Alarm për ndotjen e ujit në Vlorë, analizat evidentojnë edhe ndotje fekale
Dritare.net

Situata me cilësinë e ujit të pijshëm në Vlorë merr përmasa shqetësuese. Analizat e kryera në depozitën e ujit të kopshtit nr. 10 kanë evidentuar prani të ndotjes fekale, ndërsa në Spitalin Rajonal të Vlorës raportohet për shtim të pacientëve me simptoma diarreje, mes tyre fëmijë dhe të rritur.
Shqetësimi u ngrit pas paraqitjes në spital të disa fëmijëve me probleme shëndetësore, pas konsumimit të ujit në një kopsht të qytetit. Analizat e para të mostrave të marra nga depozita kishin evidentuar prani të amoniakut dhe mungesë të klorit, ndërsa rezultatet e fundit kanë konfirmuar edhe ndotje fekale.
Prania e baktereve si E. coli në ujin e pijshëm mund të jetë tregues i ndotjes fekale dhe përbën rrezik për shëndetin publik. Megjithatë, ende mbetet për t'u sqaruar nëse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes ndotjes së ujit dhe shtimit të rasteve me probleme gastrointestinale.
Situata kërkon transparencë dhe reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse. Qytetarët presin përgjigje të qarta mbi sigurinë e ujit të pijshëm, shkaqet e ndotjes dhe masat që do të merren për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe të gjithë banorëve të qytetit./L.F-dritare.net