Historike për Gjermaninë, Merz propozon një grua për presidente!
Dritare.net

Gjermania mund të ketë për herë të parë në historinë e saj një grua në krye të shtetit. Kancelari Friedrich Merz ka propozuar politikaren bavareze Ilse Aigner si kandidate për presidente, në një kohë kur vendi po përballet me polarizim të thellë politik dhe rritjen e mbështetjes për të djathtën ekstreme.
Aigner, 61 vjeçe, aktualisht presidente e Parlamentit të Bavarisë, është anëtare e Unionit Kristian Social (CSU), partisë simotër të Unionit Kristian Demokrat (CDU) të kancelarit Merz.
Kandidatura e saj ka siguruar mbështetjen e partive të koalicionit qeverisës, ndërsa edhe të Gjelbrit janë shprehur në favor të saj.
Zgjedhja e presidentit të ri do të zhvillohet më 30 janar 2027 nga Asambleja Federale, një organ i posaçëm i përbërë nga deputetë të Bundestagut dhe përfaqësues të parlamenteve të 16 landeve gjermane.
Nëse zgjidhet, Aigner do të pasojë presidentin aktual Frank-Walter Steinmeier, mandati i dytë dhe i fundit i të cilit përfundon në mars 2027.
Gjatë prezantimit të kandidaturës, Merz e vlerësoi Aigner si një politikane të aftë për të bashkuar qytetarët dhe për të mbrojtur vlerat demokratike.
Nga ana e saj, Aigner paralajmëroi për rrezikun që i kanoset demokracisë gjermane nga ekstremizmi dhe përçarjet shoqërore, duke theksuar se synon të kontribuojë në afrimin e qytetarëve.
Politikania bavareze ka një karrierë të gjatë politike. Ajo ka shërbyer si ministre federale e Bujqësisë gjatë qeverisjes së Angela Merkelit, ndërsa prej vitit 2018 drejton Parlamentin e Bavarisë.
Që nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë në vitin 1949, posti i presidentit është mbajtur vetëm nga burra. Zgjedhja e Aigner do të shënonte kështu një moment historik për vendin./dritare.net