Ben Andoni: Spiropali dhe Veliaj po mbyllin ciklin e tyre politik
Dritare.net

Analisti Ben Andoni, i ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTV, komentoi zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, daljen publike të Elisa Spiropalit kundër kryeministrit Edi Rama, si dhe qëndrimet e Erion Veliajt.
Andoni e cilësoi të tepruar reagimin e Spiropalit, duke ngritur pikëpyetje mbi maturinë dhe moralin e saj politik. Sipas tij, si Spiropali, ashtu edhe Veliaj, janë ngjitur me shpejtësi në hierarkinë politike, duke përfituar nga mbështetja që u është dhënë brenda Partisë Socialiste.
“Janë manipulues të shkëlqyer, por janë vazhdimisht të lajkatuar dhe të ledhatuar. Janë fëmijë të përkëdhelur dhe fëmijët e përkëdhelur arrijnë në një moment që i duan të gjitha. Edhe ato që nuk u takojnë, besojnë se u takojnë”, u shpreh Andoni.
Analisti kujtoi gjithashtu qëndrimet e mëparshme të Spiropalit, duke theksuar se pas ngjitjes së saj në karrierën politike, kritikat e saj u përqendruan ndaj opozitës dhe jo ndaj problemeve të qytetarëve.
Duke u ndalur te Erion Veliaj, Andoni argumentoi se ish-kryebashkiaku i Tiranës po përpiqet ta zhvendosë përballjen e tij me drejtësinë në një betejë politike. Sipas analistit, Rama është treguar i kujdesshëm në deklaratat ndaj Veliajt, për të mos i dhënë argumente që ai të pretendojë se është i persekutuar politikisht.
“Ai do ta kanalizojë në plan politik. Po ta keni ndjekur me kujdes, zoti Rama, përpos asaj gjuhe shumë të ashpër që thuhet se ka përdorur në Asamble, ishte shumë i kujdesshëm me zotin Veliaj. Si duket, ishte dy hapa përpara. E para, për të mos i dhënë kartën që ky në të ardhmen të quhet i persekutuar politik dhe e dyta, të mos ketë argument për të çuar në Strasburg”, deklaroi Andoni.
I pyetur nga Dritan Hila nëse karriera politike e Spiropalit dhe Veliajt ka marrë fund, Andoni u përgjigj se, sipas tij, të dy po mbyllin edhe një cikël të rëndësishëm të lëvizjes “Mjaft”.
“Besoj që po. Zoti Veliaj dhe zonja Spiropali, në njëfarë mënyre, po mbyllin ciklin e ‘Mjaft’-it, pavarësisht se kemi ende njerëz të ‘Mjaft’-it. Këta mbyllën atë pjesë të ambicies së ‘Mjaft’-it për të qenë dikur ajo që do të udhëhiqte vendin”, tha analisti../Dritare.net