Studiuesi shqiptaro-amerikan: KGB-ja mund të ketë pasur rol në vdekjen e Mit'hat Frashërit
Dritare.net

Studiuesi shqiptaro-amerikan Albert Lulushi sjell dokumente të deklasifikuara të CIA-s për operacionet e Perëndimit kundër regjimit komunist në Shqipëri. Për këto dokumente autori foli ekskluzivisht në emisionin "Shqip" nga Rudina Xhunga në Dritare TV.
Në një moment të bisedës, Albert Lulushi ndalet te figura e Mit'hat Frashërit. Ai flet me kujdes për vdekjen e tij dhe hedh hipotezën se KGB-ja mund të ketë pasur rol në të. Sipas tij, qëllimi ishte të përçahej emigracioni shqiptar. Kjo u pa pas vdekjes së Frashërit, kur krerët nuk u morën vesh se kush do ta zëvendësonte.
"Unë nuk kam gjetur prova absolute, por kam mendimin që shërbimi sekret sovjetik, KGB-ja, mund të ketë pasur një rol në vdekjen e Mit'hat Frashërit, në helmimin e tij, ndoshta në New York", tha Lulushi.
Sipas tij, qëllimi ishte të çorientohej operacioni që shqiptarët po ngrinin jashtë vendit.
"Dhe po ta shikosh, kjo ndodhi me të vërtetë, sepse pas vdekjes së Mit'hat Frashërit, për shumë muaj me radhë, Abaz Kupi, Abaz Ermenji, Hasan Dosti e të tjerë patën shumë konflikte dhe diskutime se kush do të ishte zëvendësi i Mit'hat Frashërit. Dhe natyrisht, ato përçarje midis tyre ishin distraksione.
Po të shikosh raportet që oficerët e CIA-s shkruanin për ecurinë e operacioneve, një nga pakënaqësitë më të mëdha ishte paaftësia e krerëve shqiptarë për të qenë dakord me njëri-tjetrin. Përçarjet midis shqiptarëve.Kishin përçarje, kishin konflikte, pati edhe raste kur vranë njëri-tjetrin. Amerikanët e kuptonin shpesh që po të vësh tre shqiptarë në një dhomë, asnjëherë nuk do të bien dakord.", tha zoti Lulushi./L.F-dritare.net