarëve që protestonin paqësisht, duke kërkuar hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent për çdo pretendim mbi përdorimin joproporcional të forcës.

Një nga mesazhet kryesore të deklaratës është se të rinjtë shqiptarë nuk duhet të detyrohen të zgjedhin mes largimit nga vendi dhe heqjes dorë nga një e ardhme e suksesshme.

“Rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut. Ajo duhet të ketë mundësinë dhe mbështetjen për të jetuar me dinjitet, për t’u arsimuar, punuar, ndërtuar një jetë të suksesshme dhe krijuar familje në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.

Lëvizja thekson se arsimi cilësor, punësimi dhe barazia e mundësive janë të lidhura drejtpërdrejt me mënyrën e qeverisjes dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.

Studentët njoftojnë se në vijim do të paraqesin për diskutim publik propozimet e tyre për ndryshimin e rregullave dhe sistemit politik. Ata sqarojnë se këto propozime nuk janë zgjidhje përfundimtare, por pjesë e një reflektimi më të gjerë juridik dhe politik, që po zhvillohet në bashkëpunim me qytetarë, intelektualë, profesionistë dhe pedagogë.

Një element i veçantë i organizimit është fakti se Lëvizja Studentore Kombëtare deklaron se nuk ka kryetar.

“Ky organizim nuk ka kryetar, e as ne nuk jemi të tillë. Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë, të na bashkoheni”, thuhet në thirrjen drejtuar studentëve.

Në përfundim, studentët bëjnë thirrje për pjesëmarrje, pluralizëm, debat të hapur dhe protestë paqësore. Ata theksojnë se synojnë të krijojnë një organizim demokratik dhe të qëndrueshëm, që të ketë rol aktiv në ndërtimin e një Shqipërie ku të rinjtë të mos ndihen të detyruar të emigrojnë.

“Lëvizja Studentore Kombëtare po ngrihet sepse ne nuk duam të largohemi nga atdheu ynë. Duam të ndërtojmë një të ardhme këtu”, përfundon deklarata./dritare.net