Reshje intensive dhe shtrëngata, IGJEO paralajmëron për rrezik përmbytjesh!
Dritare.net

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka paralajmëruar përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike gjatë së enjtes, 26 nëntor, me reshje intensive deri në shumë intensive shiu, shtrëngata dhe erë të fortë në pjesën më të madhe të vendit.
Situata më problematike pritet të paraqitet në qarkun e Shkodrës, ku parashikohen reshje shumë intensive. Në qarqet Kukës, Dibër dhe Lezhë priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa reshje intensive parashikohen edhe në Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Sipas IGJEO-së, në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston rreziku i vërshimeve të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitjeve të dherave.
Përmbytje të lokalizuara mund të shfaqen edhe në zonat urbane të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.
Reshjet pritet të sjellin gjithashtu rritje të prurjeve në lumenjtë Drin-Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
Temperaturat minimale dhe maksimale për ditën e enjte pritet të luhaten:
Në bregdet: 11–17°C;
Në zonat e ulëta: 12–18°C;
Në zonat malore: 3–13°C.
Era pritet të fryjë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në zonat bregdetare do të jetë e fortë deri shumë e fortë.
Ndërkohë, gjatë pasdites së sotme parashikohen reshje kryesisht të dobëta, deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Kukës, të shoqëruara me shtrëngata.
Përkeqësimi i motit kërkon kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht në zonat malore, pranë lumenjve dhe në zonat urbane të rrezikuara nga përmbytjet./dritare.net