Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Concetta Mazzei: Rrënjët arbëreshe, gjuha dhe identiteti që duhet të jetojë brez pas brezi

Concetta Mazzei: Rrënjët arbëreshe, gjuha dhe identiteti që

Concetta (Cettina) Mazzei
Karafa e Katanxaros

Ka vende që vazhdojnë të jetojnë brenda nesh, edhe kur ndryshojnë pamje, kur shtëpitë mbyllen, rrugët heshtin dhe zërat e njohur largohen. Ato nuk i përkasin vetëm gjeografisë: janë pjesë e përvojës sonë, ruajnë dashuritë, historitë familjare dhe gjurmët e një historie kolektive.

Pikërisht kësaj lidhjeje midis njerëzve dhe vendeve i kushton Vito Teti reflektimin e tij antropologjik. Në librin «Një vend do të thotë…», vendi nuk është një sfond i palëvizshëm, por një hapësirë e përshkuar nga largimet, kthimet, shndërrimet dhe mungesat. Historia e tij bëhet kështu një mënyrë për të kuptuar shqetësimet e së tashmes.

Nga ky këndvështrim lind edhe koncepti i restanza-s, i cili nuk përputhet thjesht me vendimin për të qëndruar në vendin tënd. Të qëndrosh mund të jetë një zgjedhje, një domosdoshmëri, por, ndonjëherë, edhe një heqje dorë; të largohesh mund të nënkuptojë humbje, por edhe kërkim të lirisë dhe të mundësive të reja.

Restanza shpreh pikërisht këtë tension midis dëshirës për të qenë pjesë e një vendi dhe nevojës për t'u përballur me botën. Ajo nuk propozon një kthim të idealizuar në të kaluarën dhe as nuk i jep qëndrimit një vlerë morale më të lartë se largimit. Megjithatë, është e pamundur të flasësh për fatin e vendeve pa marrë parasysh kushtet konkrete të jetesës. Aty ku mungojnë puna, shërbimet dhe mundësitë, mund të rrezikohet detyrimi për të qendruar. E drejta për të qëndruar ka kuptim kur ekziston edhe liria për t'u larguar.
Prandaj, shpopullimi i një vendbanimi nuk mund të trajtohet vetëm përmes thirrjeve për dashurinë ndaj vendlindjes. Ai kërkon ndërhyrje politike, investime dhe një vizion që t'u rikthejë territoreve mundësinë për të qenë të banuara e të jetueshme. Në këtë këndvështrim, ajo që më tërheq më shumë në mendimin e Tetit është refuzimi i nostalgjisë si përgjigje ndaj krizës së vendeve.

Kujtesa merr vlerë kur na ndihmon të kuptojmë atë që po ndodh dhe të njohim përgjegjësitë e së tashmes.

Ky është një reflektim në të cilin gjej shumë aspekte të përvojës sime si grua kalabreze dhe arbëreshe. Unë i përkas Kalabrisë dhe, njëkohësisht, bashkësisë arbëreshe të Karafës së Katanxaros. Këto janë dy dimensione të pandashme të identitetit tim, të formuara në një trevë të shënuar ndër shekuj nga takimet midis popujve dhe kulturave.

Historia e arbëreshëve nis me një migrim. Të parët tanë u larguan nga vendi i tyre dhe u vendosën në Itali, ku krijuan bashkësi të reja, duke ruajtur elemente thelbësore të trashëgimisë së tyre kulturore.
Historia e arbëreshëve nis me një migrim. Të parët tanë u larguan nga vendi i tyre dhe u vendosën në Itali, ku krijuan bashkësi të reja, duke ruajtur elemente thelbësore të trashëgimisë së tyre kulturore.
Ne arbëreshët jemi, në njëfarë mënyre, bij të një largimi, që arriti të shndërrohej në qëndrim e vazhdimësi.
Kjo histori më duket veçanërisht domethënëse në dritën e reflektimit të Tetit: ajo dëshmon se rrënjët nuk janë domosdoshmërisht të lidhura me palëvizshmërinë dhe se identiteti mund t'i mbijetojë largësisë, duke marrë, me kalimin e kohës, forma të reja.

Karafa e ruan këtë histori përmes traditave, simboleve, lidhjeve familjare dhe, mbi të gjitha, gjuhës.
Arbërishtja nuk është thjesht një mjet komunikimi. Në fjalët e saj ruhen mënyra të të menduarit, ndjenja, përvoja dhe nuanca shprehëse, që i përkasin historisë së bashkësisë sonë.
Prandaj, humbja e saj graduale përbën një çështje me rëndësi të madhe kulturore. Kur një gjuhë nuk përcillet më brez pas brezi, nuk zhduken vetëm fjalët: dobësohet edhe mundësia për të hyrë drejtpërdrejt në një pjesë të përvojës së brezave të mëparshëm.
Në Karafa, ashtu si në bashkësitë e tjera arbëreshe, kjo çështje kërkon një vëmendje, që shkon përtej veprimtarive folklorike dhe kremtimeve të prejardhjes sonë.

Veshja tradicionale, festat përkujtimore dhe shprehjet artistike janë dëshmi të rëndësishme, por nuk mund ta zëvendësojnë përdorimin e përditshëm të gjuhës.
Një kulturë nuk shpëtohet vetëm duke e kremtuar, duke organizuar festa. Ajo mbahet gjallë duke e jetuar dhe praktikuar.
Për këtë arsye, e konsideroj thelbësor rolin e shkollës, familjeve, shoqatave dhe institucioneve publike. Mbrojtja e gjuhës duhet të shndërrohet në një angazhim të qëndrueshëm edukues, që përfshin të rinjtë dhe shfrytëzon edhe mundësitë që ofron koha qe e jetojmë.

Nuk bëhet fjalë për t'u imponuar atyre një përkatësi, por për t'u dhënë mundësinë ta njohin atë dhe t'i japin një kuptim personal.
Vazhdimësia e kulturës sonë do të varet edhe nga aftësia për ta bërë atë të pranishme në jetën e brezave të rinj, pa e shndërruar në një trashëgimi që vetëm duhet ruajtur në mënyrë pasive.
Në mendimin e Tetit dalloj edhe një element tjetër, që e konsideroj thelbësor: mundësinë për t'i vëzhguar transformimet e mëdha të shoqërisë duke u nisur nga realiteti i një vendbanimi të vogël.
Vendi i fëmijërisë, i rivizituar përmes përvojës dhe njohurive të fituara, nuk shfaqet më si një vend i idealizuar. Brishtësitë, mungesat dhe kontradiktat e tij bëhen objekt reflektimi antropologjik.
Edhe Karafa, po të vështrohej vetëm përmes treguesve demografikë apo ekonomikë, mund të dukej si një realitet periferik. E megjithatë, historia e saj lidh Kalabrinë me bregun tjetër të Adriatikut, duke treguar se si ngjarjet e një bashkësie të vogël mund të ndriçojnë çështje universale: migrimin, bashkëjetesën midis kulturave dhe marrëdhënien me origjinën.
Pikërisht ky dimension më intereson veçanërisht. Përkatësia jonë arbëreshe nuk duhet të bëhet një kufi brenda të cilit të mbyllemi, por një këndvështrim prej nga mund ta kuptojmë më mirë botën.

Rrënjët nuk duhet të na pengojnë të shohim larg. Ato duhet të na japin vetëdijen për vendin prej nga e vështrojmë botën. Në këtë kuptim, restanza mund të marrë edhe vlerën e një përgjegjësie kulturore dhe qytetare. Ajo nuk nënkupton mbajtjen me detyrim të njerëzve në vendin e tyre apo ruajtjen e pandryshuar të vendeve, por kontributin për krijimin e kushteve që një bashkësi të mund të vazhdojë të shprehet, të bashkëveprojë dhe të ndërtojë projekte për të ardhmen.
Ai që largohet mund të ruajë një marrëdhënie të frytshme me vendin e origjinës; ai që qëndron mund të hapet ndaj përvojave dhe njohurive që vijnë nga larg. Ajo që ka rëndësi është të mos e shndërrojmë përkatësinë në një kufizim të lirisë individuale.
Historia arbëreshe, e lindur nga takimi midis një kulture të bartur në një vend tjetër dhe një toke të re vendosjeje, na ofron një shembull domethënës të kësaj mundësie.
Dhe pikërisht këtu reflektimi i Tetit takohet me një nga bindjet e mia më të thella: vlera e një vendi nuk matet vetëm me atë që ka ruajtur, por edhe me atë që është ende në gjendje të krijojë e të gjenerojë.

Humbja më e dhimbshme nuk është thjesht ajo e shtëpive të braktisura apo e rrugëve të zbrazëta, por zhdukja e kushteve që u mundësojnë njerëzve ta njohin dhe ta ndiejnë veten si pjesë e një bashkësie.
Për këtë arsye, e ardhmja e Karafës, ashtu si ajo e shumë vendbanimeve të Kalabrisë, nuk mund t'i lihet vetëm kujtesës apo vullnetit të mirë të atyre që e duan historinë e saj. Ajo kërkon vendime konkrete, vëmendje institucionale dhe pjesëmarrje kolektive.
Ruajtja e gjuhës arbëreshe, vlerësimi i trashëgimisë sonë kulturore dhe krijimi i perspektivave të reja për të rinjtë janë pjesë të të njëjtit angazhim: të bëjmë që identiteti të mos mbetet vetëm një dëshmi e së kaluarës, por të vazhdojë të jetë një përvojë e gjallë.
Ky është kuptimi që unë i jap restanza-s: jo një thirrje për të mos lëvizur, por mundësia për t'i jetuar me vetëdije rrënjët tona, pa hequr dorë edhe nga nevoja që t’i përkasim dhe të njohim botën, nga udhëtimet nëpër botë./dritare.net