Pse ushtarët italianë u kthyen në atdhe me armët e tyre? Historiani zbulon arsyen!
Dritare.net

Në vitin 1945, një formacion partizan italian u largua nga Shqipëria për t’u kthyer në atdhe, duke marrë me vete edhe armët me të cilat kishte luftuar përkrah partizanëve shqiptarë. Ishte një vendim i Enver Hoxhës, që historiani ushtarak italian Massimo Coltrinari e cilëson si një nderim të veçantë për kontributin e italianëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga për DritareTV, Coltrinari zbulon prapaskenat e këtij vendimi dhe sjell dëshmi për fatin e mijëra ushtarëve italianë që mbetën në Shqipëri pas armëpushimit të 8 shtatorit 1943. Ai rrëfen se si një pjesë e tyre, pasi gjetën strehim dhe mbrojtje te shqiptarët, u organizuan në formacione ushtarake dhe luftuan kundër gjermanëve, duke u kthyer nga pushtues të dikurshëm në aleatë të rezistencës shqiptare.
Kjo histori është pjesë e dokumentarit “Në besë të shqiptarëve 2”, me autore Rudina Xhungën, i cili vjen shumë shpejt për publikun shqiptar dhe italian. Përmes dëshmive të historianëve, dokumenteve arkivore dhe historive njerëzore, dokumentari rikthen në vëmendje një kapitull të rëndësishëm të marrëdhënieve shqiptaro-italiane: shpëtimin e mijëra ushtarëve italianë nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pjesë nga intervista:
Rudina Xhunga: Kur mbaroi lufta, sa italianë u kthyen në Itali nga 1943-shi në 1945-ën? Sepse, me thënë të drejtën, janë dy vite pak të errëta për ne. Në Shqipëri nuk kemi folur shumë gjatë kohës së Enver Hoxhës, por as këtu nuk është folur shumë.
Massimo Coltrinari: Te ne, në vitet 1943–1945 ishte gjithçka e përqendruar në territorin kombëtar, sepse kishim dy koalicione që luftonin kundër njëri-tjetrit. Përkrah kësaj ishte edhe ajo që lidhej me italianët që luftonin luftën e tyre të çlirimit dhe nga ana tjetër, në veri ishte Republika Sociale. Vështirë se mendohej për jashtë vendit.
Kjo ndodhi edhe në Shqipëri. Duhet thënë se në Shqipëri shumë prej tyre erdhën nga Greqia. Pra, në këtë pikë nuk ka të dhëna të sigurta, sepse të dhënat e sigurta gjenden në një botim të Zyrës së Veteranëve të viteve 1943–1945, të cilin tani nuk e kam këtu, sepse nga Greqia kalonin në Shqipëri, por edhe ata që vinin nga Bullgaria.
Në Ballkan, në përgjithësi, italianët shkonin gjithmonë drejt bregdetit, ndërsa të tjerë nga Shqipëria shkonin drejt Jugosllavisë.
E dhëna kryesore është ajo e Grazianit, sepse ai kishte ngritur në veri, në Split, një bazë për riatdhesimin e italianëve. Dhe aty ka shifra që nuk janë të sakta, sepse bëhet fjalë për njerëz që vinin nga Kreta, njerëz që vinin nga të gjitha vendet e tjera dhe mbërrinin në Shqipëri, por që në Shqipëri nuk kishin qenë kurrë.
Riatdhesimi u bë i rëndësishëm në vitin 1945, sepse të gjithë luftëtarët u organizuan fillimisht në Batalionin “Gramshi”, pastaj në Brigadën dhe në Divizionin “Gramshi”, në të cilin u përfshinë të gjithë luftëtarët dhe që u riatdhesuan.
Dhe aty ndodhi nderimi i madh që Enver Hoxha i bëri luftëtarit italian, të cilin e riatdhesoi me armë. Ishte një formacion partizan italian që u kthye me armët e veta në Itali, në Taranto, në Sant'Andrea, në prill të vitit 1945.
Rudina Xhunga: Pse e bëri këtë Enver Hoxha?
Massimo Coltrinari: Për t'i bërë nderim ushtarit italian. Sepse pa ushtarin italian, ajo ushtri nuk do të kishte ekzistuar dhe këtë e ka pranuar edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.
Sepse, për fat të keq, në Shqipëri ndodhi ajo që falë Zotit nuk ndodhi në Itali. Gjermanët kishin arritur të çanin frontin e rezistencës. Rezistenca u nda në dy pjesë: ata që bashkëpunuan me gjermanët dhe ata që shkuan në male.
Pastaj lindi çështja e Kosovës që pati një histori krejt më vete, ku ne italianët përjetuam një situatë aspak të bukur nga ana e kosovarëve. Sepse Regjimentet e Gjuetarëve të Shqipërisë, i pari, i dyti, i treti dhe i katërti, kishin në trupë edhe nënoficerë shqiptarë, njerëz nga qytetet dhe shqiptarë të Kosovës, ndërsa oficerët ishin italianë.
Menjëherë pas 10 shtatorit, në momentin kur Divizioni “Puglia” zhvendoset dhe shkon drejt Adriatikut për t'u nisur me anije, ndodhin ngjarje të trishta, në të cilat vriten të gjithë oficerët italianë nga ushtarët e këtyre regjimenteve shqiptare.
Kjo është një faqe e dhimbshme e historisë. Unë gjithmonë e shoh Shqipërinë e Madhe të ndarë në dy pjesë, atë të Kosovës, sepse më pas kam bërë misione në Austri dhe në Jugosllavi, në Sarajevë, pastaj jam kthyer përsëri.
Problemi i Kosovës është një gjë më vete, nuk ka lidhje me atë që është fryma e dy përbërësve të Shqipërisë, veriut dhe jugut, sepse, për pjesën tjetër, këto episode nuk janë përsëritur kurrë.
Ka pasur gjithmonë diçka që lidhet me një të kaluar. Sepse ne mbërritëm në Shqipëri në vitin 1915 dhe zbarkuam në Sazan dhe në Vlorë. Ishim në luftë me Austrinë, kishim hapur frontin ballkanik.
Kur nisi pushtimi i austriakëve ne kishim trupat tona, divizionet tona. Një gjeneral italian, pas një viti e gjysmë luftimesh, nga Kalaja e Gjirokastrës, u bëri një thirrje shqiptarëve: “Shqiptarë të dashur, luftoni në krahun tonë luftën e pavarësisë kundër armikut që ishte austro-hungarez”.
Ky është një fakt që nuk mund të mos merret parasysh në marrëdhëniet midis italianëve dhe shqiptarëve, sepse ne po luftonim luftën tonë të katërt të pavarësisë, Luftën e Parë Botërore, ndërsa Shqipëria po ndërtohej si shtet.
Dhe 20 vjet më pas, ky shpirt vazhdon: luftohet i njëjti armik, gjermani dhe të dy popujt ishin në të njëjtën anë. Dhe fshatari nuk e shihte më italianin si dikë që vinte nga jashtë, por si dikë që luftonte kundër të njëjtit armik./dritare.net