Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjoba e parë 500 mijë lekë pas protestës! 4 të arrestuar dhe 7 nën hetim për dhunën te Kryeministria!

Gjoba e parë 500 mijë lekë pas protestës! 4 të


Për herë të parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të reja ligjore për tubimet, një protestues në Tiranë është ndëshkuar me gjobën maksimale prej 500 mijë lekësh të reja. Masa është vendosur pas protestës së të shtunës, më 7 nëntor, e cila u shoqërua me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Sipas Policisë së Shtetit, personi i gjobitur, i veshur me një xhup të bardhë dhe i maskuar me kapuç, dyshohet se ka hedhur gurë në drejtim të efektivëve dhe godinës së Kryeministrisë. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të policisë për të ndërprerë veprimet e dhunshme dhe për t'u shpërndarë, ai nuk është bindur.

Gjoba prej 500 mijë lekësh është një nga 12 masat administrative të vendosura në zbatim të Aktit Normativ të 28 tetorit 2026, i cili parashikon ndëshkime më të ashpra për shkeljet gjatë tubimeve.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

"Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash; arrestohen 4 shtetas, procedohen penalisht 7 të tjerë.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kanabis, një send metalik shpues, mjete për të hedhur gurë dhe sfera metalike, një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.

Vendosen 12 masa administrative në bazë të Aktit Normativ, njëra prej tyre në vlerën 500 000 lekë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:

K. N., 24 vjeç, M. K., 19 vjeç, B. M., 19 vjeç dhe Z. N., 34 vjeç.

Gjithashtu, u proceduan penalisht 7 shtetas.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit K. N. iu gjetën një sasi lënde narkotike kanabis dhe një send metalik shpues, ndërsa gjatë kontrollit të banesës iu gjetën një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.

Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 12 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të djeshëm.

Njëra prej masave administrative, në vlerën 500 000 lekë, është vendosur ndaj një shtetasi, i cili, i maskuar me kapuç, ka kryer veprime të dhunshme, duke goditur me gurë në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë. Punonjësit e Policisë i kanë bërë disa thirrje për ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe shpërndarjen e tubimit, por ai nuk i ka respektuar këto thirrje.

Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net