Na ndiqni edhe në

Opinione

Kur Europa i bie kambanave... le të mos presim sirenat

Kur Europa i bie kambanave... le të mos presim sirenat

Nga Kristaq Xharo

Në ditën e katërt ...pas ditës së tretë

Kambanat sjellin lajmin, sirenat lajmërojnë rrezikun. Tashmë në Europë po bien fuqishëm kambanat. Nuk lajmërojnë dasmë, por kërkojnë të mbani ujë, ushqime, barna, një elektrik dore dhe një radio. Kërkesa vjen nga kontinenti që premtoi një të ardhme pa kufij, por tani na këshillon të mos mbetemi pa konserva. Mes gjithë lavdisë digjitale, bota po zbret nga ekrani dhe ulet pranë një bidoni uji. Me sa duket, inteligjenca artificiale ende nuk ka arritur të mbushë gotën kur rubineti thahet.

Çfarë di Europa që ne se dallojmë? Ndoshta asnjë sekret qiellor. Ndoshta vetëm atë që harrojmë sa herë dita kalon pa ndonjë të keqe: normaliteti mund të ndërpritet. Drita fiket, rruga mbyllet, rafti zbrazet. Kambanat e lajmit bien kur ende kemi kohë të përgatitemi. Sirenat ulërijnë kur koha ka filluar të na ikë nga duart. A na mjafton edhe neve kambana, apo duhet të presim sirenën dhe atë që vjen pas saj?
Strategjia europiane e gatishmërisë për kriza, e paraqitur në mars 2025, rekomandon rezerva familjare për të paktën 72 orë. Qëllimi është praktik: të përballohen nevojat e para, ndërsa shërbimet organizojnë ndihmën. Por tri ditë rezerva nuk janë tri ditë deri në kthimin e normalitetit. Fatkeqësia nuk ka marrë numër radhe në sportel dhe nuk largohet kur mbaron orari zyrtar. Lumi nuk njeh afate administrative. Lufta, edhe më pak. Do të ishte vërtet një arritje e diplomacisë sikur raketat të pushonin sapo qytetarit t’i mbaronte kutia e fundit e fasuleve.

Fjala që duhet dëgjuar është “të paktën”. Kambanat e përgatitjes po bien në shumë vende europiane: Finlanda, Danimarka, Holanda, Franca dhe Çekia këshillojnë rezerva familjare për të paktën tri ditë; Norvegjia dhe Suedia për një javë, Zvicra ushqime për rreth një javë, ndërsa Gjermania synon dhjetë ditë. Këto afate nuk premtojnë se kriza do të mbarojë kur të zbrazet rafti. Ato blejnë kohë që familja të përballojë goditjen e parë dhe shteti të organizojë ndihmën. Pyetja mbetet: kur familjes t’i mbarojnë rezervat, a do të ketë mbërritur shteti, apo vetëm njoftimi se situata po ndiqet me vëmendje?

Dita e katërt, sipas europianeve është çasti kur mbaron durimi i dollapit dhe fillon prova e shtetit. Kush e hap magazinën? Kush e ngarkon kamionin? Nga kalon furnizimi kur ura ka rënë? Kush shkon te i moshuari që jeton vetëm? Këtu nuk ndihmon shumë një dosje me titull të artë. Një kamion në inventar nuk është ende një kamion në rrugë. Dhe një komision i mbledhur urgjentisht nuk prodhon ujë, sado të rrjedhshëm ta ketë diskutimin.

Natyrisht, një shtet i përgatitur për emergjenca duhet të veprojë që në orët e para. Dita e katërt tregon nëse ndihma e tij ka mbërritur përpara se të mbarojë rezerva e familjes. Mendja na shkon te vetja: a i kemi ngritur strukturat? A i kemi pajisur? A kemi arritur t’i provojmë kur telefoni nuk punon, rruga bllokohet dhe drejtuesi i zakonshëm mungon? Njerëzit që duhet të bashkëpunojnë në terren duhet të jenë njohur përpara fatkeqësisë. Është pak vonë të shkëmbejnë numrat e telefonit mbi një urë të shembur.

Në luftë kjo provë bëhet më e rëndë. Rruga hapet sot dhe goditet nesër. Drita rikthehet dhe fiket sërish. Tri ditë ushqime ndihmojnë familjen, por nuk zëvendësojnë furnizimin për javë e muaj. Përtej Atlantikut, sipas raportimeve për FORTRESS America, synohen të paktën 90 ditë autonomi për bazat kryesore brenda SHBA-së. Ende një objektiv, por me një logjikë të qartë: kur rrjeti civil të fiket, mbrojtja të vazhdojë punën. Sepse errësira nuk largohet me deklaratë dhe gjeneratori nuk ndizet me optimizëm. Kambanat po dëgjohen nga shumë anë. Kjo nuk provon se dikush ka në xhep datën e apokalipsit. Tregon rëndësinë e pyetjes se si vazhdohet kur gjithçka përreth pushon.

Eisenhower, strateg i luftës dhe i politikës, thoshte: “Planet ndoshta jo perhere realizohen, por planifikimi është gjithçka.” Kuptimi është i thjeshtë: letra nuk e parashikon çdo të papritur, por përgatitja i mëson njerëzit të përballen me të. Prandaj vlejnë stërvitjet që zbulojnë gabime. Nëse gjeneratori nuk ndizet gjatë provës, kemi kohë ta riparojmë. Nëse nuk ndizet në spital gjatë krizës, fjala “defekt” bëhet shumë e vogël për pasojën. Prova duhet bërë edhe pa kamera e sidomos pa kameran.

António Guterres, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, thotë: “Sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe aftësia për të vepruar mbi to shpëtojnë jetë.” Pikërisht aftësia për të vepruar. Kambanën mund ta dëgjojë gjithë qyteti, por dikush duhet të niset. Sirena mund të depërtojë në çdo dritare, por nuk ngjit shkallët për të ndihmuar një të sëmurë. Paralajmërimi që mbërrin shpejt dhe ndihma që mbërrin vonë krijojnë një ironi mizore: njeriu e mori vesh rrezikun me kohë, por mbeti vetëm përballë tij.

Konspiracioni, ndërkaq, e ka fundin e botës gjithmonë në ofertë. Me një bunker, dy miliarderë dhe pak mjegull, shpjegon gjithçka. Por as mosbesimi ndaj fantazive nuk na detyron të duartrokasim broshurat. Ku janë rezervat? Kur janë kontrolluar? Çfarë kanë treguar provat? Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe e thotë qartë: “Paralajmërimet e hershme shpëtojnë jetë vetëm kur komunitetet kanë burimet dhe aftësinë për të vepruar.” Kambana nuk mjafton, nëse duart që duhet të veprojnë janë bosh.

Ne e kemi solidaritetin. Fqinji hap derën, familja ndan bukën, njerëzit vrapojnë në ndihmë. Por zemra e mirë nuk mund të ngarkohet përjetësisht me detyrën e ujësjellësit. Edhe vullnetari lodhet. Edhe mikpritësit i mbaron mielli. Shteti duhet ta mbështesë këtë forcë njerëzore, që ndihma të vazhdojë kur entuziazmi i orëve të para është kthyer në lodhje.

Kemi pasur përvojë me rezervat. Në ndarjen me një sistem të mbyllur, nuk kishim pse t’i shpallnim fajtorë edhe raftin e mbushur dhe rezervuarin. Uji nuk ka biografi politike. Mund ta gjykojmë të kaluarën dhe prapë të marrim prej saj një mësim të dobishëm. Nuk na duhet leje ideologjike për t’u përgatitur.

Nëse Europa di më shumë ajo duhet të tregojë çfarë ka pas kambanave. Sidoqoftë kjo nuk na e lehtëson detyrën për të dëgjuar, kuptuar e vepruar.

Le t’i dëgjojmë kambanat përpara se sirenat të na mbysin fjalët. Sa qielli është ende i kthjellët, të ndreqim çatinë, të mbushim hambarin e të provojmë çelësat e dyerve ku nesër do të kërkojmë strehë. Ditën e katërt, kur buka të bëhet thërrime, shteti duhet të trokasë me bukë në dorë. Përndryshe, nga gjithë pallati i premtimeve do të mbetet vetëm një mikrofon që i flet shiut.

* Kristaq Xharo: Prof. Dr. Lektor për Çështjet e Sigurisë./dritare.net