Kaos me bankat në SHBA, mijëra klientë nuk hyjnë dot në llogaritë e tyre!
Dritare.net

Mijëra klientë të disa prej bankave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përballur këtë të hënë me probleme në aksesimin e llogarive të tyre bankare përmes internetit. Sipas agjencisë Associated Press, ndërprerjet e shërbimeve online kanë prekur klientë të bankave Chase, Bank of America, Wells Fargo, U.S. Bank dhe Truist, ndërsa probleme janë raportuar edhe me platformën e transfertave të parave Zelle.
Platforma Downdetector, e cila monitoron ndërprerjet e shërbimeve digjitale, regjistroi mijëra ankesa nga përdoruesit, të cilët raportuan vështirësi në hyrjen në llogaritë e tyre, kontrollin e gjendjes bankare dhe kryerjen e transfertave. Rreth orës 14:00, sipas orës lindore të SHBA-së, ishin regjistruar mbi 4,700 raportime për Chase, rreth 2,000 për Bank of America dhe afërsisht 1,000 për secilën prej bankave U.S. Bank dhe Wells Fargo.
Banka Chase konfirmoi se problemet lidheshin me një defekt teknik dhe jo me një sulm kibernetik.
“Për shkak të një problemi teknik, disa transaksione po kërkojnë më shumë kohë se zakonisht për t'u përfunduar, por klientët vazhdojnë të kenë akses në llogaritë dhe fondet e tyre. Po punojmë për ta zgjidhur problemin sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi një zëdhënës i bankës.
Ndërkohë, U.S. Bank sqaroi se sistemet e saj nuk ishin prekur drejtpërdrejt, por klientët që përdornin Zelle për të dërguar ose marrë para nga institucione të tjera financiare mund të përballeshin me vonesa.
Edhe Wells Fargo konfirmoi probleme me shërbimin bankar online, duke njoftuar se klientët mund të përdornin bankomatet, degët fizike dhe shërbimin telefonik.
Kjo situatë vjen vetëm pak ditë pas një ndërprerjeje të madhe të shërbimeve të Microsoft, që preku platforma si Outlook, Teams dhe Copilot, si dhe pas problemeve teknike që shkaktuan ndërprerje të trafikut ajror në SHBA. Nuk ka prova që këto ngjarje të jenë të lidhura me njëra-tjetrën.
Deri në raportimet e fundit, nuk ishte konfirmuar ende rikthimi i plotë i të gjitha shërbimeve bankare./dritare.net