Protestat/ Studentët organizohen për herë të parë, zgjedhin delegatët!
Dritare.net
Studentët janë organizuar për herë të parë që prej protestave dhe kanë zhvilluar ditën e sotme te Politekniku një mbledhje me dyer të mbyllura. Ky organizim është quajtur Lëvizja Studentore Kombëtare (LSK), në të cilin janë zgjedhur përfaqësues në çdo fakultet.
Sipas një njoftimi të mëparshëm, janë anëtarësuar mbi 2000 studentë nga 34 universitete të Shqipërisë. 500 prej tyre kanë marrë pjesë në mbledhjet përkatëse dhe 10 fakultete deri tani kanë zgjedhur delegatët e përkohshëm.
“Studentë, thirrja jonë e parë drejtohet për ju. Ky organizim, nuk ka kryetar, e as ne nuk jemi të tillë. Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë, të na bashkoheni. Duam të dëgjojmë zërat tuaj, mendimet dhe problematikat që keni hasur, shpresat dhe aspiratat për të ardhmen, jo vetëm tuajën, por të gjithë Shqipërisë. Ne duam të kultivojmë kulturën e demokracisë, që ka munguar në Shqipëri deri më sot”, thuhet në deklaratën e publikuar.
Studentët e bëjnë të qartë se “dialog me Ramën nuk ka”.
Kërkesat konkrete thonë se do t’i bëjnë të ditura në ditët në vijim. Ata thonë se ky angazhim do t’i shërbejë orientimit të mëtejshëm të protestës.
“Pikërisht për këtë arsye, në vijim, do të paraqesim për diskutim publik propozimet tona. Angazhimi ynë në këtë debat buron nga e drejta dhe përgjegjësia për të ndikuar në rregullat që përcaktojnë të ardhmen e brezit tonë, pa zëvendësuar kërkesat e tjera të protestës qytetare. Këto propozime nuk pretendojnë të jenë zgjidhje përfundimtare, por pjesë e një reflektimi më të gjerë juridik dhe politik, që studentët po zhvillojnë në bashkëpunim me qytetarë, intelektualë, profesionistë dhe pedagogë. Ky angazhim shoqëron protestat tona dhe do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për orientimin e mëtejshëm të lëvizjes studentore dhe qytetare”, vijon deklarata.
Një ndër thirrjet e tyre në deklaratë është hetim për reagimin e policisë gjatë protestave që prej 13 tetorit.
