700 mijë euro të zhdukura nga Posta e Durrësit! Dosja përfundon në SPAK
Dritare.net

Dosja e përvetësimit të rreth 700 mijë eurove në Postën e Durrësit i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pasi gjatë hetimeve janë konstatuar elementë që ngrenë dyshime për veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Durrësit e ka përcjellë dosjen në SPAK prej disa ditësh, ndërsa hetimet mund të shtrihen edhe te zyrtarë të lartë apo persona që aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar.
Në qendër të dosjes janë ish-drejtoresha e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës, Valbona Duni, dhe arkëtarja Paola Dana, të cilat u arrestuan në korrik të këtij viti.
Tri ish-punonjëset dyshohen për abuzime financiare dhe përvetësimin e rreth 700 mijë eurove, fonde të destinuara për pagesat e pensioneve dhe ndihmës ekonomike.
Kalimi i dosjes në SPAK pritet të shoqërohet me hetime të mëtejshme për të përcaktuar nëse në skemën e dyshuar të përvetësimit janë përfshirë edhe persona të tjerë./dritare.net