E plotë/ Rama në Dublin, nga integrimi në BE te Trump, SPAK-u dhe protestat!
Dritare.net
Kryeministri Rama ishte sot në Dublin, Irlandë me rastin e pjesëmarrjes në aktivitetin e organizuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), me temë “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, një diskutim mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Intervista
Moderatori: Unë jam John O’Brennan. Do të moderoj këtë seancë sot për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nga aspirata në Integrim.
Kam kënaqësi t'i uroj mirëseardhjen Kryeministrit Edi Ramadhe ekipit të tij në Institut dhe shpresoj që do të kemi një diskutim interesant. Përpara se sa të prezantoj zyrtarisht Kryeministrin, pak fjalë se si do të funksionojë sesioni.
Kryeministri do të thotë pak fjalë të vetat, pastaj do të vazhdojmë me bashkëbisedimin dhe si zakonisht do t'ju japim më pas fjalën edhe ju. Na vjen shumë mirë që kemi një audiencë mjaft të madhe që është bashkuar me ne, përmes internetit dhe jam shumë i vetëdijshëm për këtë.
Kështu që, në qoftë se jeni online doni të bëni një pyetje, përdorni funksionin Q&A, pyetjet- përgjigjet dhe do t'i drejtojmë këto pyetje kryeministrit. Ndërkohë që, nëse jeni këtu në sallë, mjafton të ngrini dorën dhe të na thoni se kush jeni, çfarë përfaqësoni.
Jemi të kënaqur që të mirëpresim kryeministrin Rama dhe po e mirëpresim në një moment veçanërisht kritik do të thoja për procesin e zgjerimit dhe për Europën. Vetëm një muaj më parë Komisioni Evropian publikoi dokumentin e ri në përgatitje për një bashkim më të gjerë që presupozohet të ofrojë një udhërrëfyes për integrimin dhe zgjerimin e suksesshëm.
Natyrisht, Këshilli Evropian do ta marrë në konsideratë, do ta vlerësojë këtë dokument dhe vetëm javën e kaluar në Bruksel është publikuar raporti vjetor i Komisionit për kandidatët për anëtarësinë përfshirë Shqipërinë. Kështu që, kemi shumë për të folur dhe jemi shumë të kënaqur që kryeministri gjendet këtu në kuadër të takimeve europiane që po ndodhin në Dublin këtë javë.
Sa për t'ju prezantuar kryeministrin, zoti Rama ka qenë kryeministër i Shqipërisë që prej 2013-s. Para saj ka qenë një kryetar shumë i suksesshëm i bashkisë së Tiranës. Ai është autor, është një intelektual publik, piktor, profesor dhe aktualisht shërben në mandatin e tij të katërt të njëpasnjëshëm që e bën në fakt kryeministrin më jetëgjatë në këtë grup të kryeministrave aktual në Evropë. Ai ka vendosur integrimin në Bashkimin Evropian në krye të politikave të vendit.
Është kënaqësi që t'ju presim në Dublin.
Ju ftojmë kryeministër që të bëni komentet tuaja. Faleminderit shumë.
Kryeministri Edi Rama: Siç ju thashë më parë, duhet të jetë një vend shumë i rëndësishëm sepse ekipi më kërkoi që të zgjohesha në 6 të mëngjesit, të fluturoja nga Parisi, të vija këtu për të zhvilluar këtë bisedë dhe kur erdhëm në aeroport zonja që na priti më tha që jam i pari që mbërrij nga kryeministrat dhe i thashë po sepse kam diçka më të rëndësishme se ata për të bërë që është të vijë të flas këtu. Ndaj faleminderit për ftesën dhe shpresoj së pari e mbi të gjitha që ky bashkëbisedim të mos jetë i mërzitshëm. Mendoj që gjëja më e mirë është ta zhvillojmë me pyetje e përgjigje sepse nuk ju duhet një fjalim i gjatë prej meje dhe mund t'ju them që mund të flas shumë gjatë, ashtu si të gjithë ballkanasit.
Po jemi në një moment tejet përcaktues të historisë sonë do të thoja sepse shohim jo vetëm horizontin që ka qenë kështu gjithmonë, por shohim edhe një derë të hapur si një mundësi reale të vërtetë për të kaluar përtej, për t'u bërë pjesë e kësaj familje europiane. Është një moment kulmor që nuk ka ekzistuar deri jo shumë kohë më parë dhe është shndërruar në një moment kulmor në të cilin gjërat që dukeshin të pamundura ngjanë se janë të mundura dhe shpresoj që do ta kapim këtë moment dhe do të mundemi që të kapërcejmë më së fundi kufirin që na ka ndarë nga Europa për shumë e shumë kohë e më së fundi të bëhemi pjesë e kësaj familjeje.
Kjo është pak a shumë situata siç e shoh unë. Është situatë me një moment kulmor në të cilën nga ana jonë duhet të bëjmë maksimumin që të përmbushim pritshmëritë e palës tjetër e sigurisht që Europa ka një proces të ndërlikuar vendimmarrjeje. Duhen 27 vende dhe aty ka vende si Franca ku ratifikimi i traktatit të anëtarësimit për anëtarët e rinj duhet të marrë 2/3 e parlamentit apo të kalojë përmes referendumit etj. Megjithatë ajo çfarë është më e rëndësishme është që t'ia dalim me sukses të mbyllim kapitujt e të përmbyllim me sukses negociatat. Më duhet të them që sot për sot jemi në rrugë të mbarë dhe çdo gjë po ecën sipas rregullave dhe jemi edhe dakort me Komisionin për këtë.
Moderatori: A mund t'ju pyes, ambicia juaj është që t'i përmbyllni negociatat në 2027-n? Jeni në një pozitë ku i keni çelur të gjithë grup kapitujt dhe siç edhe unë tha Shqipëria gjykohet se ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm, por a mendoni që 2027 është objektiv realist, sidomos duke paturparasysh propozimin e ri që ka ardhur nga Komisioni për integrim gradual, e ndoshta mund të na shpjegoni reagimin që ju keni kundrejt propozimit të integrimit gradual dhe çfarë do të nënkuptojë kjo për Shqipërinë?
Kryeministri Edi Rama: Nuk do të kisha menduar kështu nëse kalendari nuk do të ishte dakordësuar me komisionin. Komisioni është i të njëjtit mendim që fundi i 2027-s është ambicioz, por i mundur. Ndaj do të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta realizuar në fund të 2027. Nga ana tjetër integrimi gradual është diçka për të cilën unë vetë kam luftuar për një kohë të gjatë përpara se sa një gjë e tillë të merrte formë. Natyrisht jo i vetëm, por edhe me kolegë të tjerë për t'i dhënë ca kuptim të gjithë procesit sepse duhet që vendet të kalojnë përmes procesit bazuar në meritë të bëjnë punën e tyre po ndërkohë hendeku midis vendeve kandidat dhe vendeve anëtare sa i takon financave, ekonomisë, integrimit në tregun e përbashkët e kështu me radhë, bëhet gjithmonë e më i gjerë apo më i madh. Pra, për të kaluar nga një situatë gjithçka ose asgjë, në një situatë ku vendet pranohen, merren në mënyrë graduale, është qasja e duhur dhe është materializuar plani i rritjes. Plani i rritjes është pjesë e kësaj qasje dhe unë besoj se mund e duhet bërë edhe më shumë, por është më mirë se më përpara ku nuk kishte asgjë përveçse detyra shtëpie pa asnjë stimul.
Moderatori: Po për këtë çështje si e shihni zgjedhjet e fundit në Serbi? Qeveria e mëparshme konsiderohej prej disave si një bllokuese e integrimit në rajonin e Ballkanit. Po a mundësi të reja që po lindin nga kjo qeverisje e re në Beograd për këtë integrim në mbarë rajonin që të mund të realizohet siç e kërkonte Brukseli?
Kryeministri Edi Rama: Nuk është sekret që Komisioni ka pasur probleme me administratën e mëparshme, qeverinë e mëparshme në Serbi, çështje lidhur me shtetin e së drejtës, probleme lidhur me disa kërkesa mjaft të rëndësishme e thelbësore do të thoja të Bashkimit Evropian, por nga ana tjetër mendoj se është shumë herët për të thënë diçka me saktësi për atë çfarë vjen më pas. Duket se Serbia po kalon nëpër një eksperiment social e politik me të ashtuquajturën Listë Studentore e me këtë metodën e përzgjedhjes e të zgjedhjes së personave që do të jenë në parlament apo në qeveri. Është diçka mjaft e re në shumë drejtime, por aq sa na takon ne shqiptarëve e vetë Shqipërisë, duket se nuk ka ndonjë hapje sa i takon normalizimit me Kosovën. Nuk ka një hapje sa i takon sanksioneve kundër Rusisë, se nuk ka një qasje të hapur kur bëhet fjalë për atë çka faktikisht është përkufizuar si mbyllje më parë me qeverinë që ishte. Le të shohim, është interesante, por është shumë herët të tregohemi entuziastë për këtë ndryshim. Për ne, për aq kohë sa nuk ka një qasje të hapur kundrejt Kosovës dhe normalizimit me të, kjo do të thotë që fantazma e së shkuarës do të vazhdojë ta përndjekë Beogradin dhe do të vazhdojë ta pengojë kombin serb që të kryejë një katarsis kaq të nevojshëm që ende mungon.
Moderatori: A mund të pyes për shqiptarët shkallën e ndryshimit? Gjithkush që e ka vizituar Shqipërinë gjatë 25 viteve të fundit mund të shohë besoj ndryshime të jashtëzakonshme materiale, sidomos që kur ju jeni bërë kryeministër ka një rritje me faktor tre të PBB-së për frymë dhe të PBB-së përgjithësi ka shumë rritje, po ndërkohë ka një numër të masë shqiptarësh që kërkojnë të largohen. Keni patur një shkallë shumë të lartë të migracionit të jashtëm që është i pranishëm edhe vende të tjera e Ballkanit Perëndimor. Pra pyetja ime është se si e shpjegojmë këtë? Pavarësisht se keni qenë shumë më të suksesshëm, një numër i madh shqiptarëshvendosin të largohen nga vendi që të jetojnë e të punojnë diku gjetkë.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, më duhet t'i përgjigjem shpesh kësaj pyetjeje, por jo shpesh në një vend si ky, ku migracioni njëherë e një kohë ishte e vetmja rrugëzgjidhje që shihnin qytetarët e këtij vendi, e që ishte mënyra e të qenit, mënyra e jetesës së irlandezëve në vendin e tyre si zgjidhja më e mirë për të ardhmen me më shumë shpresë. Kjo nisi të ndryshojë jo thjesht kur Irlanda nisi të zhvillohej, por kur Irlanda filloi t'u jepte njerëzve arsyet për të bërë një zgjedhje midis largimit dhe qëndrimit dhe jo largimit si e vetmja zgjidhje dhe kjo është diçka që do të vijë edhe për ne. Por nga ana tjetër nuk duhet të nënvlerësojmë natyrën e botës së re. Është një botë e re që të rinjve ju shkon përmes ekraneve të smartfonëve dhe shfaqet jo me ngjyrat e saj të vërteta, por me ca ngjyra të mrekullueshme dhe është shumë e vështirë të mendosh për të rinjtë që jetojnë në një zonë të thellë të Shqipërisë, që të mos tërhiqen e të thonë “ah një orë larg këtej është kjo gjë kaq e mrekullueshme ndërkohë që janë të rrethuar nga pak mundësi, kështu që pse mos të shkoj tek e ardhmja që është larg një orë sesa të pres një të ardhme që do dojë 10 vjet”. Pra, është një botë krejt ndryshe.
Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia, nuk duhet harruar që shqiptarët kanë qenë përherë njerëz që kanë lëvizur dhe befas në mes të shekullit të mëparshëm u mbyllën, u rrëzuan nga një forcë mjaft mizore nga një regjim që e shndërroi Shqipërinë në një Kore të veriut të Europës dhe për gjysmë shekulli nuk na lejohej të lëviznim dhe largimi nga vendi ishte tradhti e lartë. Kështu që edhe kjo duhet marrë në konsideratë. Ka shumë faktorë edhe pse po njerëzit vazhdojnë të largohen, ka edhe njerëz që po kthehen dhe do të ekuilibrohet si për çdo vend tjetër kur Shqipëria të nisë t’iu ofroj njerëzve diçka të ngjashme me mesataren e Bashkimit Europian. Deri atëherë do të na duhet që të përballem me këtë.
Moderatori: Dua t'ju kujtoj të gjithëve këtu dhe në internet që mund t'i drejtoni pyetje kryeministrit në qoftë se jeni online, mund t'i bëjmë përmes funksionit pyetje përgjigje dhe këtu në sallë dhe do ta bëjmë këtë për pak. Mund të ngrini dorën. Kam një tjetër pyetje kryeministër që ka të bëjë me protestat që nisen në maj. I ashtuquajturi revolucion Flamingo që pastaj u shndërrua në protestë qeveritare dhe pastaj u përshkallëzua në më tepër gjëra që ishin protestë kundër qeverisjes, antikorrupsionit dhe shtetit të së drejtës. Mund na thoni diçka për këtë dhe a e ndërlikon kjo detyrën tuaj për të bindur Komisionin dhe Këshillin se ju po bëni përparim sidomos në kapitullin 23-24 që janë më thelbësorët në procesin e anëtarësimit
Kryeministri Edi Rama: Në fakt sa i takon Komisionit, aq sa i sofistikuar është komisioni, një torturë për vendet që duhet të anëtarësohen, është po kështu një makineri shumë e sofistikuar për të përftuar faktet dhe për t'i vlerësuar vendet mbi baza faktike dhe kjo është ana pozitive sepse sot merr shumë raporte që mbështeten në perceptime, që mbështeten edhe në interesa të caktuara, ndërkohë që raporti i Komisionit është vërtetë një vlerësim vërtetë shumë tërësor dhe i besueshëm i asaj çfarë shkon mirë, asaj çfarë nuk shkon mirë, i asaj çfarë është bërë, asaj çfarë nuk është bërë mjaftueshëm, e asaj çfarë duhet bërë. Kështu që pas kaq shumë indinjate me një amplifikim të jashtëzakonshëm në botën, në median botërore, morëm një raport që në fakt nuk ishte aspak influencuar nga kjo në asnjë lloj forme kur bëhet fjalë për faktet. Në këtë kuptim nuk ka asnjë shans që kjo gjë do të ndikojë në ndonjë mënyrë Komisionin, sepse është e pamundur të influencosh, të ndikosh te Komisioni. Është një makineri e pamëshirshme burokracie që nuk mendoj se është kopjuar ndonjëherë nga njerëzimi dhe është e pamundur të kopjohet, është unike. Nga ana tjetër, le të jemi të sinqertë, të drejtpërdrejtë. Ky revolucion i flamingove që emrin e ka shumë tërheqës është rezultat i një urrejtje kundër Donald Trumpit. Nëse hija e Donald Trump nuk do të ishte në sfond të kësaj çështjeje mjedisore që në fakt nuk është as çështje, atëherë nuk do të kishit dëgjuar për flamingot në Shqipëri. Kështu që të gjithë kundërshtarët, oponentët, kritikët, ata që urrejnë DonaldTrumpin gjetën bulevardin e Tiranës për ta bërë këtë betejë. Njësoj si Cezari që gjeti Shqipërinë e jugut për të pasur fjalën e fundit kundër Pompeut. Kështu funksionon sot. Ajo çfarë kam përjetuar është sa e vështirë është sidomos për një vend të vogël për të hedhur të vërtetën në këtë hapësirë të stërmadhe të medias sot, kaq shumë gënjeshtra, kaq shumë gjysmë të vërteta që jam edhe janë dhe më keq sesa gënjeshtrat janë shpërndarë dhe jam i sigurt që po t'ju pyes tani do të mendonit sikur Irlanda është privatizuar nga familja Trump. Mendoni kështu?
Moderatori: Jo, nuk mendoj.
Kryeministri Edi Rama: Çfarë mendoni se është?
Moderatori: Si shqiptar unë do të isha i shqetësuar që të isha pranë familjes Trump sepse kemi një tjetër peizazh krejt në Washington nga janari, do të ketë hetim serioz për Trumpin dhe njerëzit pranë tij dhe rrezikoni që të shkatërroni imazhin e vendit tuaj në këtë kohë kaq të rëndësishme duke qenë shumë pranë asaj çfarë perceptohet si administrata më e korruptuar amerikane ndonjëherë
Kryeministri Edi Rama: Edhe kjo është diçka e rëndë për t'u përballuar. E para sepse si shqiptar kam përshtypjen që irlandezët janë shumë të ngjashëm me shqiptarët kur bëhet fjalë për këtë. Ne nuk jemi francezë, jemi kokëfortë e të pasofistikuar.
Moderatori: Shpresoj të mos ketë ndonjë francez këtu?
Kryeministri Edi Rama: Jo jo, sepse francezët janë fleksibëldhe të sofistikuar. Ne nuk jemi kaq të sofistikuar dhe mund edhe të krenohemi që nuk jemi kaq të sofistikuar, që t'i themi të vërtetat për ato interesat e përditshme. Kur u zgjodh Trump mu tha që isha shumë rrezik sepse jam mik me Gorge Sorosin dhe të birin dhe është e vërtetë. Megjithatë unë nuk diskutoj as miqësinë as besnikërinë me miq që i kam për një kohë të gjatë, por ka dhe një të vërtetë të tjetër që e kam thënë dhe askush nuk shkruan për të apo e thotë se kur kam takuar Jared Kushnerindhe bëmë bisedën e parë për këtë projekt, e ardhmja e DonaldTrumpit nuk ishte kaq e qartë. Ai ishte një person që ende nuk kishte kandiduar, por që ishte shumë qartë një kandidat për të shkuar në burg. Pra, nuk e mendova këtë gjë. Pashë një amerikan i cili donte të bënte diçka në vendin tim. E duke qenë se Shqipëria është shumë mikpritëse ndaj amerikanëve, qofshin ata, pra qoftë ky i biri i George Sorosit apo dhëndri i DonaldTrumpit. E duke qenë se unë edhe e urrej këtë lloj logjike sepse vij nga komunizmi ku të ishe djali apo dhëndri i dikujt mund të të çonte deri në burg apo mund edhe të të ngrinte lart, por nuk mendoj që i përkasim një civilizimi, një kulture që duhet të kushtëzohet nga këto lloj lidhjesh e teorish, por duhet t'i gjykojë gjërat sipas meritës. Kështu që unë as nuk dua t'ja di se çfarë do të ndodhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ajo çfarë di është që kur bëhet fjalë për këtë projekt nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka asgjë për të pasur frikë dhe nuk ka asgjë tjetër përveçse të qenit krenar për këtë gjë. Diçka për të bërë diçka transformuese për vendin tonë dhe për t'u përpjekur e për të krijuar një destinacion i cili do të tregojë se zhvillimi e mbrojtja e natyrës nuk janë domosdoshmërisht kundërshtuese të njëra-tjetrës, por mund të jenë përplotësuese dhe e gjithë bota mund të hidhet përpjetë përmes kanaleve, medias sociale për të thënë të kundërtën për shkak të urrejtjes, për shkak të xhelozisë, për shkak të keqkuptimit, për shkak të keqinformimit, për shkak të diçkaje, por faktet janë fakte dhe mënyra për këtë është që kemi një faqe që është Pasqyra e Flamingove. Mund të shkosh atje dhe të gjesh faktet. Nuk gjen retorika, shpjegime, thjesht fakte. E përmes fakteve do të shihni që Jared Kushner nuk ka marrë as një trajtim të ndryshëm që ju është dhënë edhe investuesve të tjerë lokal e ndërkombëtar, nuk ka probleme me koncesion, nuk ka asnjë projekt, një marrëveshje sepse ne ende jemi duke negociuar dhe sepse pala jonë është në pozicionin ku mendon se publiku shqiptar duhet të jetë një aksionar, një aktor në këtë proces. Dhe vetëm 8% e ishullit mund të ndërtohet ndërkohë që kur bëhet fjalë për pjesën tjetër të investimit nuk është paraqitur asnjë problem. Pse nuk është paraqitur asnjë problem? Sepse qeveria shqiptare ka qenë shumë rigoroze për të kërkuar një projekt që të jetë simbol, emblem në Europë. Jo një spekulim, jo diçka që do ta lidhë imagjinatën kolektive me një zhvillim të pamendueshëm amerikan e kështu me radhë.
Moderatori: A do të thoshim që këta njerëz janë të korruptuar në mënyrë të të pariparueshme? Çfarë do të thotë? Çfarë do të thotë këta njerëz?
Kryeministri Edi Rama: Ajo për të cilën unë shqetësohem është si të bëj më të mirën për vendin tim, si të sjell investime në vendin tim dhe si çdo investim dhe çdo zhvillim të mbështetet në parimet dhe kufijtë ligjorë që i detyrojnë të gjithë t'i përmbushin ato sesa pastaj kur vjen fjala t'i gjykosh njerëzit si të ndershëm apo të korruptuar sinqerisht nuk është mënyra se si e shoh unë botën. Kush është i ndershëm e kush është i korruptuar përcaktohen nga Kodi i ligjit, nuk përcaktohen nga gjykata publike, nga sheshi, pra nga sheshi publik, pra gjithkush, qoftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Irlandë apo gjithkund, unë jam i gjatë, jam më i gjatë sesa Trumpi, po Shqipëria është shumë më e vogël sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra edhe pse jam i gjatë, nuk më takon mua që t'i shoh të tjerët nga lart, të gjykoj, të tregoj me gisht emra apo diçka tjetër. Jo, më fal. E kam parë njëherë këtë film nuk dua që të ri projektohet në një hapësirë demokratike, në një shoqëri demokratike, apo shoqëri evropiane. Gjithkush ka përgjegjësinë e vetë, duhet gjykuar në bazë të meritës dhe çdo rast duhet këqyrur në bazë të fakteve, sepse jetojmë në një botë që po humb pikënisjen.
Moderatori: Në fakt dhe tabloja që ndoshta protestuesit janë ndikuar nga jashtë është e padrejtë sepse ka qindra mijëra shqiptarë që kanë dalë në rrugë që janë thellësisht të shqetësuar për shtetin e së drejtës dhe për qeverisjen.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, qindra mijëra është një shifër që nuk përputhet as me popullsinë tonë e as me perimetrin e bulevardit tonë. Megjithatë nuk ka rëndësi. Në fillim të qershorit pati disa protesta masive që i morëm shumë seriozisht dhe i trajtuam sa i takon shqetësimeve në disa mënyra nga marrja e disa masave për ta sjellë qeverisjen tonë dhe shtetin më pranë teknologjisë së re, pra më pranë qytetarëve përmes teknologjisë së re që kemi vendosur në zbatim duke pasur 95% të shërbimeve publike online dhe ndërkohë tek hapa për të ndihmuar qytetarët ndërkohë që kostot e jetesës të rriten, po këto janë trajtuar. A ka patur ndikim të huaj? Ky është fakt, nuk është diçka që për të ofenduar ndokënd. Nuk e kam thënë kurrë që protestuesit janë organizuar nga regjimi iranian, kam thënë që regjimi iranian ka duart e veta në ndezjen e protestave përmes shumë ndërhyrjesh nëpërmjet medias sociale dhe ky është fakt.
Ka shumë duar të tjera që kanë hyrë dhe pas fillim qershorit protesta nuk ishte më ajo që ishte. S'ka më revolucion. Nuk ka më flamingo. Tani ka ca zogj të tjerë. Opozita politike. Një kombinim, skajesh nga e majta dhe e djathta ekstreme me të drejtën e tyre legjitime për t'u organizuar, për t’u mbledhur, për të bërë çfarë të duan dhe pastaj kishte dhunë. Dhunë që është e papranueshme. Kur bëhet fjalë për gjithçka tjetër, unë jam vërtetë i qetë sepse mund t'ju drejtoj të gjithëve tek raporti i Komisionit. A ka probleme në Shqipëri me korrupsionin? Ka, por a është vendi duke ndenjur duarlidhur apo po e lufton korrupsionin? Po. Vendi po e lufton korrupsionin. Po për herë të parë, për herë të parë kemi një sistem që po e lufton korrupsionin. Deri jo shumë kohë më parë korrupsioni ishte sistemi, ndërkohë që sistemi aktualisht po angazhohet kundër korrupsionit dhe ky është fakt. Ndaj besoj se jemi në një pozitë të mirë. Besoj se na duhet të rishpërndajmë më shumë, por për të rishpërndarë më shumë duhet të kesh më shumë. Nuk rishpërndan dot atë që nuk ke. Kështu që për çdo hap që krijojmë mundësi të reja, kemi rritur sasinë apo masën e rishpërndarjes.
Moderatori: Do doja tani që t'ja lija radhën auditorit.
- Unë në fakt jam në Universitetin e Irlandws dhe kam vizituar në Shqipëri në 2004 për herë të parë dhe duke qenë se kam jetuar në Kaukaz, në Azinë Qendrore, kur kam vizituar për herë të parë Tiranën pyesja veten si është e mundur që gjithë këto ndërtesa janë lyer me ngjyra kaq të shndritshme dhe pyeta kush e ka bërë? Më thanë kryetar i bashkisë dhe ishit ju aso kohe dhe kjo shpjegon edhe profilin tuaj si artist. E patë atë si një mundësi për të ridekoruar vendin. Dua t'ju pyes për takimin e nesërm të Komunitetit Politik Evropian. Cilat janë pritshmëritëtuaja? Sepse ka disa kritika lidhur me këtë format që ndoshta është shumë i gjerë, që nuk ka konkluzione kur mbyllet, çfarë perspektive i shërben ajo dhe aktualisht ndërkohë që jemi këtu, po zhvillohet takim një takim në Abu Dhabi, bisedime twsponsorizuara nga Amerika për Ukrainën, por do të diskutohet dhe arkitektura e sigurisë së Evropës. Pra edhe Donald Trumpika kërkuar që të ketë një përfshirje të Evropës. Pra këtu në Dublin po flasim për të ardhmen e Evropës, por diku atje larg në Abu Dhabi udhëheqësit e Amerikës dhe të Rusisë mendojnë që po flasin po kështu për të ardhmen e Evropës.
- Faleminderit kryeministër që erdhët dhe që po bëni këtë bisedë kaq interesante. Në fakt urime e Shqipërisë për përparimin e jashtëzakonshëm që ka bërë, e kam parë kur kam qenë atje. Pyetja ime në një kuptim është e ngjashme me atë të mëparshmen. Si një vend që jetoni në zonën ballkanike, si e shihni situatën me luftën në Ukrainë? Si mund të zgjidhet? E di që marrëdhëniet tuaja me Rusinë kanë rënë në një nivel shumë të ulët për shkak të luftës, por duke qenë se jetoni në një rajon që nuk është kaq pranë dhe nuk jeni midis Ukrainës dhe duke qenë se vini nga një e shkuar e gjatë komuniste. A keni ndonjë ide se si mund t'i jepet fund të gjithës kësaj? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Pak a shumë janë dy pyetje këtu. Së pari do ta nis nga e fundit. Nuk është se niveli i marrëdhënieve me Rusinë kanë rënë. Ne nuk kemi pasur marrëdhënie me Rusinë qysh prej viteve ’60 kur Shqipëria rreshti së angazhuari me bllokun lindor edhe njëherë në emër të besnikërisë sepse diktatori ynë tha që nuk do të ndiqte Krushovin dhe pjesën tjetër që i konsideruam tradhtarë për Shqipërinë do t'i rrijë besnike Stalinit. Kështu që edhe kur rusët vetë hoqën dorë nga Stalini, shqiptarët e mbajtën fort Stalinin.
Kjo vazhdoi deri në 1990, sepse Josif Visarjonoviç ishte në një prej shesheve tona si monument, pastaj qysh prej viteve 1990 lidhëm marrëdhënie diplomatike, por në nivel shumë jodomethënës dhe jemi i vetmi vend në Europë, që nga aeroporti i të cilit nuk ka pasur asnjë fluturim drejt Kremlinit që nga vitet '60 e asnjë fluturim nga Kremlini në Tiranë. Nuk kemi pasur asnjë takim të nivelit të lartë. Kjo është marrëdhënia jonë dhe sinqerisht nuk është se na merr malli për Rusinë. Nuk shoh ndonjë ‘’oreks’’ për tu angazhuar me Rusinë në ndonjë nivel të lartë. Për shkak të kësaj mund të them pa pasur frikë se mund të konsiderohem "buratin’’ i Rusisë, që Europa ka bërë një gabim shumë të madh qysh prej ditës së parë — dhe bëhet gjithmonë e më e qartë kjo gjë dhe po kushton gjithmonë e më shumë, që hoqi dorë nga diplomacia dhe që e përqendroi gjithçka tek armatimet, duke ndryshuar praktikisht natyrën e vetvetes, sepse Evropa gjithmonë është prirur drejt diplomacisë. Nuk është prirur së pari drejt armatimeve, ndaj vënia bast tek një fitore përfundimtare kundër Rusisë dhe ndalja e çdo lloj bisedimi me Rusinë, ishte një gabim i madh. Pastaj, Europa që ia jashtëkontrakton këtë përpjekje për paqe Donald Trump-it dhe Witkoff-it, është diçka që do të mbetet në librat e historisë së Evropës si diçka e qortueshme.
Fakti, siç e tha zotëria më parë, që sot në Abu Dhabi është Ukraina, Rusia, Shtetet e Bashkuara, por nuk është Evropa. Por a ka kohë për të rikuperuar e për t'u angazhuar? Nuk e di, nuk jam i sigurtë. Megjithatë, është mendimi im dhe natyrisht që nuk them se Europa nuk duhet të bënte atë çfarë ka bërë për Ukrainën e që nuk duhet të bënte atë çka në fakt është bërë në mënyrë mjaft këmbëngulëse në kuptimin e mbështetjes së Ukrainës, e përkrahjes së saj, angazhimit të financimeve e të tjera për Ukrainën. Jo, këto duhet të ishin bërë. Për fat të keq edhe njëherë në fakt e pamë që ishim vonë për të bërë atë çfarë duhej bërë më parë sepse nëqoftëse diskutimet për hapësirën ajrore duhet të kishin shkuar në drejtimin që Zelensky kërkoi në fillim, gjërat do ishin ndryshe. Pra lufta, rezistenca, mbrojtja e integritetit territorial, po duhen bërë, por të mos flasësh çfarë nënkupton? Shfarosje? Pra, sigurisht që u përmend arkitektura e sigurisë europiane dhe sigurisht, po, kjo krizë ishte një mundësi për të rishikuar disa siguri që mund të jenë të vjetërsuara sa i takon mënyrës se si ne duhet të riangazhohemi në këtë kontinent. Qysh kur kam qenë fëmijë gjyshja ime sigurohej që unë ta dija, të ma thoshte që fqinjët nuk ishin zgjedhja jonë, fqinjët ishin ata që ishin dhe Rusia nuk do të shkojë asgjëkundikështu që nuk është as e bëshme që të mendojmë që do të jemi në një luftë të përhershme me Rusinë apo që nuk do të flasim me Rusinë.
Ndonjëherë njerëzit pyesin, ‘’po a mund t'i besosh VladimirPutinit’’? Po nuk është kjo pyetja. Pyetja është ‘’çfarë është në interesin tonë’’ dhe ne duhet të luftojmë për atë çka është në interesin tonë. Qysh prej ditës së parë, që prej fillimit, ishte e qartë që lufta në Ukrainë për Putinin nuk ishte thjesht një luftë kundër Ukrainës. Ishte një luftë kundër Europës. Ishte një luftë për të rrëzuar Europën. Ishte një luftë që do të mbështetej në lodhjet e shoqërive demokratike ku nuk mund të përdorësh 1.3 milionë ushtarë siç bën ai dhe të gëzosh popullaritet dhe heshtje nga 1.3 milionë familje që nuk mund të flasin, në të kundërt iu rrezikohet jeta. Europa është një mozaik demokracish, partish, grupesh që kanë pikëpamje të ndryshme dhe sigurisht që në fund të fundit, Europa ka qytetarë, pra lidhet me qytetarë të cilët për mirë ose për keq, e masin moralin e një lufte jashtë vendit me jetueshmërinë, me kushtet e jetesës në vendin e tyre për të shkuar apo për të marrë një nga gjërat interesante që po ndodhin. Nuk mund ta kuptoj, por edhe njëherë, ndoshta sepse nuk jam një njeri i sofistikuar, por nuk e kuptoj se si për shembull në Gjermani, mund të ketë gjykim moral për Angela Merkelinsepse preferoi gazin e lirë rus. Imagjinojeni që Angela Merkelinë atë kohë t'ju thoshte gazetarëve që, “ka një regjim në Rusi që është shumë mizor. Unë propozoj që të mos blejmë më gaz prej tyre, por do ta blejmë nga Katari. Do jetë më i kushtueshëm, por është moralisht më i pastër’’.
Ka shumë gjëra që po ndodhin, por një gjë është e sigurt, që më gjen më rehat që të flas për këtë temë, sepse askush nuk do t'i kërkojë Shqipërisë që të zgjidhë gjë dhe askush nuk i vë dot faj Shqipërisë që nuk zgjidh gjë. Kjo është e mira e madhe që Shqipëria të jetë në këtë familje sepse kur çmenden është faji i tyre dhe kur ka sukses, ne jemi pjesë e suksesit.
Për KPE-në është e vërtetë. Çdo shpikje franceze është i ndërlikuar dhe nuk është se e them unë këtë. Gjenerali de Gol e ka thënë edhe më mirë se unë. ‘’Një vend me 2000 lloj djathërash nuk është një vend i lehtë për t'u kuptuar’’, por është një shpikje franceze, sepse qysh prej abatit të Shën Pjetrit, një francez që e pa Evropën nga lentet e një komuniteti politik, edhe pse paqja e përhershme atëherë mbështetej pikërisht te nevoja për të bërë paqe me Rusinë dhe me Turqinë, që në atë kohë ajo pjesë i përkiste Turqisë. Pra ky është kuptimi i kësaj gjëje dhe ndërkohë edhe hezitimi i Francës për ta zgjeruar Europënpërmes Bashkimit Evropian e për ta parë si komunitet ku ka nivele të ndryshme, lloje të ndryshme partneritetesh e kështu me radhë. Sidoqoftë në kohërat ku jetojmë, është diçka e mirë për t'u bërë e që ndodh. Patjetër është e vërtetë. Nuk është se ka një ndjekje në vijim, pra një follow up dhe është një problem. Por ndërkohë a ka një potencial? Po, ka potencial për ta bërë një komunitet më të artikuluar, sidomos kur bëhet fjalë për arkitekturën e sigurisë, por edhe njëherë, askush nuk po e pyet Shqipërinë se si ta bëjmë këtë gjë. Ne jemi të lumtur që jemi aty, të ndjekim, përpiqemi të themi atë që mendojmë e kaq. Motoja ime është shumë e thjeshtë ‘’Thuaj atë që mendon, po bëj atë që thonë’’ dhe je në rregull.
- Faleminderit shumë, Kryeministër që gjetët kohën të flisnit me ne. Unë jam ambasadore. Në fakt kam qenë në Shqipëri, kam qenë edhe në rajon dhe më duhet ta them që ka një zhvillim të jashtëzakonshëm. Pra unë jam një mesdhetare, jo ballkanase, shumë mesdhetare, por është e jashtëzakonshme të shohësh përshpejtimin e përparimit gjatë viteve të shkuara apo të hedhësh sytë, pra krahasuar me 15 vjet më parë. Dua natyrisht të pyes lidhur me punën që po bën Shqipëria nëse, apo cili është kursi, pra mendoni që ka patur një ndryshim në negociata me grup- kapitujt që e ka bërë të mundur këtë përshpejtim apo qoftë edhe lufta në Ukrainë që e ka bërë këtë të mundur me vendet e rajonit apo ndoshta një ndryshim perceptimi i vendeve anëtare? Ku e shihni elementin kryesor dhe nuk di nëse parashikoni ndonjë pengesë edhe pse keni qenë shumë i kujdesshëm duke thënë 2027-28 për mbylljen e negociatave. Pra ku i shihni pengesat në të ardhmen ndërkohë që vazhdonin në këtë rrugë mjaft të mbarë drejt anëtarësimit.
- Unë jam nga projekti ‘’Future of Europe’’ në Institutin Ndërkombëtar për Europën. Faleminderit kryeministër dhe përgëzime për raportin e progresit. Natyrisht ka disa hije të errëta që përmenden në raport e njëra prej tyre lidhet me korrupsionin, siç e përmendët, ku thuhet se korrupsioni mbetet një çështje vërtetë shqetësuese. Ju folët që keni një sistem për të luftuar korrupsioni, nëse mund ta shtjelloni. Po kështu raporti thotë që nuk ka dialog me studentët. Siç e thatë edhe vetë, dialogu është rruga për të zgjidhur problemet. A nuk po e nënvlerësoni këtë thellësi ndjesie në vend, rreth shqetësimeve mjedisore, rreth mënyrës se si vendi po e promovon zhvillimin e turizmit e kështu me radhë e që ndoshta këta njerëz vërtetë kanë arsye për t'u ankuar për këtë dhe më së fundi marrëdhëniet me Greqinë. A jeni të kënaqur me marrëdhëniet me Greqinë? A jeni të shqetësuar se mos mund të ketë ndonjë problem të mundshëm përpara anëtarësimit siç kemi parë midis Kroacisë dhe Malit të Zi.
Kryeministri Edi Rama: Së pari ka diçka shumë të rëndësishme në gjuhën e raportit që më duhet ta theksoj. Për herë të parë raporti nuk flet më për korrupsion gjerësisht të përhapur, por thotë korrupsioni mbetet shqetësim. Mjaft e drejtë. Pra, ka përparim real lidhur me këtë. Çfarë nënkuptoj me sistemin që lufton korrupsionin? Nënkuptoj që prej vitit 1912 kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane dhe filloi apo nisi të ishte një shtet e deri pesë vjet më parë, nuk ka patur kurrë një rast kur dikush me pushtet është gjykuar nga një gjyqtar i pavarur. Ka pasur ministra që janë vrarë, janë varur, por jo nga një gjyqësor i pavarur, por vetëm në një sistem jo demokratik.
Ndërkohë që edhe gjatë sistemit demokratik tonin nuk kemi pasur kurrë një gjyqësor të pavarur dhe ajo çfarë bëmë e që mbetet një reformë kyçe, ishte pikërisht që të hiqnim dorë nga të mbërthyerit të gjyqësorit nga politika dhe e bëmë ne, partia jonë dhe keni parasysh në fakt atë pamjen e drejtësisë, që është me sy mbyllur, me shpatën në dorë e me peshoren dhe kjo u bë përmes ndryshimeve kushtetuese ligjore dhe kjo shpatë iu dha në dorë prokurorëve gjyqtarëve të pavarur.
Tani shpata po kërkon kokat e mëdha në pushtetin politik dhe sigurisht që nuk është diçka e lehtë për t'u përballur, është e dhimbshme, por është mënyra e vetme. Ajo çfarë duhet të bëjmë, është thjesht të mbështesim këtë pushtet të ri të pavarur dhe të vazhdojmë të ecim përpara edhe pse sytë nuk janë kurrë të mbuluar plotësisht dhe peshorja nuk është gjithmonë e ekuilibruar, por është pjesë e procesit dhe kjo është ajo çfarë nënkuptoj kur them që sistemi po e lufton korrupsionin. Nuk ka më mbrojtje në asnjë lloj mënyre a rruge për askënd që del përpara drejtësisë. Ka patjetër tejkalime gjyqësore, gjëra të ngjashme, por siç e thashë janë pjesë e procesit.
Kur bëhet fjalë për Greqinë, mund t'ju them që kemi të gjitha arsyet për të pasur marrëdhënie fantastike me Greqinë. Për momentin janë të shkëlqyera, por jemi fqinj. E midis fqinjësh ka gjithmonë mundësi për të pasur diskutime, debate, ndonjëherë ka dhe fantazma që kthehen, por shpresoj jo, që nuk do të jetë ky rasti. Po, kemi një çështje të pazgjidhur kur bëhet fjalë për pjesën e kufirit detar, por kemi rënë dakord që të shkojmë në gjykatë ndërkombëtare. Është diçka që do të zgjidhet nga një palë e tretë. Lidhur me atë çfarë u tha për mjedisin, edhe njëherë mendoj që ajo çfarë po përdorim gjatë gjithë kohës si botë demokratike, është ajo çfarë është linja fillestare, pikënisja. Gjithmonë e më tepër po shkojmë drejt ekstremeve.
Pra, në qoftë se deri disa vite më parë sfida ishte që qendra të kishte mundësi të fitonte zgjedhjet, sot qendra është bërë si një varr masiv dhe ekstremet janë bërë edhe më ekstreme dhe partitë më tradicionale po vihen gjithmonë e më tepër përpara dilemës a të punojnë apo jo me ekstremet. Këtë unë e shoh si rezultat i diçkaje thelbësisht të ligë që ne po e lejojmë dhe kur flas ne, flas për botën demokratike që është zëvendësimi i lirisë së fjalës me lirinë e shpërndarjes. Po të kthehemi pak pas në kohë ku informacioni varej nga media tradicionale, nga gazetat e televizionet, kishte një instrument shumë të thjeshtë që e garantonte bazën që ishte kontrolli i fakteve. Kontrolli i fakteve ishte filtër për të mos lejuar që gjithçka të mbërrinte lirisht tek kudo, që të mos lejonte imagjinata të dëmshme apo thënie që të mbërrinin tek të gjithë. Pra nuk kishte liri shpërndarjeje për çka ishte e turpshme, për çka ishte e neveritshme apo produkte të tilla që vinin nga mendja.
Ndërkohë që kjo ka marrë fund. Sot liria e shpërndarjes po mbyt lirinë e fjalës, po i merr frymën së vërtetës dhe faktikisht baza po avullon, nuk është. Gjithkush ka barrikadën e vet, ka siguritë e veta dhe nga kjo barrikadë, gjithkush tjetër është objektiv dhe dhuna, po kështu po ndizet nga ky lloj riorganizimi i raporteve që nuk janë më raporte mbështetur në respekt. Unë flas, ti dëgjon; ti dëgjon, unë flas, por mbështeten tek kush bërtet më shumë. E kush është më i aftë t’i mbyllë gojën tjetrit. Ju përmendët dialogun me studentët. Së pari, student është një emërtim shumë tërheqës për të imagjinuar ndryshimin. Megjithatë nuk shoh shumë studentë të angazhuar në këtë gjë dhe dhuna nuk është vepër e studentëve.
Ne kemi treguar me fakte se nga të gjithë personat e arrestuar në valën e parë të dhunës kishte vetëm një student dhe pjesa tjetër ishin njerëz me një të shkuar kriminale. Njerëz të cilët kishin pasur hesape me drejtësinë penale që dilnin të maskuar dhe nxisnin dhunën. Kështu që kjo është shumë e ndërlikuar. Është shumë e ndërlikuar dhe do të ndërlikohet edhe më shumë në qoftë se Europa nuk do të heqë vijën e kuqe për median sociale, nëse Europa nuk do të marrë masa për ta ndalur këtë liri të frenuar shpërndarjeje nga gjithkund, nga çdo platformë urrejtje, përçarje, antisemitizmi, antimyslimane e anti, anti, anti, anti dhe pastaj më duhet t'i përgjigjem zonjës.
Moderatori: Vvetëm për një moment.
Kryeministri Edi Rama: Po doja të shkoja direkt aty ku do të thonit po ndaloni përgjigjen e një zonje për shkak të avantazhit që keni si mashkull? Jo, ka një pyetje tjetër të një zonje.
Moderatori: Ju keni folur shumë për avantazhet e inteligjencës artificiale në OKB e gjithkund tjetër. A mund ta shtjelloni këtë? Shqipëria në fakt kapi imagjinatën e botës vitin e kaluar kur ju prezantuat një ministre të inteligjencës artificiale. Mund të flisni pak për këtë. Natyrisht pasi t'i përgjigjeni pyetjes së ambasadores.
Kryeministri Edi Rama: Për pyetjen e ambasadores do të thojathjesht që e vetmja pengesë që mund të parashikohet tani në këtë proces është zakoni i vjetër për të për t'u kthyer pas, sepse duhet të jemi shumë, shumë të qartë për atë çfarë e nxiti këtë riingazhim të Evropës me idenë e zgjerimit që ishte VladimirPutini. Pa Vladimir Putinin nuk do të kishim një proces kaq të shpejtë me hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Natyrisht, bazuar edhe në detyrat tona të shtëpisë të realizimit të tyre, po i kemi realizuar dhe më parë dhe e gjenim veten pastaj të ngecur midis vendeve të ndryshme disa vendeve të ndryshme europiane.Kështu që nëse Europa do të vazhdojë të ecë kështu dhe t'u mbetet besnike premtimeve të veta që nuk është diçka që është në ADN-në e Evropës, do të jetë shumë mirë. Në të kundërt do të përballemi, do të ndeshemi sërish me zakone të vjetra dhe historia do të jetë një tjetër histori, por unë jam tragjikisht optimist për këtë.
Kur bëhet fjalë për inteligjencën artificiale, nuk e di saktësisht se çfarë nënkupton, çfarë do të thotë zonja tjetër, por më duhet të them që për ne, teknologjia e re dhe inteligjenca artificiale kanë qenë bekime, sepse e shkuara jonë është ende e rëndë. Nuk vijmë nga një traditë e gjatë shteti, siç e përmenda, shteti ynë është i ri. Kemi nisur të ndërtojmë institucione vetëm në 1912, jo me shumë sukses për të qenë të sinqertë. Pastaj patën 50 vjet komunizëm, një makineri që u ndërtua për qëllime krejt të tjera dhe pastaj u shpërbë e tëra. Pastaj na u desh të riangazhoheshim.
Kështu që ka dy gjëra pa të cilat nuk do të kishim pasur mundësi të ishim këtu. Njëra është Bashkimi Evropian. E them gjithmonë se nëse Iraku, Afganistani, a ë tjerë nuk ia kanë dalë dot është sepse nuk kanë Bashkimin Evropian pranë tyre dhe nuk kanë perspektivën e Bashkimit Evropian. Sepse të ndërtosh institucione është vërtetë shumë e vështirë dhe Europa sot nuk di se sa është në gjendje të vlerësojë të gjitha avantazhet që vijnë nga shtresat e ndërtuara më parë brez pas brezi. Nuk mund të shpikësh një drejtësi të pavarur nëse nuk ke një traditë e nëse nuk ke Bashkimin Evropian që të rri mbi kokë, e në qoftë se nuk ke objektivin për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian; nga ana tjetër është teknologjia, sepse mund të thuash që do një administratë që është më e mirë, është më e shpejtë, është më efikase, por nuk je gjerman dhe kjo është mangësi kur të duhet të kesh një administratë më të mirë, më të shpejtë dhe më efikase dhe duhen breza për ta bërë këtë gjë. Ndërkohë që me teknologjinë mund t'i tejkalosh këto dhe ne, Shqipëria ka 95% të shërbimeve online.
Nëse pak vite më parë duhet të rrije në radhë për një certifikatë lindjeje e të jepje ryshfet, sot këtë certifikatë lindjeje e merr falas vetëm me një klikim e shumë shërbime të tjera. Për shembull inteligjenca artificiale po na ndihmon sepse Kroacia që pati rezultate të shkëlqyera në negociatën e Bashkimin Europian, iu desh shtatë vjet vetëm për të transpozuar korpusin ligjor në evropian në korpusin e vet ligjor duke angazhuar një ushtri juristesh, përkthyesish e hartuesish, ndërkohë që ne e bëjmë përmes një personi që është ministrja jonë e inteligjencës artificiale dhe shumë shpejt. Saktësia është mbresëlënëse. Tashmë po përpiqemi që të aktivizojmë një produkt që unë e kam ëndërr për ta thënë sinqerisht, për të pasur një proces plotësisht të kryer përmes inteligjencës artificiale që nëse do t'ia dilnim me sukses, do të ishte e jashtëzakonshme.
Është e ndërlikuar, por po punojmë për të dhe do të ishte vërtetë e shkëlqyer nëse do t'ua bënim dhuratë disa vendeve të mëdha që të kenë procese më transparente, efikase prokurimi.
Imagjinojeni Shqipëria që i bën dhuratë Gjermanisë dhe i thotë, "Bëje më të mirë sistemin tënd të prokurimit." Po deri atëherë duhet të presim e të shohim. Po shumë gjëra kanë ndryshuar sot. Shqipëria është apo renditet e para në rajon për prokurimet publike.
Është diçka që disa vite më parë do të ishte e pamundur që ta përfytyroje, por përmes teknologjisë e përmes shumë ndryshimeve që kanë ndodhur falë Bashkimit Evopian, kjo është bërë e mundur. Kështu që në fakt Bashkimi Evopian dhe teknologjia dhe inteligjenca artificiale është ajo çfarë mund ta bëjë një vend që të përparojë bazuar në institucionet dhe kjo e bën bekim të qenit në mes të Evropës duke pasur një të shkuar shumë të vështirë.
Moderatori: Më kujtuat ,zoti kryeministër ngjasi ngjashmëritë midis Shqipërisë dhe Irlandës 1912-1921, ne kaluam revolucionin industrial. Shqipëria ka bërë të njëjtën gjë. Ne si Shqipëria jashtë komunitetit evropian ishim të varfër, ishim periferikë, kishim këtë histori migracioni, por e kthyem çdo gjë përmbys siç e tha pjesërisht, falë anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kështu që ju urojmë më të mirën. E kemi kohën nëse kryeministri..
Kryeministri Edi Rama: Jam i juaj deri nesër se nesër, se neswr duhet të shkoj te KPE-ja.
Moderatori: Kam disa pyetje të tjera. Një pyetje që ka të bëjë me SPAK-un, organizmin kundër korrupsionit që keni në Shqipëri dhe përshkruan akuzat kundër disa ish-zyrtarëve të lartë sa i takon përvetësimit të fondeve dhe pyetja është e lidhet drejtpërdrejtë me procesin e zgjerimit, që nëse po ndodhin këto procese, nëse po ndodh kjo gjë në Shqipëri dhe çështja e anëtarësimit është në thelb një çështje besimi sepse vendet anëtare që pranojnë të anëtarësojnë, kryen një akt besimi përkundrejt atyre që janë kandidatë. Pra, ideja është, pyetja është që si kërkoni që t'ju besohet institucioneve shqiptare ndërkohë që pjesë e drejtuesve të tyre janë nën hetim në Shqipëri?
Kryeministri Edi Rama: Përgjigja është e thjeshtë. Gjithkush mund të jetë në hetim dhe normalisht të mos ndikohet. Kjo është thelbi i besimit. Në fakt nuk më kujtohet Irlanda, por e gjithë lista e vendeve të Bashkimit Evropian kundrejt perceptimit të popullsive të tyre për korrupsionin.
Dhe pa gjejeni, disa prej vendeve që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe perëndimore, kanë në popullatën e tyre një perceptim më të lartë për korrupsionin sa ç’ kanë shqiptarët për Shqipërinë. 91% për shembull në një prej vendeve, mendonin se vendi është i korruptuar, qeveria është i korruptuar, gjithkush është i korruptuar. Tani, a është e vërtetë? Sigurisht që nuk është e vërtetë, por nga vjen? Edhe njëherë, vjen nga e keqja që po lejojmë të përcaktojmë mënyrën si i shohim gjërat, quhet media sociale që po përkeqëson dita- ditës edhe median e zakonshme që po bëhet gjithmonë e më tepër si media sociale duke iu shkuar pas gjithçkaje që duhet thënë sa më shpejt të jetë e mundur por jo domosdoshmërisht të kontrollohet siç duhet.
Pra si mund të mendojnë të gjithë qytetarët e Evropës që vendi i tyre është i korruptuar në atë nivel. Kjo është e rrezikshme. Por thënë kjo edhe njëherë, duke shkuar te kjo pyetje dhe të gjitha pyetjeve lidhur me këtë është shumë e thjeshtë. Askush nuk ka pretenduar së paku unë po mendoj, së paku te ne, por besoj dhe në Irlandë askush nuk pretendon që ka ndonjë vend apo ndonjë qeveri që është e imunizuar me përkufizim nga korrupsioni. Ja pse ka sisteme të ekuilibrit të pushteteve, ato që janë hetimore dhe ja pse herë pas here ka fakte që dalin në dritë dhe tregojnë se ka qëndrime apo vepra të cilat janë të ndëshkueshme. Kjo është çështja. Nuk gjykon qeverinë, nuk gjykon një organizatë, nuk gjykon një vend a një familje, sepse anëtarë të tyre janë kapur me sjelljen e gabuar.
Gjykoni se si kjo qeveri, ky vend, kjo familje reagon ndaj kësaj sjelljeje të keqe dhe ajo çfarë për Shqipërinë është përcaktuar prej vitesh të tëra si një vend me një kulturë pandëshkueshmërie, ka ndryshuar tashmë me qasjen që është një vend ku nuk ka më kulturë pandëshkueshmërie, por natyrisht vendet të gjitha duhet për përballen me çështjet e korrupsionit në dritë të diellit, duhet të vazhdojnë të luftojnë, ta bëjnë, t'i bëjnë gjërat më mirë dhe kjo është ajo çfarë ne po bëjmë.
Ja pse Komisioni Evropian po na përgëzon. Ju nuk ju kujtohet se si ishte të punoja me Komisionin Evropian kur ishit pozicionin tonë. Mund t'jua them, është tortura më e sofistikuar që mund të imagjinoni. Nuk ka asnjë lloj shansi për të fajësuar torturuesin. Kështu që kur Komisioni thotë kjo është në rregull, më besoni, ajo gjëja është në rregull dhe kur ka shtete anëtare që thonë se Komisioni nuk ka qenë i saktë, ka diçka pas kësaj, o një interes i brendshëm, o një politikë e brendshme, o ndonjë gjepur e këtij lloji, por Komisioni është i saktë. Këtë mund të them unë. E di që shtetet anëtare i vënë fajin Komisionit për të tjera arsye të bashkëekzistencës në familje. Po për këtë nuk them dot asgjë sepse nuk jemi ende pjesë e familjes. Por deri më tani falë Zotit që kemi Komisionin, në të kundërt do të kishim humbur, tërësisht të humbur në përkthim dhe do të ishte e tmerrshme.
Moderatori: Si dikush që ka lexuar dokumentet e zgjerimit të Komisionit prej vitesh jam dakord me ju. Është formë torture të kalosh faqe.
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo, faqe pas faqe nuk është torturë, është e pamundur. Ja pse japim bonuse të veçanta për të gjithë ata në Shqipëri që do duhet të përballen me Komisionin sepse këta njerëz jo vetëm meritojnë të marrin merita, por meritojnë simpati e solidaritet sepse janë të detyruar të lexojnë qindra faqe që e bëjnë James Joyce të duket ca më njerëzor e pak më afër të kuptuarit racional. Po ja që kështu është.
Moderatori: Ndoshta mund të mos ta keni parë, po ka një qendër të James Joyesit në rrugën përballw këtu. Dua t'ju falënderoj zoti kryeministër për këtë bisedë kaq të zgjeruar e ndriçuese e që ishit të gatshëm t'ju përgjigjeshit kaq shumë pyetjeve nga kolegët këtu dhe online. Dua t'ju uroj më të mirën edhe për takimin evropian.
Siç e thashë më parë, Irlanda e njeh këtë ndjesinë se çdo të thotë të jesh një vend i vogël e të jesh në periferi të diçkaje më të madhe dhe e natyrisht do të thotë ta përdorësh anëtarësimin në këtë entitet për të mirën e vendit. Falenderoj.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë për mikpritjen. Dua të falenderoj të gjithë që u bashkuan me ne. Nuk e di se sa e dobishme ishte, por largohem me shpresën që nuk ishte e mërzitshme. Faleminderit shumë./dritare.net