Rama nga Dublini: Kemi një derë të hapur drejt BE-së, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Dublini se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit drejt Bashkimit Europian, ndërsa mbyllja e negociatave në fund të vitit 2027 mbetet një objektiv ambicioz, por i realizueshëm. Gjatë një bashkëbisedimi në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), Rama tha se vendi ka përpara një mundësi reale për t'u bërë pjesë e familjes europiane.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te zhvillimet politike në Serbi dhe marrëdhëniet me Kosovën, duke theksuar se pa normalizimin e tyre, Beogradi do të vazhdojë të përballet me problemet e së shkuarës. I pyetur për emigrimin e shqiptarëve, Rama pranoi se largimi i të rinjve mbetet një sfidë, por shprehu bindjen se situata do të ndryshojë kur Shqipëria të ofrojë kushte jetese të përafërta me mesataren e Bashkimit Europian.
Rama: Ekipi më kërkoi të zgjohesha në 6 të mëngjesit për të lënë Parisin dhe të mbërrij këtu për këtë bisedë. Mendoj ta bëjmë më pyetje dhe përgjigje, sepse mund të flas shumë gjatë. Jemi në një moment shumë përcaktues, sepse shohim jo vetëm horizontin, por edhe një derë të hapur si një mundësi reale për tu bërë pjesë e familjes europiane. Është moment kulminant, që nuk ka ekzistuar deri pak më parë. Gjërat që dukeshin të pamundura, ngjan se janë të mundura. Do ta kapim këtë moment dhe do të mund të kapërcejmë më në fund kufirin që na ka ndarë nga Europa prej shumë kohësh. Kjo është situata siç e shoh, në një moment kulmor, që nga ana jonë kërkon maksimumin për të përmbushur pritshmëritë e palës tjetër. Europa ka një proces të ndërlikuar vendimmarrje, kërkohen 27 vota. Aty ka një vend si Franca, që kërkon 2/3-tat e votave të parlamentit. Sot për sot jemi në rrugë të mbarë dhe çdo gjë po shkon sipas rregullave. Jemi dakord edhe me KE për këtë.
Pyetje: Mendoni se 2027-ta është objektiv realist për mbylljen e negociatave dhe çfarë mendimi keni për integrimin gradual?
Rama: Komisioni është i të njëjtit mendim, se fundi i 2027-ës është ambicioz, por i mundur. Integrimi gradual është diçka për të cilën unë vetë kam luftuar për kohë të gjatë para se një gjë e tillë të merrte formë. Jo vetëm, por edhe me kolegë të tjerë për t’i dhënë kuptim procesit të bazuar në meritë. Hendeku mes kandidatëve dhe anëtarëve sa i takon financave, ekonomisë dhe elementeve të tjera, hendeku bëhet gjithnjë e më i madh. Pranimi në mënyrë graduale është qasja e duhur. Plani i rritjes është pjesë e kësaj qasjeje.
Pyetje: Si i shihni zgjedhjet në Serbi, më para ata konsideroheshin si bllokues të integrimit të Ballkanit. Ka mundësi të reja pas kësaj?
Rama: Nuk është sekret se KE ka pasur probleme me qeverinë e mëparshme në Serbi. Çështje të shtetit të së drejtës dhe kërkesa të tjera thelbësore, por nga ana tjetër është shumë herët për të thënë diçka me saktësi me atë që vjen më pas. Serbia po kalon një eksperiment social me të ashtuquajturën Listë Studentore. Është diçka mjaft e re në shumë drejtime, por aq sa na takon ne shqiptarëve, duket se nuk ka ndonjë hapje sa i takon normalizimit me Kosovën, hapje për sanksionet me Rusinë apo ato që janë konsideruar si mbyllje me qeverinë e shkuar. Është ende herët. Nëse nuk ka normalizim me Kosovën, fantazma e së shkuarës do të vazhdojë ta ndjekë Beogradin.
Pyetje: Kush e ka vizituar Shqipërinë, sheh ndryshime materiale. Ka rritje të PBB, por edhe shumë shqiptarë që largohen. Pavarësisht se keni qenë shumë të suksesshëm, shumë shqiptarë u larguan…
Rama: Migracioni një herë e një kohë ishte e vetmja zgjidhje që shihnin qytetarët shqiptarë, ishte mënyra më e mirë për të ardhmen edhe për irlandezët në rastin tuaj. Kjo nisi të ndryshojë kur Irlanda nisi t’i japë një zgjedhje mes largimit dhe qëndrimit, ky moment do të vijë edhe për ne. Është një botë e re që të rinjve ju shkon përmes ekraneve të smartfoneve me ngjyra të bukura. Është e vështirë për të rinj që jetojnë në malësi të vendosin mes një të ardhmeje 1 orë larg, sesa të presë 10 vite. Shqiptarët kanë qenë gjithnjë njerëz që lëvizin dhe për gjysmë shekulli nuk na lejonin të lëviznim, edhe kjo duhet konsideruar. Ka edhe njerëz që po kthehen, do të ekuilibrohet kur Shqipëria do t’i ofrojë njerëzve diçka të ngjashme me mesataren e BE./dritare.net