Tragjedi në Itali, humb jetën 31-vjeçarja shqiptare në aksident, vajza 4-vjeçare në gjendje të rëndë
Dritare.net

Një 31-vjeçare shqiptare ka humbur jetën në një aksident tragjik rrugor në Itali, teksa udhëtonte me dy fëmijët e saj dhe një të mitur tjetër drejt një feste ditëlindjeje. E bija 4-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini. Aksidenti ndodhi në zonën e Pordenones, në Itali, teksa 31-vjeçarja po udhëtonte drejt Villanova-s, ku do të merrte pjesë në një festë ditëlindjeje me fëmijët.
Sipas raportimeve, shqiptarja humbi kontrollin e automjetit në një kthesë, dyshohet për shkak të lagështisë në rrugë. Makina u përplas me një shtyllë betoni në anë të rrugës dhe më pas u përmbys në një kanal.
Në automjet ndodheshin dy fëmijët e saj, 6 dhe 4 vjeç, si dhe një shok i tyre. Vajza 4-vjeçare ka marrë plagë të rënda dhe është transportuar me helikopter drejt spitalit në Udine, ku po merr trajtim mjekësor.
Dy të miturit e tjerë janë transportuar në spitalin e Pordenones për të marrë ndihmën e nevojshme.
Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit dhe karabinierët, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e të aksidentuarve dhe po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit./L.F-dritare.net