86 doktorantë përfitojnë financim për studimet doktorale, Kumbaro: Rritet numri i projekteve fituese në 2026
Dritare.net

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Daniel Pirushi, prezantuan rezultatet e Programit Kombëtar të Doktoraturave dhe të Ciklit të Tretë të Studimeve për vitin 2026, përmes të cilit mbështeten për herë të parë 86 projekte kërkimore nga 15 universitete publike dhe jopublike në vend.
"Gjatë muajit tetor kishim hapur në Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor thirrjen për të mbështetur dhe për të shpërndarë grantet, për studimet doktorale të kërkuesve tanë shkencor në universitete publike dhe jopublike. Kjo thirrje tashmë ka mbaruar dhe më vjen shumë mirë që të ndaj me ju, rezultate e një financimi shumë të rëndësishëm që ka nxjerrë 86 projekte fituese, pra 86 doktorantë kanë fituar mbështetjen financiare nga Agjencia jonë e Kërkimit Shkencor dhe këto të shtrirë në 15 universitete publike dhe jopublike", bëri me dije ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.
Kumbaro theksoi se Programi Kombëtar i Doktoraturave dhe i Ciklit të Tretë të Studimeve do të ofrojë mbështetje financiare për doktorantët dhe kërkuesit e rinj shkencorë në një sërë fushash prioritare.
"Konstatojmë që kemi 50% të projekteve fituese, të fushave të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, matematikës, studimet në fushën mjekësore, nanoteknologji e me rradhë, pra le të themi që të gjitha fushat prioritare të zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë janë të mbuluara, pa dyshim ka edhe trashëgimi kulturore dhe arkitekturën, por njëri prej këtyre doktorantëve të financuar nga AKKSHI- ja do të jetë gjithashtu edhe një bashkëpunim shumë interesant me CERN- in që është Organizata Europiane për Kërkime Borthamore në Gjenevë, ku AKKSHI, bëhet bashkëfinancuese", tha Kumbaro.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vlerësoi rritjen e numrit të projekteve të mbështetura dhe zgjerimin e financimit për kërkimin shkencor, duke theksuar se në vitin 2026 numri i projekteve fituese është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin e parë të programit, kur u financuan 39 projekte.
Ministrja Kumbaro theksoi gjithashtu se mbështetja për kërkimin shkencor do të vijojë të rritet edhe gjatë vitit 2027. Buxheti për këtë fushë parashikohet të rritet me 28.2% krahasuar me vitin 2026, ndërsa do të dyfishohet fondi i dedikuar investimeve në infrastrukturën laboratorike në universitetet publike.
"Dua të ndaj edhe gjithashtu një tjetër të dhënë interesante që ma vure në dukje, për vitin 2025, viti i parë kur u hap ky program kemi pasur vetëm 39 projekte fituese, dyfishohet në vitin 2026 me 86 projekte fituese, por e dhëna tjetër më interesante është që viti 2026 ka 6-fishim të fondit mbështetës në dispozicion të doktorantëve. Edhe me këtë dua të theksoj edhe një elementë tjetër që e kam përmendur edhe gjatë mbrojtjes së buxhetit të arsimit të vitit 2027, kemi një rritje për fushën e kërkimit shkencor me 28.2% krahasuar me vitin 2026, prandaj investimet në mbështetjet financiare shtohen për kërkuesit shkencor, duhet të vazhdojmë gjithë punën për rritjen e standarteve dhe të nxisim studiuesit të aplikojnë në mbështetje edhe të studimeve doktorale edhe të projekteve të tjera zhvillimore por edhe të infrastrukturës zhvillimore për të cilën do të kemi një dyfishim të buxhetit dedikuar investimit në laboratore shkencore për të gjitha universitetet publike të Shqipërisë", tha ministrja Kumbaro.
Drejtoresha e AKKSHI-t, Daniel Pirushi, bëri të ditur se procesi i aplikimit dhe vlerësimit u përmbyll brenda një kohe të shkurtër. Thirrja u hap më 1 tetor dhe aplikimet përfunduan më 30 tetor, ndërsa vlerësimi i projekteve dhe shpallja e rezultateve u realizuan brenda vetëm dy javësh. Ajo e cilësoi programin si një prej instrumenteve të rëndësishme për mbështetjen e ciklit të tretë të studimeve dhe zhvillimin e kapaciteteve kërkimore në vend.
Këto investime synojnë të krijojnë kushte më të mira për pedagogët, studiuesit, doktorantët dhe studentët, duke forcuar kapacitetet kërkimore të universiteteve dhe duke nxitur aplikime të reja për projekte shkencore dhe zhvillimore. Përmes zgjerimit të programeve të financimit dhe investimeve në infrastrukturën kërkimore, Ministria e Arsimit dhe AKKSHI synojnë të rrisin mundësitë për kërkuesit e rinj, të përmirësojnë standardet e kërkimit shkencor dhe të forcojnë lidhjen e universiteteve shqiptare me institucionet dhe rrjetet ndërkombëtare të kërkimit./dritare.net