Na ndiqni edhe në

Bota

Sarkozy dhe Carla Bruni dalin në gjyq, çfarë akuzash rëndojnë mbi çiftin?

Sarkozy dhe Carla Bruni dalin në gjyq, çfarë akuzash


Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni-Sarkozy, do të dalin në gjyq vitin e ardhshëm, në kuadër të një çështjeje që lidhet me financimin e fushatës presidenciale të vitit 2007 me para nga regjimi i ish-diktatorit libian, Muammar Gaddafi.

Akuzat lidhen me tërheqjen e dëshmisë së një dëshmitari kyç, i cili fillimisht kishte deklaruar se dispononte prova që mund të implikonin ish-presidentin francez.

Bëhet fjalë për biznesmenin Ziad Takieddine, i cili kishte deklaruar se zotëronte prova me shkrim se fushata presidenciale e Sarkozy-t në vitin 2007 ishte financuar nga Tripoli dhe se pagesat, që arrinin në 50 milionë euro, kishin vazhduar edhe pasi ai ishte zgjedhur president.

Takieddine, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar, i tërhoqi akuzat e tij gjatë një interviste në vitin 2020. Në atë kohë, Sarkozy deklaroi se e vërteta më në fund po dilte në dritë. Megjithatë, autoritetet dyshuan në vërtetësinë e tërheqjes së dëshmisë dhe nisën një hetim të ri mbi operacionin e quajtur “Save Sarko” (Shpëtoni Sarkon).

Ish-presidenti francez dhe bashkëshortja e tij, ish-supermodelja dhe këngëtarja me origjinë italiane, do të përballen me akuza që lidhen me një skemë të dyshuar mashtrimi të organizuar dhe manipulimin e dëshmitarit. Të dy i mohojnë akuzat.

Në shtator të vitit të kaluar, Sarkozy u dënua me pesë vjet burg në çështjen e financimit libian, duke u bërë ish-presidenti i parë francez që përfundoi pas hekurave. Ai qëndroi vetëm 20 ditë në burg, ndërsa vendimi i Gjykatës së Apelit pritet të jepet të hënën e ardhshme.

Që prej humbjes së zgjedhjeve presidenciale në vitin 2012, Sarkozy është përballur me disa hetime penale.

Në vitin 2024, ai u dënua me një vit burg, gjashtë muaj prej të cilëve me kusht, për financimin e paligjshëm të fushatës zgjedhore të vitit 2012.

Ndërsa në vitin 2021, u shpall fajtor për tentativën për të korruptuar një gjyqtar dhe u dënua me tre vjet burg, dy prej të cilëve me kusht. Ai u lejua ta vuante dënimin në banesë, nën mbikëqyrje elektronike./dritare.net/dritare.net