Arrestohet vëllai i Viktor Orbán, Áron Orbán dyshohet për trafikim të qenieve njerëzore
Dritare.net

Një operacion i autoriteteve hungareze ka vënë në shënjestër Áron Orbán, vëllain e ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán. Sipas raportimeve të mediave hungareze, ai dyshohet se është ndaluar nën dyshimin për trafikim të qenieve njerëzore.
Lajmi u bë publik nga kryeministri hungarez Péter Magyar, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi se, sipas informacioneve të mediave, vëllai i Viktor Orbán është ndaluar nga autoritetet. Ai bëri të ditur se hetimet po vijojnë nga Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë (NVVH) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (NNI).
Operacioni është zhvilluar në Budapest dhe në disa zona të qarkut Pest, ku policia ka kryer arrestime dhe kontrolle në banesa në kuadër të dy procedimeve penale.
Në qendër të hetimeve është edhe një çështje e dyshuar e ndërmjetësimit të paligjshëm për pajisjen me viza dhe leje qëndrimi të shtetasve të huaj, kryesisht nga Vietnami dhe Nepali.
Sipas hetimeve të publikuara më herët nga mediat hungareze, kompania e Áron Orbán dyshohet se ka ndihmuar shtetas vietnamezë të përfitonin viza Shengen përmes regjistrimit në një kurs dyditor në Universitetin e Pécs. Po ashtu, emri i tij është përmendur në lidhje me përpjekjet për të përshpejtuar procedurat e aplikimit për viza.
Mediat raportojnë se autoritetet kanë ndërmarrë veprime të reja hetimore edhe në një pronë të lidhur me kompaninë e tij, ndërsa disa persona të tjerë janë shoqëruar dhe banesat e tyre janë kontrolluar.
Ndërkohë, Viktor Orbán ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar çështjen si një përpjekje me sfond politik dhe duke pretenduar se objektivi është ai vetë, ndërsa vëllai i tij po përdoret si mjet në këtë përballje.
Autoritetet hungareze kanë paralajmëruar se do të japin më shumë detaje mbi operacionin dhe hetimet. Deri në këtë moment, ndalimi i Áron Orbán raportohet nga mediat dhe nga deklarata e kryeministrit Magyar, por nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga policia./L.F-dritare.net