Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dorëheqja e Jensen Huang trondit industrinë e inteligjencës artificiale. Çfarë do të ndodhë tani!

Dorëheqja e Jensen Huang trondit industrinë e inteligjencës

Dorëheqja e Jensen Huang nga drejtimi i Nvidia-s, pas 33 vitesh në krye të kompanisë, ka ngritur shqetësime për të ardhmen e industrisë së inteligjencës artificiale. Largimi i tij, mes një skandali personal dhe një hetimi të bordit të kompanisë, vë në pikëpyetje marrëveshjet financiare që kanë mbështetur zhvillimin e vrullshëm të kësaj teknologjie.

Sipas një analize të CNN, Huang nuk ishte vetëm drejtuesi i një prej kompanive më të rëndësishme të prodhimit të çipave, por edhe një nga figurat kryesore që financonte dhe garantonte investimet miliardëshe në inteligjencën artificiale.

Nën drejtimin e tij, Nvidia u shndërrua në një mbështetëse të fuqishme financiare të kompanive teknologjike, duke investuar në qendra të dhënash, startup-e dhe biznese që përdorin çipat e saj.

Në gusht, kompania u angazhua të mbështeste me 105 miliardë dollarë një qendër të dhënash të OpenAI, ndërsa pritet të investojë 10 miliardë dollarë në ofertën fillestare publike të Anthropic. Nvidia zotëron gjithashtu një pjesë të rëndësishme të aksioneve të CoreWeave, një kompani që ofron kapacitete kompjuterike për inteligjencën artificiale.

Analistët e kanë cilësuar Nvidia-n si një lloj banke qendrore të industrisë së inteligjencës artificiale, pasi kompania jo vetëm prodhonte teknologjinë e nevojshme, por financonte edhe klientët që blinin produktet e saj.

Kjo strategji, e njohur si financim qarkullues, ka krijuar një rrjet të gjerë marrëveshjesh financiare, që tani mund të përballet me pasiguri.

Vetëm tre muaj më parë, Huang kishte mbledhur gjashtë institucione të mëdha financiare, përfshirë BlackRock, Goldman Sachs dhe KKR, për të mbështetur investime që synonin mobilizimin e mbi 500 miliardë dollarëve për industrinë e inteligjencës artificiale.

Megjithatë, marrëveshja nuk është përfunduar dhe analistët paralajmërojnë se largimi i Huang mund të sjellë rishikimin ose edhe dështimin e saj.

Nvidia ka njoftuar se drejtoresha financiare, Colette Kress, do të marrë përkohësisht drejtimin e kompanisë. Por ekspertët vlerësojnë se zëvendësimi i Huang do të jetë i vështirë, për shkak të rolit të tij të dyfishtë si njohës i teknologjisë dhe negociator i marrëveshjeve financiare.

Ndërkohë, Nvidia përballet edhe me konkurrencën e kompanive AMD dhe Broadcom, të cilat po zhvillojnë alternativa ndaj çipave të saj.

Pavarësisht pasigurive, kërkesa për inteligjencën artificiale mbetet e lartë. Të ardhurat e Anthropic gjatë tremujorit të tretë janë rritur me mbi 1,000% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, investitorët kërkojnë që shpenzimet miliardëshe të përkthehen në fitime konkrete.

Sipas analistëve të cituar nga CNN, rreziku më i madh për industrinë nuk lidhet me kërkesën për çipa, por me financimin. Pa mbështetjen dhe garancitë që Nvidia ofronte nën drejtimin e Huang, kompanitë më të vogla mund të përballen me vështirësi në sigurimin e kapitalit, duke ngadalësuar zgjerimin e industrisë së inteligjencës artificiale./dritare.net