Na ndiqni edhe në

Bota

Fotografia që po bën xhiron e botës! Trump shtrëngon duart me Putinin dhe Xi Jinping

Fotografia që po bën xhiron e botës! Trump shtrëngon duart


Presidenti amerikan Donald Trump është takuar të mërkurën me presidentin rus Vladimir Putin për herë të parë pas më shumë se një viti, në prag të bisedimeve historike në Kinë, ku do të marrë pjesë edhe presidenti kinez Xi Jinping.

Trump mbërriti në Shenzhen për samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ku u prit personalisht nga Xi Jinping me një ceremoni madhështore. Pas një shtrëngimi duarsh dhe përqafimi mes dy presidentëve, Trump u takua edhe me Putinin, me të cilin shkëmbeu përshëndetje përpara një pritjeje zyrtare.

Vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te takimi i së enjtes mes tre liderëve, i pari i këtij lloji që zhvillohet me praninë fizike të presidentëve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.

Megjithëse axhenda e plotë nuk është bërë publike, në tryezën e diskutimeve pritet të jenë disa nga çështjet më të rëndësishme të politikës ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, konfliktin në Iran, përhapjen e armëve bërthamore, tensionet tregtare dhe zhvillimet në inteligjencën artificiale.

Sipas BBC-së, Trump dhe Putin pritet të zhvillojnë edhe një takim kokë më kokë të enjten, në periferi të samitit, ku mund të diskutohet lufta në Ukrainë. Kremlini ka lënë të kuptohet se bisedimet mund të jenë informale, pa praninë e delegacioneve të mëdha.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur shqetësimin se një plan për përfundimin e luftës mund të diskutohet pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ukrainës dhe Europës.

Takimi i së mërkurës shënon kontaktin e parë ballë për ballë mes Trumpit dhe Putinit që prej gushtit të vitit 2025, kur presidenti rus udhëtoi drejt Alaskës për bisedime mbi luftën në Ukrainë, të cilat nuk sollën ndonjë përparim vendimtar.

Ndërkohë, Kina organizoi një pritje madhështore për presidentin amerikan. Në aeroportin e Shenzhenit u shtrua tapeti i kuq, ndërsa ceremonia përfshiu gardën e nderit, fluturime ushtarake dhe një prezantim me lule.

Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, Xi Jinping deklaroi se dëshiron të ndërtojë me Shtetet e Bashkuara një marrëdhënie strategjike konstruktive dhe të qëndrueshme, të bazuar në respekt, drejtësi dhe barazi.

Përpara mbërritjes së Trumpit, Vladimir Putin zhvilloi rreth dy orë bisedime me presidentin kinez. Dy vendet kanë forcuar vitet e fundit bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak.

Xi Jinping e përshkroi marrëdhënien mes Kinës dhe Rusisë si të qëndrueshme, duke deklaruar se ajo është «e fortë si mali dhe e palëkundur nga stuhitë».

Takimi i tre presidentëve konsiderohet një moment me rëndësi të veçantë për diplomacinë ndërkombëtare, ndërsa mbetet për t'u parë nëse bisedimet do të sjellin marrëveshje konkrete për konfliktet dhe tensionet që po përballon bota./dritare.net