Strasburgu: Arrestimi i Fredi Belerit ishte i ligjshëm, por ...
Dritare.net

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka vendosur se arrestimi dhe vendosja fillestare në paraburgim e Fredi Belerit, në maj të vitit 2023, ishin të justifikuara dhe të mbështetura në arsye të mjaftueshme. Megjithatë, Gjykata konstatoi se mbajtja e tij në paraburgim, të paktën nga 19 korriku 2023, nuk justifikohej më, duke shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për këtë shkelje, Shqipëria duhet t'i paguajë Belerit 450 euro dëmshpërblim dhe 5 mijë euro për shpenzimet gjyqësore.
"Çështja Beleri kundër Shqipërisë (kërkesa nr. 28070/23) kishte të bënte me arsyet e mbajtjes për nëntë muaj në paraburgim të një kandidati për kryetar bashkie, Dhionisios Beleri, i akuzuar për manipulim zgjedhor. Gjykatat kombëtare u mbështetën në rrezikun që z. Beleri mund të përsëriste veprën penale, të arratisej ose të ndërhynte në prova, për shkak të procedimeve të mëparshme penale ndaj tij dhe pozitës së tij me ndikim në komunitet.
Në vendimin e sotëm të Dhomës për këtë çështje, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi njëzëri se nuk kishte pasur shkelje të nenit 5, paragrafi 3 (e drejta për liri dhe siguri), të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me vendosjen fillestare të z. Beleri në paraburgim; por kishte pasur shkelje të nenit 5, paragrafi 3, të Konventës Evropiane, lidhur me mbajtjen e tij në paraburgim pas ngritjes së akuzës.
Gjykata pranoi se paraburgimi fillestar ishte i justifikuar, duke pasur parasysh fazën e hershme të hetimit dhe natyrën delikate të akuzave ndaj z. Beleri. Megjithatë, pas ngritjes së akuzës më 19 korrik 2023, Gjykata konstatoi se gjykatat kombëtare ishin mbështetur së tepërmi në rëndësinë e veprës penale për të cilën ai dyshohej dhe nuk kishin shqyrtuar mjaftueshëm masa më pak kufizuese ose ndryshimin e rrethanave me kalimin e kohës.
Gjykata vuri në dukje se praktika gjyqësore në Shqipëri ka evoluar pas shqyrtimit të çështjes së z. Beleri nga gjykatat kombëtare, të cilave tashmë u kërkohet të kryejnë vlerësime të reja të paraburgimit në çdo fazë të procedimit, ndërsa barra e provës i takon prokurorisë.
Së fundi, në bazë të nenit 41 (shpërblimi i drejtë), Gjykata vendosi që Shqipëria t'i paguajë z. Beleri 450 euro për dëmin jopasuror dhe 5.000 euro për kostot dhe shpenzimet.", thuhet ndër të tjera në njoftim./K.C/dritare.net