
Nga Alba Malltezi
Revolucionarët e vertetë, ata që sjellin ndryshimin real për një shoqëri, nuk humbin asnjëherë busullën e Qëllimit të mirë. Dhunë, shkatërrime, poshtërime, distancime nga politika e vjetër, zerohen nëse nuk mbajnë fiks në horizont, të qartë e të dukshëm si perëndimi në një ditë të bukur pranvere i diellit, qëllimin e mirë për ndryshimin në shoqëri.
E di mirë këtë Edi Rama, i cili, edhe pse mbi karrocën e një pushteti të bombarduar nga të gjitha anët, u tregon shqiptarëve vetëm një drejtim: Integrimin në Bashkimin Europian, që do të thotë të barabartë në shoqërinë më të përparuar e dinjitoze që mendja njerëzore ka arritur të realizojë që në kohë të kohëve.
Gjë që e harron përherë Sali Berisha, i zhytur edhe në perëndim të viteve të tij në një urrejtje patologjike për këdo që është ndryshe nga ai. Dhe tërheq me vete në këtë humnerë këdo që i rri afër, i cili, sado me mundim ta ketë ndërtuar qytetërimin e tij, bie, zhytet, harrohet në greminën e madhe të shkatërrimit të kundërshtarit.
Është pikërisht mungesa e Qëllimit të mirë, të qartë dhe të lexueshëm për shqiptarët, te maskat dhe protestuesit që shohim rrugëve të Tiranës. Cilët janë dhe ku duan të shkojnë? A mjafton denigrimi, ofendimi, shkatërrimi shpesh i ushqyer nga i njëjti material që zhyt në humnerë të sipërpërmendurit berishianë? Apo duhet qartësia e projektuar në muret dhe mëndjet e kryeqytetasve dhe shqiptarëve si dita me e bukur që ndonjëherë kemi parë?
Rrugëve të Tiranës ofrohet modeli i një sipërmarrësi call centerash që ne shqiptarët e kemi provuar dhe e njohim më mirë se kushdo se ç’do të thotë? Apo marksistë-leninistë në modë në Universitetet më të mira të botës që nga mërzia e kapitalizmit nuk dinë ç’gjë tjetër të propozojnë? Shqipëria e vogël e ka provuar edhe makrksizëm leninizmin në kurrizin e saj, njësoj si call centerat poshtëruese. Shqipëria e di mirë se ç’do të thotë një filozofi utopike në duar njerëzish të korruptueshëm, ndaj nuk beson.
Pastaj vijnë OJF-të, OJQ-të e të drejtave të njeriut, e fëmijëve, e personave me aftësi të ndryshme. A e kanë gjetur një derë të hapur shqiptarët tek ato? A e kanë parë të shpalosur ndër vite të qartë Qëllimin e mirë të ndihmës dhe të zemrës mikpritëse? A e kanë parë transparencën e punës së tyre dhe e menaxhimit të fondeve prej tyre?
Nuk jam unë ajo që duhet të gjykoj apo të tregoj. Puna e të gjithëve është e skalitur si jo më mirë në eterin tonë të përbashkët, në të dukshmen, por sidomos në të padukshmen e të pathënën as me fjalë, që shpesh ka më shumë peshë.
Në Shqipëri, ashtu si kudo, do të ecë përpara, do të fitojë, do të pranohet kush, sa më qartë, me punë dhe vendosmëri do të prezantojë Rëndësinë e qëllimit të mirë të prekshëm e të përqafueshëm për shumicën. Gjeni një qëllim të mirë dhe pastaj sillni një ndryshim./dritare.net