Na ndiqni edhe në

Bota

Dënohet aktori Russell Brand për përdhunim dhe sulme seksuale, ja me sa vite burg!

Dënohet aktori Russell Brand për përdhunim dhe sulme seksuale, ja


Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është dënuar me 10 vite e gjashtë muaj burg, pasi u shpall fajtor për përdhunim dhe sulme seksuale ndaj katër grave. Vendimi u dha këtë të hënë, më 9 nëntor, nga Gjykata e Southwark në Londër.

Gjatë shpalljes së dënimit, gjykatësi Joel Bennathan e cilësoi 51-vjeçarin si një “grabitqar seksual”, duke kritikuar ashpër arrogancën e tij dhe mënyrën se si kishte abuzuar me famën për të ushtruar dhunë ndaj grave.

Brand u dënua me nëntë vite burg për përdhunimin e një 21-vjeçareje në vitin 2009, ndërsa mori dënime shtesë për tri sulme seksuale të kryera mes viteve 2004 dhe 2009.

Sipas gjykatës, fama dhe ndikimi i tij në industrinë e argëtimit e kishin mbrojtur për vite me radhë nga përballja me drejtësinë. Gjykatësi theksoi se njerëzit që e rrethonin gjatë kulmit të karrierës së tij kishin toleruar sjelljet e tij abuzive.

Gjatë seancës u dëgjuan edhe dëshmitë e viktimave, të cilat treguan pasojat e rënda psikologjike që kishin përjetuar. Njëra prej tyre deklaroi se kishte jetuar për vite me ankth dhe trauma, ndërsa një tjetër tha se vetëm dëgjimi i zërit të Brand në televizion i shkaktonte frikë.

Aktori nuk shfaqi asnjë reagim kur u shpall vendimi. Përpara se të shoqërohej drejt qelisë, ai iu drejtua bashkëshortes së tij, Laura Brand, e cila ndodhej në sallë, duke i thënë: “Të dua”.

Sipas legjislacionit britanik, Brand mund të lirohet pasi të ketë vuajtur dy të tretat e dënimit, rreth shtatë vite, ndërsa pjesën e mbetur do ta kalojë nën mbikëqyrje dhe kushte të posaçme. Ai do të regjistrohet gjithashtu në regjistrin e autorëve të veprave penale seksuale.

Akuzat ndaj tij u bënë publike fillimisht në vitin 2023, pas një hetimi gazetaresk të Sunday Times, The Times dhe emisionit Dispatches të Channel 4, që nxiti disa gra t'i drejtoheshin policisë.

Brand, dikur një prej figurave më të njohura të televizionit dhe komedisë britanike, u shpall fajtor pas një procesi gjyqësor katërjavor. Ai u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera për përdhunim dhe një për tentativë sulmi të pahijshëm./dritare.net