Stuhia që po godet Evropën pritet të sjellë reshje të forta edhe në Shqipëri! Ja kur përkeqësohet moti
Dritare.net
Shqipëria pritet të përballet me një përkeqësim të kushteve atmosferike gjatë ditëve në vijim, me reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe ulje të temperaturave në fundjavë.
Sipas parashikimeve meteorologjike, e premtja, 13 nëntor, pritet të sjellë reshje shiu në disa zona të vendit, ndërsa përkeqësimi më i ndjeshëm parashikohet të shtunën, më 14 nëntor.
Sistemet e fuqishme atmosferike që po lëvizin drejt Ballkanit do të shkaktojnë reshje intensive në pjesë të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Gjatë së enjtes dhe së premtes priten vranësira, reshje lokale dhe temperatura relativisht të larta për këtë periudhë të vitit. Ndërsa të shtunën, afrimi i një fronti të ftohtë atmosferik pritet të sjellë intensifikim të reshjeve, erëra të forta dhe rënie të temperaturave.
Sipas parashikimeve aktuale, moti pritet të nisë përmirësimin gradual gjatë së dielës, 15 nëntor.
Ndërkohë, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka parashikuar reshje shiu dhe shtrëngata lokale edhe gjatë kësaj të marte, veçanërisht në veriperëndim dhe jugperëndim të vendit.
Meteorologët theksojnë se parashikimet mund të ndryshojnë gjatë ditëve në vijim, për shkak të lëvizjes së sistemeve atmosferike mbi Evropë dhe Mesdhe./dritare.net