Zbulohet pllaka përkujtimore e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë, në Manastir
Dritare.net
Kryeministri Rama, në vijim të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, u ndal në Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë, në Manastir, e cila shënonte 100 vjetorin e hapjes së saj.
Me këtë rast u bë edhe zbulimi i pllakës përkujtimore, ku përshëndeti Konsulli i Nderit të Republikës së Shqipërisë në Manastir Imer Selmani:
“Ju falënderoj që keni vizituar Manastirin, si fole e Rilindjes sonë Kombëtare, e Abetares dhe e diplomacisë. Ndaj, shfrytëzoj rastin e sotëm për t’ju përshëndetur në emrin tim dhe në emër të shqiptarëve. Është një privilegj i veçantë që sot të shpalosim pllakën përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të Konventës Konsullore të vitit 1926 dhe të rikujtojmë se Manastiri zë një vend të veçantë në historinë tonë kombëtare, si qyteti i alfabetit shqip, i Rilindjes, i dijes dhe i diplomacisë. Me të gjitha këto atribute, Manastiri dhe shqiptarët e tij kanë kontribuar në formësimin e identitetit tonë kombëtar.
I nderuar Kryeministër, prania juaj sot i jep një rëndësi të veçantë kësaj ceremonie dhe dëshmon respektin ndaj trashëgimisë sonë historike dhe diplomatike. Si Konsull Nderi, e konsideroj këtë trashëgimi një përgjegjësi dhe një frymëzim për të vazhduar ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe të miqësisë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Le të mbetet kjo pllakë një dëshmi e përhershme e historisë sonë dhe një mesazh për brezat që vijnë: të ruajmë, të nderojmë dhe të përcjellim me krenari trashëgiminë tonë.”