Cila është mënyra më e thjeshtë për të mësuar një gjuhë të huaj? Ja çfarë zbulon shkenca!
Dritare.net

A mund të mësojmë një gjuhë të huaj në vetëm 30 ditë, siç premtojnë shumë aplikacione? Një eksperiment i realizuar nga studiuesit e Universitetit të Lancasterit në Britaninë e Madhe tregon se truri ynë mund të përvetësojë fjalë dhe struktura të reja shumë shpejt, por zotërimi i një gjuhe kërkon shumë më tepër kohë.
Gazetarja e BBC-së, Krupa Padhy, iu nënshtrua një eksperimenti gjashtëditor për të mësuar elemente të portugalishtes dhe gjuhës mandarine, duke ushtruar vetëm 30 minuta në ditë.
Rezultatet ishin befasuese. Pas tri ditësh, ajo arriti një saktësi prej 90-100% në ushtrimet e portugalishtes, ndërsa në mandarinisht arriti të identifikonte saktë deri në 80% të fjalëve të krijuara për eksperimentin. Megjithatë, shqiptimi i toneve të mandarinishtes rezultoi shumë më i vështirë.
Sipas studiuesve Patrick Rebuschat dhe Padraic Monaghan, truri i njeriut ka aftësinë natyrore të dallojë modele dhe përsëritje në gjuhë, duke kuptuar gradualisht domethënien e fjalëve edhe pa shpjegime të drejtpërdrejta.
Por a mjaftojnë disa minuta në ditë për të folur rrjedhshëm një gjuhë të huaj?
Ekspertët thonë se jo. Edhe në programet intensive të mësimit të gjuhëve, ku studentët studiojnë deri në shtatë orë në ditë, mund të nevojiten rreth 64 javë për të arritur një nivel bazë profesional në disa gjuhë.
Teknologjitë e reja, përfshirë inteligjencën artificiale, aplikacionet dhe realitetin virtual, mund ta lehtësojnë procesin e të mësuarit. Megjithatë, ato nuk mund të zëvendësojnë plotësisht komunikimin me njerëzit, i cili është thelbësor për të kuptuar shprehjet, kulturën dhe nuancat e një gjuhe.
Përfundimi i studiuesve është se mënyra më efektive për të mësuar një gjuhë të huaj është ndërthurja e ushtrimeve të vazhdueshme, teknologjisë dhe komunikimit të drejtpërdrejtë. Truri mund t'i mësojë shpejt bazat, por rrjedhshmëria kërkon praktikë të qëndrueshme për muaj apo vite./dritare.net