Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pesë familje në Dibër nga linja e Skënderbeut! Çfarë zbuloi ADN-ja!

Pesë familje në Dibër nga linja e Skënderbeut!

Studiuesi Gjergj Bojaxhi tha se testet e ADN-së kanë gjetur në Dibër të paktën katër deri në pesë familje që janë në të njëjtën linjë mashkullore me Kastriotët. Ai foli në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në Dritare TV.

Sipas tij, rezultatet tregojnë se linja e Kastriotëve kishte vatrën në zonën e Dibrës, në krahinën e Çidhnës dhe në fshatin Sinë. Bojaxhi theksoi se bëhet fjalë për një linjë mashkullore shqiptare, ilire, e jo sllave.

“Janë disa familje në atë zonë të cilët janë në të njëjtën linjë mashkullore me Kastriotët”, tha ai.

Bojaxhi shtoi se mund të ketë edhe familje të tjera, sepse nuk është testuar gjithë Dibra. Sipas tij, qëllimi nuk ishte testimi i gjithë zonës, por gjetja e mjaftueshëm rezultateve për të provuar se kjo linjë ka qenë aty dhe ka ende trashëgimtarë.

Studiuesi bëri një dallim të rëndësishëm. Këto familje janë pasardhëse të fisit të Kastriotëve, jo domosdoshmërisht të vetë Gjergj Kastriotit. “Trashëgimtarët janë të linjës së Kastriotëve, jo të Gjergj Kastriotit”, sqaroi ai. Sipas tij, fisi është më i gjerë dhe Gjon Kastrioti, babai i Skënderbeut, krijoi brenda tij linjën më të suksesshme politike e historike për shqiptarët.

Bojaxhi tha se artikulli shkencor për këtë studim është gati, por ende nuk është publikuar. Sipas tij, ka gjasa të dalë në një revistë historike, sepse revistat kanë standarde të rrepta etike. Një prej tyre është që çdo pjesëmarrës duhet të japë miratimin që rezultati i tij të përdoret në studim.

Në intervistë ai foli edhe për fenë e Kastriotëve. Sipas tij, në fillim ata kanë qenë katolikë dhe më pas, për shkak të aleancave, u bënë ortodoksë. “Kastriotët ishin shqiptarë dhe për ta feja ishte dyësore”, tha Bojaxhi.

Për projektin e ADN-së, ai tha se deri tani janë testuar mbi 2000 fise dhe se rezultati në nivel kombëtar është shumë i qëndrueshëm. Sipas tij, kushdo që dëshiron të bëjë testin mund të kontaktojë projektin “Rrënjët” në Facebook ose në faqen rrënjët.com./E.P-dritare.net