Armë bërthamore në hapësirë? NATO reagon pas raportimeve për planet e Rusisë!
Dritare.net

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca do të mbrohet nga çdo kërcënim në hapësirë, pas raportimeve të mediave gjermane se Rusia po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me armë bërthamore.
Sipas mediave gjermane, raportet e inteligjencës për një lëshim të mundshëm brenda 60 ditëve të ardhshme u janë shpërndarë vendeve anëtare të NATO-s gjatë këtij muaji. Megjithatë, nuk është bërë e ditur se cili shtet i ka hartuar këto raporte.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi se raportime të tilla nuk janë të reja, por mbeten po aq tronditëse, ndërsa një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se informacionet po merren shumë seriozisht.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se nuk i kishte parë raportet, por se informacionet që citonin burime të panjohura vështirë se mund të merreshin seriozisht. Ambasada ruse në Berlin i cilësoi pretendimet të pabazuara dhe pjesë të një fushate propagandistike.
Duke cituar burime anonime ushtarake dhe të inteligjencës gjermane, transmetuesit publikë NDR dhe WDR, si dhe gazeta Süddeutsche Zeitung, raportuan se sateliti rus, i quajtur “Sputnik-S”, është i pajisur me një kokë bërthamore dhe mund të përdoret për të dëmtuar ose shkatërruar satelitë të tjerë, përfshirë ata të komunikimit dhe vëzhgimit.
I pyetur për këto raportime gjatë një konference për shtyp në Berlin, së bashku me kancelarin Merz, Rutte deklaroi:
“Ne gjithmonë do të sigurohemi që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë në hapësirë.”
Sekretari i Përgjithshëm shtoi se aleanca disponon disa mundësi reagimi dhe se do të përditësojë strategjitë e saj të mbrojtjes dhe parandalimit, sa herë të jetë e nevojshme.
Merz nuk i konfirmoi dhe as i mohoi raportimet për planet e Rusisë, por tha se ato tregojnë nivelin e përshkallëzimit që Moska duket se është e gatshme të ndërmarrë.
Ndërkohë, drejtori i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Josef Aschbacher, e cilësoi vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë si skenarin më të tmerrshëm të mundshëm.
Rusia është nënshkruese e Traktatit të Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, i cili ndalon vendosjen e armëve të shkatërrimit në masë në orbitë.
Ekspertët paralajmërojnë se shpërthimi i një arme bërthamore në hapësirë do të kishte pasoja masive për infrastrukturën satelitore. Aktualisht, në orbitë ndodhen mbi 15 mijë satelitë aktivë. Një shpërthim i tillë do të prekte pa dallim satelitët e vendeve të ndryshme, përfshirë edhe ata të vetë Rusisë.
Edhe vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, kanë vendosur ose planifikojnë të vendosin sisteme të tjera armësh në hapësirë, duke zhvilluar kapacitete për goditjen e satelitëve kundërshtarë, të cilët janë thelbësorë për komunikimet ushtarake, mbikëqyrjen dhe navigimin.
Në vitin 2024, SHBA-ja akuzoi Rusinë se po zhvillonte një armë antisatelitore të pajisur me kokë bërthamore, pretendim që Moska e mohoi.
“Qëndrimi ynë është i qartë dhe transparent. Ne kemi qenë gjithmonë kategorikisht kundër vendosjes së armëve bërthamore në hapësirë dhe vazhdojmë të jemi kundër”, deklaroi në atë kohë presidenti rus Vladimir Putin.
Në shtator, sekretari i Forcave Ajrore amerikane, Troy Meink, deklaroi se SHBA-ja dispononte sisteme armësh për kontrollin e hapësirës, të vendosura në orbitën e Tokës, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Në përgjigje të kësaj deklarate, Kremlini theksoi se hapësira duhet të mbetet e lirë nga çdo lloj arme./dritare.net