Protesta jonë është proces, nuk kërkon shpëtimtarin. Flet studentja
Dritare.net

Jesmina Sengla është 24 vjeç, studente e shkencave politike dhe punonjëse në shoqërinë civile. Ajo është një nga zërat e protestës që prej muajsh mbush sheshet e Tiranës. Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV foli për arsyet pse proteston, për plumbin e gomës që e goditi, për Ramën dhe Berishën dhe për Shqipërinë që ëndërron.
Bisedën e nisi me çantën që mban gjithmonë me vete, të mbushur me stikera proteste. “Kjo çantë është personazh më vete. Praktikisht përfaqëson gjithë qasjen time si protestuese”, tha ajo. Stikerat e parë që zgjodhi ishin “Ramaburg, Berishaburg, jo Airbnb” dhe “Anullo ligjin”. Sipas saj, ligji për zonat e mbrojtura është “thembra e Akilit” dhe arsyeja kryesore pse doli në shesh, sepse përfaqëson një model ekonomik që ajo nuk e do. “Unë për atë lloj modeli ekonomik si qytetare nuk jam pyetur”, tha ajo.
Rudina Xhunga e pyeti për akuzat se protestuesit nga shoqëria civile financohen nga Sorosi ose nga të huajt. Sengla tha se është e kundërta. Sipas saj, pushteti i sheh njerëzit e shoqërisë civile si “një nga boshtet më të rrezikshme”, sepse në shumicën e rasteve janë të pavarur nga qeveria.
“Asnjë donator, në dijeninë time, nuk ka kërkuar që shoqëria civile të kufizojë të drejtat e veta. Këto kufizime i kam parë vetëm nga qeveria jonë dhe aktorë të lidhur me të”, tha ajo. Sipas saj, kjo është një narrativë “e ngjitur nga lart” për t’i vënë njerëzit kundër njëri-tjetrit, dhe fondet e huaja nuk kanë pasur asnjë ndikim në protestë.
Sengla tregoi se gjatë protestave u godit në këmbë nga një plumb gome, ndërsa po largohej nga policia. “Nuk po përballesha me policinë, as nuk bëja ndonjë gjë të jashtëligjshme”, tha ajo. Për të nuk pati nevojë të shkonte në spital dhe e merr me shaka: “Polici im ka qenë profesionist, se ka ditur ku ka gjuajtur.” Por shtoi se të tjerët nuk patën të njëjtin fat dhe kujtoi rastet e protestuesve të goditur në sy, në bark dhe në shpinë.
Sipas saj, frika më e madhe në shoqëri nuk erdhi nga gurët dhe molotovët, por nga mënyra se si reagoi policia, me gaz lotsjellës që “nuk dallon protestuesin nga kalimtari”. Ajo mendon se kjo do ta dëmtojë për një kohë të gjatë besimin e qytetarëve te institucionet.
Si nisi gjithçka?
Protesta e saj e parë ishte ajo e studentëve në vitin 2018, kur ishte ende maturante. Po hante darkë dhe dëgjoi në televizor një student që ftonte edhe gjimnazet të bashkoheshin. “Thashë: ky njeriu e ka me mua. Ftesa u bë, atëherë e kam për detyrë qytetare të paraqitem.”
Ajo thotë se nuk është anëtare e Lëvizjes Bashkë dhe ka pakënaqësi të thellë me të dyja partitë e mëdha. Sipas saj, ato mendojnë se pushteti vjen “me rotacion”.
Për thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, Sengla tha se kërkesa e saj e vërtetë është që të dy të mbajnë përgjegjësi për privatizimet dhe për modelin e “politikës agresive që prodhon militantë”. “Unë nuk jam as gjykatëse, as në gjykatë. Vendimi i takon gjykatës, por unë dua të shoh drejtësi në shoqëri”, tha ajo.
Shqipëria që ëndërron është një vend ku qytetarëve “u qesh buza kur dalin nga shtëpia”. Aty ka parqe dhe hapësira publike, nuk duhet “një qerre e gjysmë me dokumente” për një të drejtë dhe nëpunësi e trajton qytetarin “si vëlla”.
Rudina Xhunga i përmendi ftesën e kryeministrit për dialog. Sengla tha se ajo ftesë “nuk është fare e sinqertë”, sepse tri ligjet që kërkojnë protestuesit nuk kanë marrë asnjë përgjigje politike. “Ai nuk di të dëgjojë. Po të dinte të dëgjonte, do thoshte: ‘A është kjo shoqëri kaq e pakënaqur me mua? Unë jap dorëheqje’, ose do bënte zgjedhje të parakohshme”, tha ajo.
Sipas saj, dhuna në protestë erdhi nga grumbullimi i pakënaqësisë, nga “ironia, injorimi dhe sarkazma e kryeministrit”. Për Berishën tha se “pret që t’i kërcejë gjë sipër”, por protesta ka një dimension antisistem “edhe kundër Ramës, edhe kundër Berishës”.
Për gurët dhe molotovët, Sengla tha se protestuesi mban përgjegjësi vetëm për veprimet e veta. Kërkesën që dikush të marrë përgjegjësi për gjithë protestën e quajti “arkaike”. “Kushdo që ju thotë ‘unë jam koka’, ai është personi të cilit duhet t’i qeshni më së shumti, sepse kjo protestë nuk ka kokë”, tha ajo.
Ajo nuk e sheh protestën si rrugë drejt zgjedhjeve lokale, por si proces që do të sjellë “një model të ri qytetari”. Atyre që thonë se protesta është tkurrur u bën thirrje: “Hajde njëherë në shesh. Në vend që të bësh profesorin e kolltukut, ma trego me veprim politik.”
Në fund tha se ndihet “pak e lodhur, por shpresëplotë” për gjithë procesin./dritare.net