10 vite pas Brexit, Britania e Madhe dhe BE arrijnë marrëveshje historike!
Dritare.net

Dhjetë vjet pas referendumit për Brexit, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme për rivendosjen e marrëdhënieve ekonomike dhe lehtësimin e lëvizjes së të rinjve mes dy palëve. Marrëveshja u arrit këtë të premte gjatë samitit BE–Britani e Madhe në Bruksel, ku kryeministri britanik Andy Burnham u takua me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Europian, António Costa.
Paketa e re përfshin lehtësimin e tregtisë së produkteve ushqimore, krijimin e një programi për lëvizjen e të rinjve dhe bashkëpunimin në tregun e emetimeve të karbonit.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me eksportet ushqimore. Marrëveshja synon të heqë një pjesë të madhe të kontrolleve kufitare dhe dokumentacionit që u vendos pas Brexit. Bizneset britanike do të kursejnë deri në 200 paund për çdo certifikatë shëndetësore eksporti, ndërsa transporti i produkteve të freskëta pritet të bëhet më i shpejtë dhe më pak i kushtueshëm.
Sipas qeverisë britanike, vetëm marrëveshja për tregtinë ushqimore mund t'i sjellë ekonomisë deri në 5,1 miliardë paund në vit deri në vitin 2040. Zbatimi i saj parashikohet të nisë më 1 mars 2028.
Një tjetër pikë e rëndësishme është lëvizja e të rinjve. Programi i ri do t'u mundësojë qytetarëve të moshës 18–31 vjeç nga Britania dhe vendet e BE-së të jetojnë, studiojnë, punojnë ose udhëtojnë në territorin e palës tjetër për një periudhë deri në tre vjet.
Programi do të përfshijë deri në 100 mijë të rinj në vit nga secila palë. Megjithatë, kjo nuk nënkupton rikthimin e lëvizjes së lirë që ekzistonte përpara Brexit. Skema do të jetë e kufizuar dhe do të funksionojë përmes vizave.
Palët synojnë ta zbatojnë marrëveshjen deri në vitin 2028, ndërsa mundësitë për pjesëmarrje duhet të jenë të disponueshme jo më vonë se janari i vitit 2030.
Marrëveshja parashikon gjithashtu lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të karbonit, me synimin për të ulur barrierat tregtare për sektorë si çeliku dhe alumini.
Kryeministri britanik Andy Burnham e cilësoi marrëveshjen si hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet me Evropën, duke theksuar se ajo do të ulë kostot për bizneset dhe do të krijojë mundësi të reja për të rinjtë.
Ndërkohë, negociatat për tarifat universitare të studentëve britanikë në BE dhe atyre europianë në Britani do të vazhdojnë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Marrëveshjet nuk kanë hyrë ende në fuqi, pasi duhet të përfundojnë procedurat përkatëse ligjore. Ato shënojnë megjithatë një hap të rëndësishëm drejt afrimit mes Londrës dhe Brukselit, një dekadë pas referendumit të vitit 2016 që çoi në largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian./dritare.net