Na ndiqni edhe në

Shëndet

Pse na hahet diçka e ëmbël para gjumit? Shkenca shpjegon arsyet

Pse na hahet diçka e ëmbël para gjumit? Shkenca shpjegon arsyet

Keni ngrënë darkë, ndiheni të ngopur, por vetëm gjysmë ore më vonë e gjeni veten përpara frigoriferit duke kërkuar diçka për të ngrënë? Nuk jeni të vetmit. Studimet tregojnë se rreth një në tre persona konsumon ushqime pas darkës çdo mbrëmje, ndërsa te të rinjtë e moshës 18-24 vjeç, katër në pesë e kanë të vështirë t'i rezistojnë këtij tundimi. Por pse na shtohet dëshira për të ngrënë në mbrëmje, edhe kur nuk jemi të uritur?

Sipas një analize të BBC-së, përgjigjja lidhet me hormonet, mënyrën si funksionon truri dhe zakonet tona të përditshme. Dietologia Kristine Beaulieu paralajmëron se ngrënia pak përpara gjumit mund të ndikojë në peshën trupore. Sipas saj, studimet tregojnë se sa më shumë ushqim të konsumohet gjatë dy orëve para gjumit, aq më të larta janë gjasat për shtim në peshë dhe obezitet.

Pse uria shtohet në mbrëmje?

Studiuesit kanë zbuluar se oreksi ynë arrin natyrshëm kulmin gjatë mbrëmjes, pavarësisht sasisë së ushqimit që kemi konsumuar gjatë ditës. Profesori James Betts, nga Universiteti i Bath-it, shpjegon se një nga arsyet kryesore është grelina, hormoni që stimulon urinë, nivelet e të cilit priren të jenë më të larta në orët e vona të ditës. Megjithatë, rëndësi ka edhe përmbajtja e darkës. Ushqimet e pasura me proteina dhe fibra na mbajnë të ngopur për më gjatë, ndërsa një darkë jo mjaftueshëm ushqyese mund të shkaktojë uri pak orë më vonë. Një tjetër faktor është zakoni. Sipas profesoreshës Suzanne Higgs, nga Universiteti i Birminghamit, njerëzit që konsumojnë rregullisht ushqime ndërsa shohin televizor mund të ndiejnë dëshirën për të ngrënë sapo ndezin televizorin, edhe nëse janë të ngopur.

Pse çokollatat dhe ëmbëlsirat na tërheqin më shumë natën?

Shkencëtarët shpjegojnë se në mbrëmje rritet jo vetëm oreksi, por edhe dëshira për ushqime me shumë kalori, veçanërisht ato të pasura me sheqer dhe yndyrë. Kjo ndodh për shkak të sistemit të shpërblimit në tru, i cili na shtyn të kërkojmë kënaqësi përmes ushqimit, edhe kur organizmi nuk ka nevojë për energji shtesë. Për këtë arsye, mund të dëshirojmë një copë çokollatë apo një ëmbëlsirë menjëherë pas darkës, pavarësisht se ndihemi plotësisht të ngopur.

A ndikon ngrënia para gjumit në cilësinë e gjumit?

Ekspertët thonë se provat shkencore nuk janë ende përfundimtare. Konsumimi i vakteve të mëdha gjatë natës mund të ndikojë në tretje dhe në përgatitjen natyrale të trupit për gjumë. Disa studime sugjerojnë se ushqimet me shumë sheqer dhe karbohidrate të rafinuara, si biskotat, ëmbëlsirat dhe buka e bardhë, mund të lidhen me një cilësi më të dobët të gjumit. Megjithatë, lidhja funksionon edhe në drejtimin e kundërt. Mungesa e gjumit mund të rrisë oreksin dhe dëshirën për ushqime me shumë kalori.

Çfarë duhet të bëjmë për të kontrolluar dëshirën për të ngrënë natën?

Ekspertët këshillojnë fillimisht të kuptojmë nëse po hamë nga uria e vërtetë apo thjesht nga zakoni. Nëse ndihemi të uritur, duhet të kujdesemi që vaktet gjatë ditës të jenë më të plota dhe ushqyese. Nëse ngrënia lidhet me televizorin apo rutinën e mbrëmjes, ndryshimi i këtyre zakoneve mund të ndihmojë. Gjithashtu, këshillohet të mbajmë në shtëpi alternativa më të shëndetshme, si fruta, kos dhe arra, në vend të ëmbëlsirave apo ushqimeve të përpunuara. Por ekspertët theksojnë se nuk është e nevojshme të heqim dorë plotësisht nga ushqimet që na pëlqejnë. Edhe një copë çokollatë herë pas here nuk përbën problem, për sa kohë konsumohet me masë. Sekreti, sipas studiuesve, është që zgjedhjet e shëndetshme të kthehen në zakon, në mënyrë që dëshira për të ngrënë para gjumit të mos ndikojë negativisht në shëndetin tonë./dritare.net