SHBA në alarm për një sulm të mundshëm iranian ndaj Donald Trump, Mossadi paralajmëron CIA-n
Dritare.net

Shërbimet amerikane të sigurisë kanë shtuar masat e mbrojtjes pas informacioneve për një plan të dyshuar iranian për të sulmuar me dronë presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij.
Sipas gazetës izraelite “Israel Hayom”, shërbimi sekret izraelit, Mossad, i ka përcjellë CIA-s informacione specifike për kërcënimin e mundshëm, pas një kërkese të agjencive amerikane të inteligjencës për verifikimin e tyre.
Raportohet se kërcënimi përfshin përdorimin e dronëve të pajisur me eksploziv, të cilët konsiderohen veçanërisht të vështirë për t'u neutralizuar me masat tradicionale të sigurisë.
Pas këtyre paralajmërimeve, Trump ka kufizuar daljet publike, ndërsa disa zyrtarë të lartë amerikanë janë zhvendosur në ambiente me siguri të shtuar. Mes tyre përmenden sekretari i Thesarit, Scott Bessent, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Ndërkohë, drejtori i Mossadit, Roman Gofman, ndodhet në Uashington, ku raportohet se ka zhvilluar takime me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, për situatën në Iran dhe kërcënimet e mundshme ndaj zyrtarëve amerikanë.
Paralajmërimi vjen në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa perspektiva e një marrëveshjeje mes dy vendeve është bërë gjithnjë e më e pasigurt.
Ky nuk është paralajmërimi i parë i Izraelit për një atentat të mundshëm ndaj Trump. Në gusht, agjencia Reuters raportoi se inteligjenca amerikane kishte marrë disa informacione të ngjashme nga Izraeli, por nuk kishte arritur t'i verifikonte në mënyrë të pavarur.
Deri më tani, Shtëpia e Bardhë, CIA dhe autoritetet iraniane nuk e kanë konfirmuar publikisht ekzistencën e një plani konkret për sulm me dronë ndaj presidentit amerikan./dritare.net