Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Farage bie në sondazhe, Rama e ironizon: Ia kam thënë, kujdes nga mallkimi shqiptar!

Farage bie në sondazhe, Rama e ironizon: Ia kam thënë, kujdes nga

Kryeministri Edi Rama i ka thënë liderit të Reform UK, Nigel Farage, se rrezikon të bjerë viktimë e një “mallkimi shqiptar” për shkak se i etiketon shqiptarët si kriminelë. Deklaratat i bëri në një intervistë ekskluzive për gazetën britanike The Independent.

Deklarata e Ramës vjen pas një sërë deklaratash të politikanëve të Reform UK për emigrantët shqiptarë në Britani. Vitin e kaluar Farage pretendoi se “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg”. Rama reagoi ashpër atëherë, e sfidoi për shifrat dhe e ftoi të vizitonte Shqipërinë. Sipas Ramës, Farage e pranoi ftesën, por nuk e mbajti premtimin.

“Ai është i shkëlqyer në dhënien e premtimeve, por nuk duket aq i mirë në mbajtjen e tyre”, thotë Rama.

“Kush i sulmon shqiptarët nuk përfundon mirë”

Kryeministri e lidh rënien e Farage-it në sondazhet e fundit me atë që e quan “mallkimi shqiptar”. Si shembull tjetër përmend ish-ministren e Brendshme britanike Suella Braverman, e cila tani është pjesë e Reform UK. Braverman ka bërë gjithashtu komente përçmuese për shqiptarët.

“Mallkimi shqiptar është diçka për të cilën duhet të kemi kujdes, sepse kush i sulmon shqiptarët nuk përfundon mirë politikisht”, thotë Rama. “Suella Braverman nuk është askund tani, apo jo? Edhe disa të tjerë nuk janë askund. I kam thënë ‘mikut’ tim Nigel Farage: ‘Ki kujdes, sepse ekziston një mallkim shqiptar’.”

Rama thotë se nuk e beson fjalë për fjalë mallkimin. Me shprehjen kërkon të tregojë përbuzjen për politikanët që, sipas tij, përdorin një komb të tërë si shënjestër politike.

“Është e turpshme të veçosh komunitetet, etnitë, ngjyrën e lëkurës, gjuhët dhe kulturat e ndryshme për qëllime politike”, thotë ai. Pyetjes nëse kjo është racizëm i përgjigjet: “Mund të jetë raciste, mund të mos jetë. Por është e turpshme në të dyja rastet.”

Rama tregon se nuk do të ishte bërë kreu i një partie pa shembullin e Tony Blair-it dhe Laburistëve të Rinj. “Hapat transformues për Britaninë ishin fantastikë. Sidomos gjuha e Laburistëve të Rinj, qasja pragmatike, guximi për të shkuar përtej së majtës dhe së djathtës, kapërcimi i ideologjisë”, thotë ai. Me kalimin e kohës u bë mik me Blair-in dhe me Alastair Campbell-in.

Për Andy Burnham-in, me të cilin ishte takuar për herë të parë një ditë para intervistës, flet me entuziazëm: “Një forcë e madhe e natyrës.” Me humor shton: “Ka shumë fansa në kabinetin tim, sepse ata janë të rinj dhe ende të pëlqyer në Instagram, ndërsa unë nuk jam më.”

Rama flet me admirim edhe për Margaret Thatcher-in, Helmut Kohl-in dhe Angela Merkel-in. Me shaka pranon se si socialist ndoshta nuk duhet t’i lavdërojë të gjithë. Sipas tij, qeverisjet e gjata u japin vendeve mundësi të çojnë deri në fund projekte që qeveritë pasardhëse mund t’i braktisnin.

Pjesa më e fortë e intervistës ka të bëjë me rrjetet sociale. Rama thotë se protestat e fundit në Shqipëri, të lidhura me korrupsionin, koston e jetesës dhe projektin e propozuar në ishullin e Sazanit, u fryn nga rrjetet sociale deri sa “e sollën Shqipërinë në çdo ekran kompjuteri në botë”.

“Ndjeva në lëkurën time çfarë katastrofe janë rrjetet sociale. Pashë se si demokracitë tona po gëlltiten të gjalla nga e keqja e rrjeteve sociale”, thotë ai.

Sipas tij, dikur redaktorët dhe botuesit vendosnin se çfarë arrinte te publiku. “Nazistët, radikalët, pedofilët dhe të gjitha mbeturinat e shoqërisë nuk e kishin këtë hapësirë. Sot të gjithë nazistët e botës janë të lidhur, janë bashkë dhe janë krenarë, po ashtu edhe teoricienët e konspiracionit.” Ai e përmbledh kështu: “Ne, demokracitë, kemi lejuar që liria e fjalës të zëvendësohet nga liria e shpërndarjes.”

Sazani dhe Kushner

Rama i hedh poshtë akuzat për korrupsion në lidhje me projektin turistik në Sazan, ku janë përfshirë Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Projekti ka nxitur protesta studentësh dhe ambientalistësh, të njohura si “Revolucioni Flamingo”.

“Kur u takova me Jared Kushner-in dhe ai më pyeti nëse mund të investonte në Shqipëri, Donald Trump nuk ishte president. Ishte nën hetim nga drejtësia amerikane dhe në atë kohë dukej se kishte më shumë gjasa të përfundonte në burg sesa në Shtëpinë e Bardhë”, thotë ai. “I thashë: ‘Po, ju lutem.’ Pse? Sepse ai është një investitor amerikan me investitorë të tjerë seriozë dhe unë shoh interesin e vendit tim. Pse duhet të më interesojë kush është vjehrri i tij?”

Rama thotë se marrëveshja nuk është përfunduar, se negociatat zgjasin prej vitesh dhe se vlerësimet mjedisore do të vendosin nëse projekti do të vazhdojë. “Mund të jetë shumë e dëmshme të mendosh se po e ruan një zonë natyrore dhe ta lësh të degradohet. Zhvillimi i keq mund të jetë i dëmshëm, por edhe një zonë e mbrojtur mund të rigjenerohet përmes zhvillimit.”

Si arritje të qeverisë së tij në mjedis përmend zgjerimin e zonave të mbrojtura në mbi 20 për qind të territorit, moratoriumin 10-vjeçar të gjuetisë dhe kufizimet për shfrytëzimin e pyjeve.

Sulmi i vitit 1997

Rama rrëfen edhe sulmin që pësoi në janar të vitit 1997, kur dy burra e goditën me tuba metalikë dhe me doreza me gozhda ndërsa po kthehej në shtëpi me të dashurën. Mbeti me kafkë të çarë dhe me hundë të thyer në pesë vende. Ai beson se sulmuesit ishin dërguar nga regjimi i asaj kohe me qëllim që ta vrisnin.

“Thashë se nuk do të kthehem më. Por u kthye dhe artisti që kishte sfiduar shtetin u bë përfaqësuesi më i fuqishëm i tij.”-kujton ai

Turizmi, ekonomia dhe BE-ja

Rama thotë se kur erdhi në pushtet, Shqipëria priste më pak se dy milionë turistë në vit, ndërsa sot priten mbi 12 milionë. Sipas tij, PBB-ja është rritur nga më pak se 10 miliardë euro në rreth 30 miliardë euro brenda një dekade.

Megjithatë pranon se rritja ekonomike sjell edhe pritshmëri më të mëdha. Duke iu referuar Alexis de Tocqueville-it, ai thotë: “Njerëzit nuk pyesin më nëse ka ndryshuar Shqipëria. Sot pyesin: ‘Ku jam unë në këtë ndryshim? Çfarë përfitoj unë prej tij?’”

Objektivi i tij kryesor mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. “Ne duam të anëtarësohemi tani, por nuk do të heqim dorë kurrë, edhe nëse Bashkimi Evropian do të zhdukej. Do t’ia dalim në Tiranë”, thotë ai. “Vijmë nga një histori ku jetuam nën pushtues, nën perandori dhe nën regjime. Nuk kishim kurrë mundësi të zgjidhnim.”

Intervista mbyllet me një shaka të njohur të Ramës: “Unë jam artisti më i mirë mes kryeministrave dhe askush nuk ma heq dot këtë. Dhe jam kryeministri më i mirë mes artistëve.”