Dy persona hyjnë në shtëpinë e princit William dhe Kate Middleton
Dritare.net

Dy persona janë arrestuar në Britaninë e Madhe, nën dyshimin për tentativë vjedhjeje dhe hyrje të paautorizuar në rezidencën e princit William dhe princeshës Kate Middleton, në pronën mbretërore të Sandringhamit, në Norfolk.
Policia e Norfolkut bëri të ditur se kishte marrë një telefonatë pak para orës 18:00 të së hënës, pas raportimeve për lëvizje të dyshimta në rezidencën Anmer Hall.
Autoritetet angazhuan qen policorë, dronë dhe një helikopter për të kontrolluar zonën. Gjatë operacionit u arrestuan dy burra, të cilët vijojnë të mbahen në paraburgim policor.
Sipas policisë, në momentin e ngjarjes në rezidencë nuk ndodhej askush. Pallati Kensington nuk ka komentuar incidentin, duke deklaruar se nuk jep informacione për çështjet e sigurisë.
Princi William dhe princesha Kate nuk jetojnë në mënyrë të përhershme në Anmer Hall, por e përdorin rezidencën për të kaluar pushimet me familjen.
Rezidenca me dhjetë dhoma gjumi ishte një dhuratë e mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II për çiftin, pas martesës së tyre në vitin 2011.
Prona mbretërore e Sandringhamit shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 80 kilometrash katrorë dhe në të jetojnë edhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore britanike.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, raporton BBC./dritare.net