Përçarja të vendos në gojën e ujkut! Historiani italian: Duhet të bashkohemi, jemi të gjithë evropianë!
Dritare.net

Në një kohë kur Evropa përballet me tensione dhe pasiguri për të ardhmen, historiani ushtarak italian Massimo Coltrinari përcjell një mesazh të fortë për rëndësinë e bashkimit dhe rrezikun që sjell përçarja. Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga për DritareTV, ai thekson se popujt duhet të ruajnë identitetin e tyre kombëtar, por njëkohësisht të jenë të gatshëm të bashkohen përballë kërcënimeve të përbashkëta.
Duke iu referuar historisë së Italisë dhe rrugëtimit të saj drejt bashkimit kombëtar, Coltrinari shpjegon se dallimet mes popujve nuk duhet të kthehen në pengesë për ndërtimin e një Evrope më të fortë. Sipas tij, historia ka treguar se përçarja mund t'i vendosë kombet përballë rreziqeve të mëdha, ndërsa bashkimi është mënyra për t'u përballur me to.
Intervista është realizuar në kuadër të dokumentarit “Në besë të shqiptarëve 2”, me autore Rudina Xhungën, i cili vjen shumë shpejt për publikun shqiptar dhe italian. Dokumentari rikthen në vëmendje historinë e ushtarëve italianë që mbetën në Shqipëri pas 8 shtatorit 1943 dhe solidaritetin e shqiptarëve që i strehuan dhe i ndihmuan të mbijetonin gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më poshtë, pjesë nga intervista e historianit Massimo Coltrinari me gazetaren Rudina Xhunga për DritareTV.
Rudina Xhunga: Shtrohet pyetja: a kanë kuptuar diçka brezat e rinj, apo rrezikojmë të na çojnë drejt Luftës së Tretë Botërore?
Massimo Coltrinari: Njerëzit zakonisht i kuptojnë gjërat vetëm kur rreziku bëhet real.
Rudina Xhunga: A ka ardhur ky rrezik sipas jush?
Massimo Coltrinari: Jo. Unë do të thosha se ekziston kjo aftësia për të jetuar vazhdimisht buzë greminës.
Italia, që nga viti 1948 e deri sot ka qenë shpesh në atë gjendje, por në fund ka ditur ta rimarrë veten dhe të mos bjerë në greminë.
Ne jemi italianë, kemi makarona, por kemi 400 lloje të ndryshme makaronash. Për ju që jeni shqiptare, makaronat janë thjesht makarona. Për mua si italian janë fusilli, spaghetti, e shumë të tjera.
Pra, jemi të ndryshëm brenda një uniteti dhe të qenit i ndryshëm nuk do të thotë të jesh i përçarë apo të mos jesh pjesë e një kombi. Për shembull, unë jam nga Marche, dikush tjetër nga Lazio, një tjetër nga Kalabria, por kur i bashkon, bëhen italianë.
Sot kjo është diçka e natyrshme. Ky është edhe mësimi që përpiqem të jap në masterin e historisë. Nuk mund të marrësh një shqiptar, një gjerman, një italian dhe një francez dhe të thuash që janë thjesht katër evropianë.
Jo. Unë jam italian, ju jeni shqiptare dhe identiteti ynë duhet të ruhet gjithmonë, në çdo aspekt. Por vjen një moment kur duhet të themi: “Të bashkohemi!”
Domethënë, ka momente kur përçarja të vendos në gojën e ujkut dhe atëherë duhet të jemi të fortë.
Dhe atëherë heqim dorë pak nga vetja jonë, ashtu siç ne kemi hequr dorë pak nga identiteti ynë dhe kemi bërë Mbretërinë e Italisë. E bëmë keq, por e bëmë. Pastaj bëmë Republikën Italiane.
Tani, nëse ne i japim Evropës diçka nga vetja jonë, krijojmë Evropën. Ja pse, në fund të fundit, unë ndihem evropian, ashtu siç ju ndiheni evropiane. Sepse unë jam italian, ju jeni shqiptare, por jemi dy evropianë.
Rudina Xhunga: Kjo është edhe arsyeja pse kemi zgjedhur të tregojmë për figurën e Goffredo Zignanit, sepse ai është një hero evropian që lidh italianët me shqiptarët. E dini pse?
Massimo Coltrinari: Sepse formimi i tij shpirtëror dhe trashëgimia kulturore e Goffredo Zignanit vijnë nga ajo Romagna që u frymëzua nga Giuseppe Mazzini, i cili donte jo vetëm bashkimin e Italisë, por edhe një Evropë të bashkuar.
Pra, ideja është kjo: të jesh vetvetja, por në të njëjtën kohë të jesh pjesë e diçkaje më të madhe, për disa gjëra thelbësore si mbrojtja apo ekonomia.
Sepse euroja sot ka bërë që të mos jemi më në mëshirë të këtyre luhatjeve, të uljeve dhe ngritjeve të monedhave kombëtare. Për shembull, euroja ka sjellë një farë stabiliteti ekonomik.
Një ushtri evropiane, në kohët që jetojmë, do të garantonte më shumë siguri. Sepse ndodh gjithmonë e njëjta gjë: vjen dikush dhe thotë: “Më duhet kjo”. Por tjetri i përgjigjet: “Kujdes, nuk është e jotja, pse do ta marrësh?”
Hitleri filloi me Saarin, pastaj me Sudetet. Historia na mëson se diktatori kërkon gjithmonë diçka. Sot Rusia filloi me Krimenë, tani është Donbasi, pastaj do të vijë Königsberg, ndërsa ky tjetri këtu do të thotë: “Tani dua këtë, dua atë...”
Edhe brenda një diktature, e cila ishte diktaturë, kishte edhe forma kontrolli, por ky shpirt i Risorgimentos italian kishte mbetur. Pra ideja për të ndërtuar diçka më të madhe.
Kur ndodh përplasja mes Carlo Tuccit, shefit të Shtabit të Armatës së 9-të, dhe Zignanit, ky i fundit thoshte se nuk u duhet besuar premtimeve të gjermanëve, sepse ata nuk do të jenë kurrë të besueshëm.
Zignani i referohej pikërisht kësaj aftësie për të rezistuar ndaj atij që të shkel, ndaj atij që dëshiron të imponojë idenë e tij pa pjesëmarrje.
Të mos harrojmë se Klemens von Metternich tha se Italia është thjesht një shprehje gjeografike, pra sikur nuk ekzistonte si komb. Zignani e kundërshton këtë logjikë.
Zignani arsyetonte në vitin 1943, siç arsyetoj unë sot në vitin 2026. Arsyeja është ajo që lidhet me këndvështrimin evropian. Ai thoshte se duhej bërë patjetër gjëja e duhur.
Dhe ai u ngjit në male, ngriti këtë strukturë, luftoi dhe në fund u pushkatua, por në mënyrë të qetë, të kthjellët.
Zignani është një nga ato figura që përfaqëson kuptimin e një lufte që ne e quajmë luftë çlirimtare, por edhe aftësinë për t'i menaxhuar gjërat duke i respektuar të gjithë.
Ndaj të rinjtë duhet të kalojnë në këto shtigje. Unë kam shumë besim te të rinjtë. Kam parë që çdo brez i ri oficerësh është më i mirë se ne.
Nëse mendoj për atë që isha unë kur isha kapiten dhe shoh kapitenët e sotëm, më vjen pak turp për atë që kam qenë dhe për mënyrën se si isha.
Të rinjtë sot kërkojnë një gjë thelbësore, jo interpretime, por dokumente. Dhe shpesh më ka ndodhur të dëgjoj kritika. “Kjo është bërë gabim. Këtu nuk është bërë mirë. Kjo nuk duhej bërë.”
Mirë, ti e mendon kështu, është mendimi yt. Por kur shkoj nëpër shkolla dhe lexoj letra të tipit “I dashur armik”, në fillim të gjithë studentët mendojnë: “Çfarë po na thotë ky? Kujt i intereson?”
I shikojnë si gjëra të parëndësishme. Por pastaj koha kalon dhe diskutimi zgjat me orë të tëra, sepse të rinjtë nuk duan të ikin. Ata pyesin, debatojnë, kërkojnë shpjegime.
Prandaj e përsëris se kam shumë besim te të rinjtë./dritare.net