Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

CEO i Nvidia pranon tradhtinë bashkëshortore, kompania nis hetim për dyshimet për spiunazh

CEO i Nvidia pranon tradhtinë bashkëshortore, kompania nis hetim

Një skandal ka përfshirë gjigantin amerikan të teknologjisë Nvidia, pasi drejtori ekzekutiv i kompanisë, Jensen Huang, ka pranuar se ka tradhtuar bashkëshorten e tij, ndërsa bordi drejtues ka nisur një hetim të pavarur për dyshimet se ai mund të jetë shënjestruar nga shërbimet e inteligjencës kineze.

Në një mesazh drejtuar punonjësve të kompanisë të dielën, Huang kërkoi falje për veprimet e tij, duke pranuar se kishte lënduar bashkëshorten dhe fëmijët. Ai mori përgjegjësinë për atë që kishte ndodhur dhe u shpreh se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin.

Çështja lidhet me Alice Huang, një biznesmene kineze dhe drejtuese në kompaninë Megaspeed, me bazë në Singapor, e cila dyshohet nga autoritetet amerikane se ka mbledhur informacione për Pekinin. Sipas raportimeve të The New York Times dhe Financial Times, ajo kishte krijuar një marrëdhënie të afërt me drejtuesin e Nvidia-s.

Dyshimet kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë kombëtare të SHBA-së, pasi Nvidia prodhon disa prej procesorëve më të avancuar të inteligjencës artificiale në botë. Këto teknologji janë objekt i kufizimeve amerikane të eksportit, të vendosura për të penguar kalimin e teknologjisë së avancuar drejt Kinës.

Bordi i Nvidia-s konfirmoi nisjen e një hetimi të pavarur, i cili do të drejtohet nga një komitet me anëtarë të pavarur dhe këshilltarë ligjorë të jashtëm. Kompania deklaroi se aktualisht nuk ka arsye të besojë se sekretet e saj teknologjike apo siguria kombëtare amerikane janë komprometuar, por se do të shqyrtojë të gjitha informacionet e disponueshme.

Presidenti amerikan Donald Trump komentoi gjithashtu çështjen, duke e cilësuar Huang si një person të mirë, por shtoi se nuk dihet gjithmonë se çfarë ndodh në prapaskenë.

Nga ana tjetër, qeveria kineze i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si një fushatë për të dëmtuar imazhin e Kinës.

Pavarësisht hetimit, Nvidia ka bërë të ditur se Jensen Huang do të vazhdojë të drejtojë kompaninë pa ndërprerje. Çështja mbetet nën hetim, ndërsa deri më tani nuk ka prova publike që konfirmojnë se informacione konfidenciale të kompanisë apo sekrete amerikane kanë kaluar në duart e autoriteteve kineze.