Na ndiqni edhe në

Opinione

“Oxhaku” i Mero Bazes dhe “Oxhaku i Këlcyrës”

“Oxhaku” i Mero Bazes dhe “Oxhaku i Këlcyrës”

Nga Roland Qafoku

Ata që kanë sado pak njohuri për familjen Këlcyra e dinë mirë që prej vitesh Mero Baze është shndërruar në një kujdestar i historisë së tyre të vjetër, por edhe të historisë së re. Pinjolli i fundit të asaj familje, Hëna Këlcyra, ka si njeriun më të afërt “Zotin Mero Baze” siç e thërret atë bejleresha me të folurën aristokrate. Në shtëpinë e tij ndodhet një kënd muze me disa objekte personale të Ali Këlcyrës: Skrivania ku shkruante ato fjalimet që e kthyen në oratorin më të madh në historinë e parlamenti shqiptar; Makina e shkrimit ku shtypte fjalime, veçanërisht sa e sa shkrime të botuara nëpër gazeta; Gramafoni ku Ali beu dëgjonte këngë nga disqet origjinale të stivuara po aty; Një numër librash të vjetër me vlerën e një thesari që çdo bibliofil do të donte ti kishte; Fotografi të familjes Këlcyra të stampuara me rezolucion të lartë e të kornizuara për merak dhe që zënë një faqe muri. Kur e shikon, të ngjan si një oxhak si ata që dikur gëlonin nga zjarri me kërcunj drush të vendosur kryq, por që tani flaka e shuar është zëvendësuar në një minimuze në kujtim të familjes së madhe Këlcyra, ose siç quheshin dikur Oxhaku i Këlcyrës. Sot nga familja që bëri emër ndër shekuj fatkeqësisht kemi vetëm gërmadhat e Sarajeve ndanë Grykës së Këlcyrës, ornamente që ka lënë Ali beu dhe Hënën 91-vjeçare që për fat, prej dy dekadash dëshmon e dëshmon pa u lodhur historinë e paraardhësve të vet. Në një mënyrë apo tjetër, ajo konfirmon atë që shkruante Mark Twain se një kujtesë e pastër është shenjë e kujtimeve të këqia. Ka shumë lavdi të lënë pas nga kjo familje, por më shumë ka lënë trishtim, vuajtje, e deri në shuarje dalëngadalë të një geni nga më të mirët në Shqipërinë tonë.

“Oxhaku” i Mero Bazes dhe “Oxhaku i Këlcyrës”

Ndërkaq, janë referenca me vlerë të veçantë të një aradhe punësh me intervista, shkrime e fotografi që Mero Baze i ka realizuar dhe botuar posaçërisht për familjen Këlcyra. Por e gjithë kjo përkujdesje nuk do kishe fare vlerë nëse ai që ne e quajmë nga më prodhimtarët e medias, të mos botonte një libër kushtuar Oxhakut të Këlcyrës. Dhe befas, ai, që ka zellin të shkruajë, si askush tjetër, çdo ditë një editorial në gazetën “Tema” për “Edi Ramën që nuk po zgjidh dot krizën”, për “Sali Berishën që po e tërheq zvarrë atë PD”, apo “Erion Veliaj si kundërshtar i pushtetit, por i burgosur i shtetit”, ka gjetur kohën e artë të na sjellë edhe një vepër shteruese për Këlcyrajt. Më saktë, për një familje të madhe që ndonëse tymi nuk i del më në oxhak që nga viti 1914 kur grekët ia dogjën sarajet, pas kanë lënë një zjarr historie që nuk i shuhet.

Dhe për ta askush tjetër më mirë se Mero Baze nuk mund të shkruante me kaq dëshirë, pasion, dashuri, saktësi, por mbi të gjitha me realizëm historinë e tyre. Libri “Oxhaku i Këlcyrës” i botuar nga “UET Press” është një histori shteruese nga viti 1300 deri më sot. Por përveç zellit si gazetar dhe autor, Mero Bazes duket se i ka thirrur edhe gjaku i të parëve që sipas pemës gjenealogjike të familjes Këlcyra rezulton se rrjedh nga linja e Hysen beut, një nga dy djemtë e Jakup beut, të parit të familjes Këlcyra që jetoi në fund të viteve 1300. Dhe pasi lexon 400 faqe për 700 vjet histori, mendimi i parë që të vjen në mend është se pas tij, askush nuk mund të shkruajë më qoftë edhe një broshurë.

Mbështetur në dokumente, shkresa zyrtare, gazeta të kohës por edhe rrëfime ekskluzive që i ka realizuar vetë, Mero Baze ka sjellë të plotë në kuptimin real të fjalës, për herë të parë, gjithçka, për familjen e parë, të këtyre përmasave në Shqipëri, historinë e tyre.

“Oxhaku” i Mero Bazes dhe “Oxhaku i Këlcyrës”

Realisht me këtë libër, Baze i ka ngritur një monument familjes Këlcyra. Duke shkruar historinë e 17 brezave, që nga i pari Jakup beu që u shndërrua në mysliman dhe la pas mbiemrin Muzaka, e deri te Hëna Këlcyra që jeton sot, ai na sjell edhe një copë histori Shqipërie.

Megjithatë, ai nuk i ka bërë pjesëtarët e saj as më të mirë dhe as më të këqij. Ai i sjell Këlcyrajt siç ishin. Në libër ata rezultojnë me kontribute të jashtëzakonshme për historinë e vjetër dhe të re, veçanërisht për shtetin shqiptar që kulmon me momentin ikonik të shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Kontributi i tyre vijon me elementë të mirëfilltë aristokratë duke i dhënë Shqipërisë traditë familjare, kulturë, arsimim dhe civilizim. Por mes Këcyrajve, kishte edhe bejlerë dhespotë e deri të pamëshirshëm ndaj popullsinë vendase në shumë raste. Disa syresh aplikonin jo rrallë zhvatjet e deri vrasje, e të tjerë ishin të përfshirë edhe në skandale seksuale. Pikërisht shumatorja e të gjitha këtyre e bëjnë këtë libër, një vepër të vërtetë.

Pjesa kulmore e librit është djegia e Sarajeve. Sakrifica në emër të patriotizmit dhe dashurisë për Shqipërinë përkundrejt djegies dhe shkatërrimit të sarajeve disashekullore, nuk ka një të dytë në histori. Sot mund të themi se fjala saraje i rri ngushtë atyre godinave. Gjithçka atje ishin një kompleks gjigand godinash me mure të larta dhe themele të thella që të vendosura në kodrën shkëmbore mund ta quash ndryshe edhe një kala moderne. Mjafton të përmendim se përveç familjes së madhe Këlcyra, aty jetonin edhe 180 trima që shërbenin si roje dhe menaxherë të çifligut Këlcyra. Ekspasioni grek i vitit 1914 ishte i tillë që të parit të Oxhakut të Këlcyrës, ushtarakët e qeverisë së Zografit, i vunë kushtin të pranonte që kufiri mes Greqisë dhe Shqipërisë të ishte pikërisht aty ku ishin sarajet e tij. Refuzimi i prerë i tij solli gjëmën duke djegur dhe shkatërruar plotësisht. Sot çdokush që është nga ajo zonë ta tregon me saktësi se si grekët i dogjën sarajet. Ndërsa mua, mes shumë e shumë rrëfimeve të gjyshes sime nga Përmeti, më mbetet ende në memorie fraza e saj se “greku ishte fara më e keqe mbi dhe, sepse, jo vetëm vriste, grabiste, por edhe digjte dhe shuante gjithçka”. Këtë piskamë ajo e kishte nga historia e djegies së sarajeve të Këlcyrës. Mero Baze ka mjeshtërinë që këtë histori ta sjellë në libër si një epope më vete, jo si një ngjarje kronologjike. Këtu qëndron mjeshtëria dhe aftësia e tij.

Besoj se çdokush që e lexon duhet ta pëlqejë fakti që në libër Baze nuk është mjaftuar me rrëfime dhe dokumente dhe të mbetet skllav i tyre. Ai ka bërë verifikime dhe ka nxjerrë përfundime ndryshe nga disa gojëdhëna apo edhe gazeta të kohës. Kështu Baze hedh poshtë historinë legjendë se një djalë 13-vjeçar i familjes Këlcyra vrau 12 burra se i prenë rrugën të ëmës së tij. Më “e bukur” akoma është vrasja e Xhelal bej Këlcyrës nga një banor i zonës që në fakt sipas Bazes nuk rezulton e tillë. Mu kujtua dikur një shkrim i Mitros Çelës “për vrasjen e beut të Këlcyrës”, të cilit pas këtij investigimi i duhet të hedhë poshtë gjithë tregimtarinë orale të familjes.

Por siç është në stilin e Mero Bazes që më shumë dyshon se sa beson, në libër ai e ka ngritur shumë stekën duke hedhur poshtë edhe çfarë ka shkruar dikur Faik Konica. Me këtë që nxjerr në dritë i bie që Baze ka përgënjeshtruar gazetën “Albania” afro 130 vjet më pas. Ndonëse me vonesë rekord, Mero Baze shkruan i bindur që ka qenë e shkruar gabim. Të imagjinosh sot se si do bënte sherr në gazetë Mero Baze me Faik Konicën nëse do ishin bashkëkohës, do të thotë të kesh fantazi të shfrenuar. Ama nuk mund të thotë kush se nëse do ndodhte, nuk do ishte përplasje e bukur brirësh mes atyre që nuk ia përtojnë këtij stili dhe shpesh, si Konica atëherë dhe Baze sot, kur zemërohen, e ngjyejnë penën në acid.

Besoj se për një lexues pjesa më e vështirë nuk është pjesa e parë e librit, por emrat dhe mbiemrat me martesat e pa fund nëpër tekst që unë e them shpesh “më zë makina”. Merret me mend që një lexues i thjeshtë çfarë mendon kur lexon në libër “Muhamet Beu e kishte Ali Këlcyrën edhe djalë vëllai, edhe baxhanak, me gratë motra”. Por ky është “faji” i tyre dhe jo i Mero Bazes si autor. Megjithatë, fakti që përveç familjes Këlcyra, në libër janë të gjitha lidhjet, prejardhjet, krushqitë, martesat, divorcet, apo edhe miqësitë me familjet e tjera si Tepelena, Vrioni, Vlora, Toptani, Vërlaci, Biçaku, Libohova, etj., e bën librin me interes të zgjeruar. Për dikë që rrjedh prej tyre i lexon që ç’ke me të emër për emër. Në këtë aspekt Baze nuk ka treguar përtaci ti shmangë, apo t’i eliminojë qoftë edhe një emër apo mbiemër të vetëm. Pikërisht këtu qëndron edhe vlera e librit.

Megjithatë, për këtë libër mendoj se ka vend edhe për diskutime, madje edhe debate. Së pari, Baze shkruan se Veli Këlcyra ishte firmëtar i Proklamatës së Pavarësisë, kur në fakt ai ishte delegat dhe jo firmëtar. Arsyetimi shtrohet se derisa ishte caktuar të firmoste, por nuk arriti në kohë për shkak të vonesës, ai quhet firmëtar. Personalisht mendoj se ta që kanë gërvishtur me penën e ngjyer me bojë në atë dy fletëshe blloku në atë 28 nëntor janë vetëm 40 frymë dhe nuk do ishte korrekte të shtonim edhe ata, të cilët për arsye nga më të ndryshme, nuk firmosën sepse mbërritën me vonesë. Se kështu i bie që duhet të quajmë firmëtarë të 83 delegatët që në fakt nuk ishin. Por kjo që shkruan Baze është një arsye jo e vogël për të zhvilluar një debat publik për 40-tëshen e firmëtarëve dhe 83 delegatëve duke parashtruar disa pyetje: Përse nuk firmosën Isa Boletoni, Veli Këlcyra e të tjerë? A mund ti quajmë ata firmëtarë për faktin se ishin caktuar si të tillë por nuk hodhën firmë se mbërritën në Vlorë me vonesë? Gjithsesi, kjo nuk zhbën asnjë grimë kontributin e Veli beut në atë kohë dhe për Pavarësinë. Bashkë me 82 delegatët e tjerë, ai hyn te ata shqiptarë që na lanë trashëgim një shtet.

Së dyti, personalisht prisja që Baze ti jepte rëndësi të madhe në këtë libër marrëveshjes së shumëdiskutuar Dalmazzo-Këlcyra. Në fakt, ai e ka sqaruar në librin “Ali Këlcyra, tribuni i papranuar”, por pa e quajtur përsëritje, unë do doja që duhej trajtuar edhe në këtë libër. Kundërshtarët dhe armiqtë e familjes Këlcyra i kanë vënë si damkë pikërisht atë marrëveshje të Luftës së Dytë Botërore. E vërteta është se aty nuk ka asnjë firmë. Por pikërisht për këtë arsye duhej trajtuar edhe në librin e ri sepse akuza ndaj Aliut u është ngulitur në kokë jo vetëm amatorëve të historisë, por çuditërisht edhe atyre që paguhen si profesionistë.

Në fund, por jo për nga rëndësia, historia e jetës së Hëna Këlcyrës në kapitullin e fundit, është e shkruar me 5 yje. Rrjedh si një skenar filmi, me copëza jete që të tërheqin si magnet dhe të mbajnë lidhur me tekstin. Prisja “happy end” siç bëjnë regjisorët e Hollywood, por rezultoi e kundërta. Për këdo që lexon faktin se ia kanë marrë të dy shtëpitë në Vjenë ndjen trishtim dhe keqardhje dhe mendja të shkon te një fallxhore që paska parashikuar mallkim për të. Duke qenë femër dhe fakti që nuk krijoi familje, Hëna Këlcyra mbetet guri i fundit i kalasë së rrëzuar Këlcyra. Dhe kjo të krijon një ndjesinë jo të mirë se si po shuhet një nga familjet më të mëdha në Shqipëri. Por ama, në historinë e re të familjes Këlcyra dy gjëra vlejnë shumë: Bravo Mero Bazes që është kujdesur për Hënën në pleqërinë e saj dhe bravo e madhe po Mero Bazes që ka nxjerrë këtë botim! Thjesht, ky libër është një oxhak për Oxhakun e Këlcyrës./dritare.net