Na ndiqni edhe në

Bota

Trump sulmon demokratët që duan të ndalojnë inteligjencën artificiale: Janë budallenj, po refuzojnë pasurinë!

Trump sulmon demokratët që duan të ndalojnë

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se vetëm një udhëheqje “budallaqe” do t’u thoshte “jo” pasurive që sjell inteligjenca artificiale. Deklarata erdhi në një kohë kur tregjet amerikane po goditen nga frika se zhvillimi i kësaj teknologjie mund të ngadalësohet.

“Si President, jam 100% pro Super Inteligjencës dhe do punoj me shumë shtete të SHBA-së që duan të pasurohen duke i pasur ato. Ato janë flori dhe vetëm një udhëheqje budallaqe do t’u thotë ‘jo’ pasurive që sjellin!”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.

Me “ato” Trump u referohej qendrave të të dhënave (data centers), ndërtesave të mëdha me kompjuterë që mbështesin zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Postimi erdhi pas zgjedhjeve të mesit të mandatit të së martës, ku shumë kandidatë demokratë fituan duke bërë fushatë kundër këtyre qendrave. Disa prej tyre, në nivel kombëtar dhe shtetëror, kanë kërkuar ndalimin e ndërtimit të tyre. Kundërshtimi ndaj qendrave të të dhënave është rritur në SHBA për shkak të konsumit të lartë të energjisë dhe ujit. Nju Jorku ka vendosur që në korrik një moratorium njëvjeçar për qendrat e mëdha, ndërsa Teksasi pezulloi në gusht miratimet për projekte të reja.

Tregjet reaguan me rënie të fortë. Indekset S&P 500, Nasdaq dhe Russell 2000 regjistruan ditën më të keqe që nga prilli 2025, ndërsa Nasdaq hyri në atë që ekspertët e quajnë “korrigjim”, një rënie mbi 10% nga niveli më i lartë. Rënia kishte nisur edhe para zgjedhjeve, e nxitur nga raportet zhgënjyese të fitimeve të kompanive të teknologjisë dhe nga shqetësimi se investimet e mëdha në inteligjencë artificiale po e tejkalojnë fitimin që sjellin. Pritja e një fitoreje të demokratëve e shtoi më tej këtë frikë.

Trump fajësoi demokratët për vuajtjet e tregut të aksioneve.