Microsoft nxjerr “Kodin e kuq”, çfarë po ndodh brenda kompanisë?
Dritare.net
Gjiganti teknologjik Microsoft ka shpallur “Kodin e kuq”, nivelin më të lartë të mobilizimit të brendshëm për situata kritike, pas ndërprerjes globale të shërbimeve që zgjati rreth 24 orë, më 12 dhe 13 nëntor.
Sipas dokumenteve të brendshme të siguruara nga Reuters, incidenti ka nxjerrë në pah dobësi serioze në sistemet teknologjike të kompanisë dhe në menaxhimin e krizave.
Ndërprerja preku Outlook, Teams, Copilot dhe shërbime të tjera të Microsoft 365, duke shkaktuar probleme në institucione qeveritare, kompani financiare dhe linja ajrore në mbarë botën.
Microsoft ia atribuoi incidentin një defekti teknik në Windows, të shfaqur që prej muajit korrik, por që nuk ishte identifikuar më parë. Kompania përjashtoi mundësinë e një sulmi kibernetik ose të një problemi të shkaktuar nga inteligjenca artificiale.
Dokumentet e brendshme zbulojnë gjithashtu se, gjatë menaxhimit të krizës, inxhinierët shkëmbyen mbi 11 mijë mesazhe në 11 grupe komunikimi, por hasën vështirësi në koordinimin e punës.
Microsoft synon tashmë që ndërprerjet e ardhshme globale të zgjidhen brenda një ore. Për këtë qëllim, kompania planifikon të përmirësojë infrastrukturën teknologjike dhe të përdorë inteligjencën artificiale për identifikimin më të shpejtë të problemeve.
Në dokumentet e brendshme ngrihet gjithashtu shqetësimi për vonesat në shpërndarjen e përditësimeve urgjente të sigurisë, të cilat në një rast të mëparshëm kishin kërkuar pesë deri në gjashtë ditë.
Objektivi i kompanisë është që ndërhyrje të tilla të realizohen në të ardhmen brenda një ore./dritare.net