Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 milionë euro pasuri tek “Uji i Ftohtë"!
Dritare.net

Prokuroria e Vlorës ka konfiskuar pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 16 milionë euro në zonën e “Ujit të Ftohtë”, të cilat dyshohet se janë përfituar përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.
Pasuritë e konfiskuara i përkisnin Pëllumb Petritajt, i cili është dënuar me 7 vite burg për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.
Sipas hetimeve, për përfitimin e pronës me sipërfaqe 32 mijë metra katrorë ishte përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar, ndërsa më pas prona ishte ndarë, tjetërsuar dhe kaluar në emër të personave të tretë.
Sipas Prokurorisë, këto veprime kishin për qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurisë.
Me kërkesë të organit të akuzës, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë vendosi konfiskimin e pronës fillestare dhe të të gjitha pasurive që rrjedhin prej saj.
Në përfundim, pasuritë me vlerë rreth 16 milionë euro kanë kaluar në pronësi të shtetit.
Njoftimi i Prokurorisë së Vlorës:
Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 milionë euro pasuri të paluajtshme tek ‘Uji i Ftohtë’, të përfituar me dokumente të falsifikuara
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u konfiskuan dhe kaluan në pronësi të shtetit 16 milionë euro pasuri të paluajtshme të shtetasit P.P., i akuzuar për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 187/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procesimin penal nr.946/2015, rezultoi se në proceset gjyqësore dhe procedurat administrative për njohjen dhe kthimin e një pasurie 32.000m2 në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’, Vlorë u përdor një vendim gjyqësor i falsifikuar. Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se pas përfitimit dhe regjistrimit të kësaj pasurie, janë kryer veprime juridike për ndarjen, tjetërsimin dhe kalimin e saj në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të saj.
Në përfundim të hetimeve shtetasi P.P. u dënua me 7 vite burgim dhe me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, gjykata vendosi konfiskimin e pasurive të mëposhtme:
- Pasuri e paluajtshme me sipërfaqe 32.000 m2 e regjistruar në vitin 2009 në favor të shtetasve K.Sh., M.Sh. dhe R.Sh. si dhe të gjitha pasurive që rrjedhin dhe derivojnë prej kësaj pasurie, konkretisht:
- Pasuria e paluajtshme nr.431;
- Pasuria e paluajtshme nr.404;
- Pasuria e paluajtshme nr.311;
- Pasuria e paluajtshme nr.312;
- Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.263 me sipërfaqe 23.363m2;
- Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.264 me sipërfaqe 1000 m2;
- Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.361 me sipërfaqe 7932 m2;
- Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.263/1 me sipërfaqe 1126.13 m2; dhe
- Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.108 me sipërfaqe 7637 m2