Rama flet për lirinë: Në moshën 26-vjeçare më duhej të luftoja për të kapërcyer kufirin
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Forumin e Paqes në Paris, në bashkëbisedimin "Europe's Shared Future: Enlargement and the Next Generation", kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të ardhmes së brezit të ri. Pas pyetjeve të moderatores, fjala iu dha auditorit, ku një i ri e pyeti kryeministrin se çfarë është liria për të.
Pyetja u nis nga një mendim i filozofes shqiptare Lea Ypi: "Përmendët më parë që Shqipëria ka aspiratën për t'u bërë pjesë e projektit të Europës. Megjithatë një nga profesoret tuaja shqiptare, Lea Ypi, thotë 'liria është si e përkufizojmë lirinë'. Çfarë është liria? Si e përkufizoni ju lirinë në kuadër të projektit europian?"
Rama pranoi në fillim se nuk e kishte kuptuar plotësisht pyetjen, por iu përgjigj duke kujtuar vitet kur Shqipëria ishte e mbyllur dhe kalimi i kufirit ishte i ndaluar. Ai e lidhi lirinë me mundësinë për të lëvizur, për të folur dhe për të shprehur mendimin, duke e krahasuar moshën e të riut që e pyeti me moshën kur ai vetë luftonte për të parë botën përtej kufirit.
"Unë e përkufizoj lirinë si mundësinë për të ardhur këtu e për të folur me ju, diçka që kur isha në moshën tuaj, pikërisht në moshën tuaj 26-vjeçare, më duhej të luftoja që të kisha mundësi të kapërceja kufirin e Shqipërisë për të parë botën. Kështu e përkufizoj unë lirinë. Të jem ku dua, të flas me kë dua, të them atë që mendoj sa më shumë të mundem, edhe pse në pozicionin që mbaj nuk them dot gjithçka dua", tha Rama./K.C/dritare.net



