Na ndiqni edhe në

Bota

Trump telefonon nga Air Force One në Berlin: Pse po i jepni miliarda të tjera Ukrainës?

Trump telefonon nga Air Force One në Berlin: Pse po i jepni miliarda

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndërhyrë papritur përmes një telefonate në takimin e “Koalicionit të Vullnetmirëve”, të zhvilluar këtë të enjte në Berlin, duke vënë në pikëpyetje ndihmën financiare dhe ushtarake prej miliarda eurosh që vendet europiane vazhdojnë t’i japin Ukrainës.

Sipas Politico, Trump telefonoi nga avioni presidencial “Air Force One”, vetëm pak orë pas takimit historik me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping në Shenzhen të Kinës.

Gjatë bisedës, presidenti amerikan shprehu skepticizëm të fortë ndaj planeve të vendeve europiane për të vazhduar mbështetjen financiare të Kievit, duke argumentuar se përpjekjet ndërkombëtare duhet të përqendrohen te përfundimi i luftës.

Sipas burimeve vuropiane të cituara nga Politico, Trump kritikoi planet e Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë për të siguruar 70 miliardë euro ndihmë për Ukrainën.

Dy pjesëmarrës në takim i përshkruan komentet e presidentit amerikan si një shpërthim zemërimi, ndërsa një burim tjetër dha një version më të moderuar, duke shpjeguar se Trump kishte theksuar sa shumë para mund të kursenin vendet nëse lufta përfundonte dhe ndihma për Ukrainën nuk do të ishte më e nevojshme.

Presidenti amerikan u tha gjithashtu liderëve europianë se Vladimir Putin ishte serioz në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Sipas tij, presidenti rus dëshiron t’i japë fund luftës dhe për këtë arsye komuniteti ndërkombëtar duhet të përqendrohet te negociatat, në vend që të vazhdojë të shpenzojë miliarda euro për konfliktin.

Trump e realizoi telefonatën përmes Jared Kushner, i cili ndodhej në Berlin së bashku me të dërguarin amerikan Steve Witkoff.

Takimi i “Koalicionit të Vullnetmirëve”, i organizuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz, mblodhi liderë europianë dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, me fokus garancitë e sigurisë dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.

Megjithatë, qëndrimi i Trump bie ndesh me angazhimin e vendeve europiane për të vazhduar ndihmën ndaj Kievit.

Në deklaratën e përbashkët të takimit, vendet pjesëmarrëse riafirmuan mbështetjen afatgjatë politike, ushtarake dhe financiare për Ukrainën, si dhe angazhimin për të siguruar të paktën të njëjtin nivel ndihme ushtarake në vitin 2027 si në vitin 2026.

Kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se mbështetja për Ukrainën synon t’i krijojë Kievit mundësinë për të negociuar paqen nga një pozicion më i fortë.

“Ne nuk po e japim këtë mbështetje të fuqishme për të zgjatur luftën. Ne duam që ajo të përfundojë”, deklaroi Merz.

Telefonata e Trump vjen në një moment delikat për diplomacinë ndërkombëtare, ndërsa Europa kërkon të ketë një rol të drejtpërdrejtë në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, pas takimit trepalësh mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës./dritare.net