Veliaj reagon pas deklaratave të Ramës në Asamblenë e PS-së
Dritare.net

Pas kritikave të kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së për shkarkimet në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar ashpër nga qelia. Përmes një deklarate të Bashkisë, Veliaj akuzon Ramën se po ndërhyn në kompetencat e tij dhe po shfrytëzon paraburgimin për të vendosur kontroll politik mbi institucionin.
"Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.
Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.
Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.
Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.
Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fundit zgjedhësve të saj.", thuhet në deklaratë./K.C/dritare.net