Maratona e Tiranës mbledh 5800 garues! Ja rrugët që janë bllokuar!
Dritare.net

Edicioni i dhjetë i Maratonës së Tiranës ka nisur këtë të diel, 15 nëntor, në orën 08:00, me pjesëmarrjen e rreth 5800 garuesve.
Risi e këtij edicioni është përfshirja e garës prej 5 kilometrash, e cila synon të nxisë pjesëmarrjen e sa më shumë qytetarëve në këtë aktivitet sportiv.
Për organizimin e maratonës janë angazhuar prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, ndërsa për mbarëvajtjen e aktivitetit janë mobilizuar 800 efektivë policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.
Zhvillimi i maratonës ka sjellë kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, të cilat do të vijojnë deri në orën 16:00.
Të bllokuara për automjetet do të jenë Unaza e Vogël, bulevardi “Zogu i Parë”, Bulevardi i Ri, segmenti nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, rruga “Myslym Shyri”, zona e ish-Bllokut, si dhe disa kryqëzime që lidhin bulevardin me Rrugën e Elbasanit.
Kufizimet do të ndikojnë edhe në transportin publik, pasi disa linja të autobusëve urbanë do të devijojnë itineraret e tyre gjatë zhvillimit të maratonës./dritare.net